Gazi rus vjen sërish në Evropë përmes gazsjellësit Nord Stream 1 | Gjermania | DW | 21.07.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Gazi rus vjen sërish në Evropë përmes gazsjellësit Nord Stream 1

Furnizimi me gaz në Evropë përmes këtij gazsjellësi nga Rusia ishte ndërprerë për 10 ditë për shkak të mirëmbajtjes së planifikuar. Furnizimi tani ka rifilluar, por në një nivel shumë nën kapacitetin maksimal.

Gazsjellësi Nord Stream 1 u rihap siç ishte planifikuar herët në mëngjesin e së  enjtes, pasi u mbyll për 10 ditë për mirëmbajtjen vjetore, sipas operatorit të gazsjellësit.

Kryetari i Agjencisë Federale të Rrjetit Gjerman, Klaus Müller tha në Twitter se gazsjellësi po funksiononte me kapacitet rreth 30% dhe se kjo shumë ishte e garantuar për dy orë. Müller, megjithatë, tha se ishte e pazakontë që ritmi i furnizimit të ndryshonte brenda një dite.

Evropa po pret kthimin e furnizimeve me gaz nga Rusia, me drojën se Moska do të vendosë t'i mbajë rubinetat pothuajse të mbyllura, gjë që mund të shkaktojë krizë energjetike. Gjermania e ka akuzuar Kremlinin për përdorimin e energjisë si "armë".

"Moska nuk stepet nga përdorimi si armë i furnizimeve të grurit dhe të energjisë. Ne duhet të jemi të vendosur të mbrohemi," u tha gazetarëve këtë javë kancelari gjerman Olaf Scholz.

Të mërkurën, sipas vlerësimeve zyrtare, rezervat gjermane të gazit ishin rreth 65%.

Rusia ndërpret furnizimin me gaz

Që kur Putini filloi sulmin ndaj Ukrainës më 24 shkurt dhe Perëndimi u përgjigj me sanksione kundër Moskës, Rusia ka filluar të shkurtojë furnizimet me gaz për vendet e BE.

Putini fajëson Perëndimin për problemet e furnizimit dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, por Gjermania e ka hedhur poshtë këtë pretendim.

Mirëmbajtja e turbinave të ndërtuara nga Siemens-i, thelbësore për funksionimin e tubacionit, kryhet në një fabrikë në Kanada. Otava fillimisht kishte bllokuar kthimin e një turbine për shkak të sanksioneve.

Si rezultat, Gazprom-i, gjiganti energjetik i kontrolluar nga Kremlini, reduktoi eksportet e gazit nga Nord Stream në 40% të kapacitetit normal në fund të majit dhe më pas në mënyrë më drastike në mes të qershorit.

Nën presionin e Gjermanisë, Kanadaja pranoi të kthente turbinën. Ajo u desh të largohet nga Kanadaja për në Gjermani, nga ku do të dërgohet në Rusi - duke përdorur një shteg, sepse "nga ana e BE, këto transporte nuk preken nga sanksionet", shpjegoi të hënën një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Ekonomisë.

Turbina e riparuar raportohet se ndodhet në rrugën e saj për në Rusi dhe pritet të arrijë më e hershmja të dielën. Putini paralajmëroi gjithashtu se një turbinë tjetër me gaz do të mirëmbahej në fund të muajit, gjë që do të thotë se flukset e energjisë mund të bien në 20% të kapacitetit që në fillim të javës së ardhshme.

Evropës i kërkohet të kursejë gazin

Gazsjellësi Nord Stream 1 ka një kapacitet total ditor prej rreth 167 milionë metra kub gaz. Para mbylljes për mirëmbajtje, Gazprom dërgonte vetëm 67 milionë metra kub në ditë.

Një zëdhënës i Nord Stream AG i tha agjencisë gjermane të lajmeve dpa se vëllimi i fundit i furnizimit me gaz ishte i njëjtë si përpara periudhës së mirëmbajtjes, që korrespondon me rreth 40% të kapacitetit të furnizimit me gaz.

Komisioni Evropian u kërkoi të mërkurën vendeve të BE që të ulin kërkesën e tyre për gaz natyror me 15% gjatë muajve të ardhshëm të dimrit dhe t'i japin fuqi të posaçme për të imponuar shkurtimet e nevojshme të kërkesës nëse Rusia ndërpret furnizimin me gaz.

"Rusia po përdor energjinë si armë dhe kështu në çdo rast, qoftë për një mbyllje të pjesshme të gazit rus apo për një mbyllje të plotë... Evropa duhet të jetë gati," tha Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian.

tj,tg/wmr (dpa, AFP, Reuters)