1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

George Mitchell dhe Robert Gates zhvillojnë bisedime në Izrael

27 Korrik 2009

Në kuadër të vizitës së tij në Lindjen e Mesme i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Lindjen e Mesme, George Mitchell, u shpreh për rifillimin e bisedimeve izraelito-siriane.

https://p.dw.com/p/IyET
I ngarkuari i posaçëm i SHBA për Lindjen e Mesme, George Mitchell takohet në Jeruzalem me Ministrin Izraelit të Mbrojtjes
I ngarkuari i posaçëm i SHBA për Lindjen e Mesme, George Mitchell takohet në Jeruzalem me Ministrin Izraelit të MbrojtjesFotografi: AP

Qëllimi final i SHBA: marrëdhënie normale të Izraelit me vendet e rajonit

SHBA synojnë një zgjidhje gjithëpërfshirëse për rajonin, e cila përfshin paqe mes palestinezëve dhe Izraelit, mes Sirisë dhe Izraelit si dhe mes Libanit dhe Izraelit. Qëllimi final është normalizimi i marrëdhënieve të Izraelit me të gjitha vendet e rajonit. Kjo është në përgjithësi përmbajtja e mesazheve që ka sjellë me vete i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Lindjen e Mesme, George Mitchell. Gjatë vizitës së tij të dytë në Siri që prej fillimit të kësaj detyre, ai u takua në Damask me presidentin e vendit, Bashir al-Asad. Pas takimit Mitchell-i tha përpara gazetarëve se:

"Paqja gjithëpërfshirëse është rruga e vetme për t'u garantuar stabilitet, siguri dhe mirëqenie të gjitha vendeve të rajonit."

Qeveria e Obamës i ka shtuar përpjekjet për një përmirësim të marrëdhënieve me Sirinë

Siria konsiderohet prej SHBA si mbështetëse e terrorizmit dhe për këtë ish-presidenti George W. Bush, nuk e pranonte si partnere bisedimesh. Qeveria e Obamës i ka përforcuar përpjekjet për një përmirësim të marrëdhënieve me Sirinë dhe shpreson ta shtyjë atë që të luajë një rol pozitiv në procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe në Irak.

Mitchell-i tha se biseda me Asadin kishte qenë e hapur dhe pozitive duke shtuar se: Në lidhje me paqen mes Sirisë dhe Izraelit qëllimi afatshkurtër i SHBA-së është rifillimi i bisedime mes këtyre dy vendeve.

Me Mitchellin në Izrael pritet të qëndrojnë edhe ministri amerikan i Mbrojtjes Robert Gates, këshilltari për sigurinë James Jones

Stacioni tjetër i vizitës së Mitchellit pas Sirisë është Izraeli. Por para qëndrimit në Izrael Mitchelli shkoi papritur në Kairo i ftuar prej presidentit Hosni Mubarak, edhe pse vizita në Egjipt ishte planifikuar për të martën.

Bashkë me Mitchellin duke filluar nga e hëna dhe ditët e ardhshme në Izrael pritet të qëndrojnë edhe ministri amerikan i Mbrojtjes Robert Gates, këshilltari për sigurinë James Jones dhe i dërguari i posaçëm për Iranin Dennis Ross.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha para mbledhjes së kabinetit ditën e diel, se shpreson se gjatë takimeve me politikanët amerikanë do të mund të sqarojë një sërë mosmarrëveshjesh themelore. Fjala është për kritikat e ashpra të palës amerikane në lidhje me politikën e ngulimeve hebreje në Jordanin Perëndimor dhe në zonën lindore të Jeruzalemit.

Autor: Pani, Pandeli//dpa/gu / Al-Xhazira anglisht

Redaktoi: Auron Dodi