1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendja e burgjeve në Ballkan

23 Dhjetor 2009

Aktivistë të të drejtave të njeriut në vendet e Ballkanit janë në monitorim të vazhdueshëm të kushteve në ambjentet e burgjeve dhe të paraburgimit. Në gjendjen e vendeve të vuajtjes së dënimit ka dhe aspekte të ngjashme

https://p.dw.com/p/LCVy
Burgu 302 në Tiranë
Burgu 302 në TiranëFotografi: DW / Arben Muka

Organizatat joqeveritare që punojnë në fushën e të drejtave të njeriut kanë dhe programe rajonale të kooperimit mes tyre. Më shumë kjo shërben për të shkëmbyer eksperiencat ne respektimin e konventave ndërkombëtare. Për të evituar përdorimin e dhunës e torturave, për të nxitur trajtimin më njerëzor dhe integrimin e personave që vuajnë dënimin me heqje të lirisë.

Kristina Pavloski, nga Qendra për nisma qytetare në Maqedoni thotë se në vendin e saj kushtet në ambjentet e paraburgimit, të burgjeve, a në spitalet e tyre janë shumë të këqija.

“Në mënyrë të veçantë bie në sy se nuk ka një ndarje të të miturve nga të ata të dënuar për vepra të rënda dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Sa i takon ushtrimit të torturës në ambjentet e burgjeve, zyrtarisht nuk pranohen raste të tilla. Por nga aktivistët e shoqatave joqeveritare raportohen raste të dyshimta. Gjithashtu ka dhe ankesa nga familjarët e të dënuarve për tejkalim të dhunës fizike dhe psikologjike. Ka ende personel jo profesional në burgje, që është një nga shkaqet e keqtrajtimit të të burgosurve. Mendoj se shumë gjëra duhet të ndryshojnë”.

Kristina Pavloski thotë për DW, se në 12 vjet aktivitet të Qëndrës për nisma qytetare ka patur një bashkëpunim të frytshëm me organizata homologe në rajon, si në Shqipëri, Serbi, Kosovë, Kroaci etj. “Më shumë kjo shërben për të shkëmbyer eksperiencat ne respektimin e konventave ndërkombëtare, përmirësimit të kushteve në ambjentet e bugjeve, paraburgimit, stacionet e policisë, spitalet e bugjeve etj”, thotë Pavloski.

Avokat Xhevdet Halili punon në qëndrën kosovare për rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës në Prishtinë. Ai thotë për DW, se kjo organizatë joqeveritare ka kontakte intensive me strukturat e rendit dhe të sigurisë në Kosovë, me institucionin e Avokatit të Popullit dhe me shoqata që punojnë në fushën e të drejtave të njeriut. Avokat Halili e përshkruan të vështirë evidentimin e ushtrimit të dhunës e torturës ndaj personave që gjenden në stacionet e policisë, në paraburgim a në burg.

“Nuk mund të themi se nuk ekziston, por është e vështirë të dokumentohet. Ne jemi në dijeni se çështjet e torurës janë paksa komplekse, pasi duhet të kemi pohim të informatës nga zyrtarët policorë dhe tendenca e pranimit si e tillë”.

Avokat Halili mendon se çdo sinjalizim dhe dyshim iu përcillet autoriteteve zyrtare të drejtësisë e të punëve të brendshme.

“Qëllimi ynë është që trajtimi i personave që ndalohen nga policia, që ndodhen në paraburgim ose vuajnë dënimin në burg të bëhet sipas ligjit, duke respektuar Konventën Europiane të të drejtave të njeriut, si dhe cdo akt tjetër ndërkombëtar. Ne kemi organizuar shpesh fushata ndërgjegjësuese, për përmirësimin e kushteve dhe mirëtrajtimin ndaj njerëzve që ju privohet liria”.

Një organizatat joqeveritare që monitorin gjëndjen e ambjenteve të paraburgimit dhe të burgjeve në Shqipëri është Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës. Adrian Kati, drejtor ekzekutiv thotë për DW se nga njëri vit në tjetrin kemi vënë re përmirësim të kushteve të trajtimit dhe riintegrimit të personave që vuajnë dënimin, ose të paraburgosurit që presin vendimin e drejtësisë.

“Dhe këto kanë të bëjnë me kualifikimin e stafit, për punën e tij më humane, por dhe elementë të tjerë siç janë ushqimi, trajtimi në qeli, kompletimi i tyre për përmirësimin ditor të jetës së të dënuarve etj”.

Por Adrian Kati thotë se shqetësimi më i madh që mbetet ende prezent është mbipullimi i burgjeve. Sipas tij kjo “është një çështje që ndikohet më shumë që nga problematikat e komisariateve të policisë dhe që vijon nga procedurat e dënimeve gjyqësore”.

Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës në Tiranë është pjesë e një rrjeti ballkanik të krijuar rreth 15 vjet më parë me mbështetjen e një organizate ndërkombëtare me seli në Kopenhagen. Adrian Kati është i bindur se bashkëpunimi rajonal dhe më gjerë ka rritur ndjeshmërinë e partnerëve në çështjet e parandalimit të dhunës dhe torturës, si dhe trajtimit e rehabilitimit të viktimave prej tyre. “Shkëmbimi i eksperiencave mes organizatave homologe ballkanike është ndalur më shumë tek fenomenet e ngjashme, ku hyjnë dhe përmirësimi i kushteve në ambjentet e paraburgimit dhe të burgjeve”, thotë Kati për DW.

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi