1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aleancë midis Ankarasë, Athinës dhe Berlinit

Adelheid Feilcke12 Mars 2016

Në krizën e refugjatëve, Greqia dhe Turqia mund të përfitojnë nga njëra-tjetra, të mbështetur nga BE. Politika e izolimit është rruga e gabuar, mendon Gerald Knaus nga Southeast-European Stability Initiative.

https://p.dw.com/p/1IBwx
Fotografi: DW

DW: Turqia ka bërë ofertën që të pranojë kthimin te ajo të refugjatëve nga Greqia, nëse BE për çdo refugjat të kthyer pranon një refugjat sirian nga Turqia. Si e vlerësoni këtë ofertë?

Gerald Knaus: Ky është një propozim korrekt i Turqisë. Rëndësi ka që ai të realizohet në përputhje me ligjet greke dhe me ligje të përshtatshme të BE. Ato thonë që njerëz që arrijnë në ishujt grekë, me të vërtetë mund të kthehen shumë shpejt në Turqi, po të jetë e gatshme Turqia që t'i pranojë ata. Po kjo mund të bëhet vetëm nëse ata nuk paraqesin lutje për azil. Dhe secili ka të drejtë të paraqesë një lutje individuale për azil. Po të paraqesin lutje për azil refugjatët, ajo mund të përpunohet shumë shpejt, po të jetë Turqia një shtet i sigurtë i tretë për refugjatët. Unë do të argumentoja si të tjerët në këtë rast: Turqia është një shtet i tillë. Kjo në një kohë kur është e qartë se në Turqi me reforma të tjera, e edhe me mbështetje financiare nga BE mund të arrihet shumë, shumë më tepër, për të përmirësuar gjendjen e refugjatëve në vend.

A nuk po bën BE kompromise shumë të mëdha, përballë një Turqie, a nuk lejon ai që Turqia t'i bëjë madje shantazh?

Kur bëhet fjala për refugjatë, atëherë insinuata se Turqia përpiqet t'i bëjë shantazh BE është shumë e ulët. Sepse Turqia është në fakt vendi që ka pranuar më shumë refugjatë. Shumë më tepër se çdo vend tjetër në Evropë. Dhe njëkohësisht, BE do që Turqia t'i mbajë në vend refugjatët. Kur Turqia thotë se kërkon për këtë ndihmë financiare dhe mbështetje nga BE, i cili ka interes që kjo punë të dalë me sukses, atëherë ky nuk është shantazh. Para së gjithash, po të mbash parasysh se Ankaraja paratë shtesë i kërkon për vitin 2018.

Nga ana tjetër, është krejtësisht e qartë se BE natyrisht nuk mund ta përshpejtojë procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE, si shpërblim për ndihmën që jep Turqia për çështjen e refugjatëve. Turqia kërkon që të hapen kapituj të tjerë të anëtarësimit. Por anëtarësimi gjithsesi mund të ndodhë vetëm atëherë, kur të 28 shtetet, në të gjithë kapitujt arrijnë në përfundimin se Turqia duhet të anëtarësohet. Dhe nga kjo pikë ne jemi shumë larg.

Si i vlerësoni shanset e një aleance të re të përbërë nga Greqia, Turqia dhe Gjermania, për të kundërshtuar politikën e mbylljes së kufijve?

Unë vetëm mund të shpresoj, që një afrim midis Gjermanisë dhe Turqisë, i cili aktualisht nuk bazohet në simpati të madhe ose në besim, por para së gjithash në interesa, të çojë në plan afatmesëm që raporti të përmirësohet. Parakushti për këtë megjithatë është që Turqia, përsa u përket të drejtave të njeriut, të orientohet sërish në atë që ka bërë para disa vitesh - pra në reforma, të cilat i forcojnë të drejtat e njeriut dhe jo i dobësojnë ato. Kjo u duhet thënë herë pas here turqve.

Nëse nëpunësit turq në një të ardhme të afërt të bashkëpunojnë me grekët në ishujt grekë, dhe kur si Greqia, ashtu edhe Turqia të pranojnë, se sa e madhe është rëndësia strategjike që nga ky bashkëpunim të dalin edhe rezultate, atëherë vetëm mund të shpresosh, që raporti në Egje dikur të shtensionohet. Në fakt Greqia është për Turqinë kufiri më i sigurtë dhe më miqësor, që ka Turqia, sepse përndryshe ajo është e rrethuar nga konflikte, shtete të dobëta dhe nga armiq.

Kandidatët për anëtarësim në BE të Ballkanit Perëndimor morën pjesë në mbylljen e kufijve. Çfarë do të thotë kjo për ta?

Pa asnjë dyshim, përfytyrimi që vala e refugjatëve mund të ndalet me frikësim ose me një gardh në Ballkan, është në çdo pikëpamje një katastrofë për shtetet ballkanike. Unë jam mjaft i sigurtë se kjo nuk do të ketë sukses. Sepse tërheqja për trafikantët, që t'u tregojnë një rrugë tjetër njerëzve, natyrisht që është gjigande. Kësaj i shtohet fakti, që disa në BE thonë se Greqia do të braktiset: kjo të bën që edhe për Shkupin dhe Beogradin të shtrohet pyetja, nëse mënyra si trajtohet tani Greqia nga BE është ajo që mund të presë një anëtar i Bashkimit Evropian.

Bisedën e zhvilloi Adelheid Feilcke

Gerald Knaus është një ekspert austriak për Evropën Juglindore dhe Kryetar i Inisiativës së Stabilitetit Evropian (ESI), një qendër kërkimore me zyra në Berlin, Bruksel, Stamboll dhe Vjenë.