#Generation99 - Çfarë mendojnë të rinjtë e Kosovës dhe Serbisë, të lindur në kohë lufte? | FOKUS | DW | 29.04.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

FOKUS

#Generation99 - Çfarë mendojnë të rinjtë e Kosovës dhe Serbisë, të lindur në kohë lufte?

Projekti #generation99 ka për qëllim prezantimin e mendimit të gjeneratës së re të shqiptarëve, serbëve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve të lindur në kohë lufte.

Viti 1999 - luftë, dëbime dhe shkatërrime të mëdha. Njerëzit në Kosovë dhe Serbi përjetuan gjatë vitit 1999 kohërat më të vështira. Gati çdokush u prek nga lufta e Kosovës dhe konfliktet e përgjakshme në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Shumë vetë humbën familjarët, mjaft e dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe u detyruan ta fillojnë jetën nga e para. Por edhe në kohërat më të vështira të luftës, në muajt e vrasjeve, shkatërrimeve dhe dëshpërimeve kanë lindur fëmijë, ka lindur jetë e re. Shenjë e shpresës dhe simbol i një të ardhme më të mirë.
Ata lindën në kohërat më të vështira - nën breshëritë e plumbave, bombave dhe dëbimeve. Lindën në male, në tenda nëpër kampe, në shtëpi private apo në spitale. Po çfarë bëjnë sot fëmijët e lindur në vitin 1999? Çfarë do të thotë për ta fakti se kanë lindur pikërisht në vitin 1999, në kohën e luftës? Cilat janë planet e tyre për të ardhmen dhe si i shohin raportet mes Kosovës dhe Serbisë? Çfarë mendojnë ata për fqinjët e tyre serbë apo shqiptarë dhe cilat janë ëndërrat për të ardhmen? 
Reporterët e Deutsche Welles kanë biseduar me të rejat dhe të rinjtë e lindur para 20 vitesh në Kosovë dhe Serbi - me të rinjtë e lindur nëpër male, kampe, fshatra dhe qytete. Ne do t'i prezantojmë mendimet e tyre për të kaluarën, të sotmen, ëndrrat dhe shpresat - për të ardhmen. 
Projekti #generation99 ka për qëllim prezantimin e mendimit të gjeneratës së re të shqiptarëve, serbëve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve të lindur në kohë lufte. Por na interesojnë edhe mendimet tuaja. Na intereson të dimë se çfarë mendoni ju për të ardhmen e #generation99, për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë, për raportet mes tyre. A është e mundur bashkëjetesa në paqe? Cila është perspektiva e të rinjve në Ballkanin Perëndimor? 
Projekti ynë #generation99 është vetëm fillimi! Deutsche Welle është dhe mbetet një platformë e hapur për mendime, opinione, sugjerime dhe ide të reja për të ardhmen. Shkrimet tuaja do të publikohen në internet (dw.com/albanian) dhe Facebook (DW Shqip). Ato do të na shërbejnë si bazë e mirë edhe për debatet tona me studentët e Universitetit të Prishtinës dhe të Beogradit, të cilat do të mbahen në fillim të majit.

Audio dhe video për temën