1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

190109 Erdgas Einigung

Christina Nagel 19 Janar 2009

Njoftimi u prit me skepticizëm: Kievi dhe Moska sheshuan konfliktin për gazin dhe do të japin së shpejti dritën e gjelbër për livrimin e gazit në Evropë, madje pa kontrollorë dhe pa koncernet perëndimore të energjisë.

https://p.dw.com/p/GbKI
Fotografi: AP/DW Fotomontage: Albrecht Schrader

Pas javësh të gjata polemikash mbi çmimet, kontratat dhe modalitetet teknike, të gjitha palët në konflikt shprehen optimiste: gjatë ditës së hënë, u tha, në prani të kryeministres Julia Timoshenko dhe homologut të saj rus Vladimir Putin, do të nënshkruhen kontrata afatgjatë. Në këtë mënyrë do të marrë fund konflikti më i gjatë dhe i kushtueshëm për gazin mes dy vendeve.


Timoshenko dhe Putini u tërhoqën pas samitit për gazin të shtunën (17.1.) në Moskë, për negociata të mëtejshme. Rreth orës dy të mëngjesit ditën e djelë, ata njoftuan se ishte arritur një zgjidhje. Marrëveshja u arrit si për kontratat e tranzitit ashtu dhe për ato dypalëshe.


"Duam t'ju informojmë se kemi rënë dakort që Rusia dhe Ukraina të përdorin formulën evropiane të vendosjes të çmimit në tregtinë e gazit. Jemi të një mendjeje se partneri ukrainas gjatë vitit 2009 të përfitojë një ulje çmimi prej 20 për qind. Kusht për këtë është që, Rusia t'i paguajë Ukrainës të njëjtat çmime për lëshimin e gazit tranzit si gjatë vitit 2008."


Kështu Ukraina duhet të paguajë në të ardhmen rreth 360 dollarë për metër kub gaz. Nëse Ukraina do t'a kishte nënshkruar marrëveshjen deri në fund të dhjetorit të kaluar, çmimi do të kishte qenë jo më shumë se 250 dollarë. Ky çmim ishte shumë i lartë veçanërisht për presidentin ukrainas Jushçenko. Ai nuk është prononcuar deri tani për marrëveshjen.


Kryeministri rus Putin theksoi më tej, se nga viti 2010 Ukraina do të paguajë çmimin e vlefshëm për Evropën. Ai do të përcaktohet sipas rregullave të zakonshme. Kryetarët e qeverive nuk dhanë hollësi të tjera mbi kontratat. Timoshenko deklaroi vetëm se shefat e dy koncerneve Naftogas dhe Gazprom, do të përgatisnin dokumentat përkatës.


"Menjëherë pas nënshkrimit të të gjitha dokumentave për tranzitin dhe blerjen e gazit, do të lihen të lira të gjitha rrugët e tranzitit dhe do të rifillojnë livrimet e gazit në Evropë.“


Më e vonëta të mërkurën (21.1.) gazi rus do të mbërrijë sërish në Evropë. Papritur, pengesat e shumta, të vogla dhe të mëdha gjatë kalimit tranzit të gazit, nuk luajnë më asnjë rol. Kështu të djelën u bë e ditur se Ukraina do të verë vetë në dispozicion gazin teknik, të nevojshëm për transportin. Gjatë javës së kaluar vendi kishte refuzuar dhe kishte kërkuar të njëjtën sasi gazi nga koncerni rus Gazprom. Nga qarqet qeveritare u bë gjithashtu e ditur se vëzhguesit ndërkombëtarë nuk janë më të nevojshëm. Edhe për ta pati ditët e shkuara grindje të gjata dhe të ashpra.


Duket e çuditshme që të gjitha këto probleme u zgjidhën papritur: që Ukraina është e gatshme të paguajë çmimin evropian dhe të heqë dorë nga ndërmjetësit dhe që, Rusia harron akuzat e saj, se Ukraina vjedh gazin rus. Skepticizmi nga ana e BE-së është i kuptueshëm. Evropianët do ta besojnë vërtet se konflikti është zgjidhur, kur gazi të mbërrijë sërish në Evropë. Pretendimet e javëve të kaluara për suksese e kanë rritur mjaft mosbesimin.

(exh/aca)