1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gazetarët në shënjestër kur kriza e Maqedonisë acarohet

Boris Georgievski
4 Mars 2017

Gazetarët po vihen gjithnjë e më shumë në shënjestër të sulmeve, kur kriza në Maqedoni acarohet. Mbështetës të partisë nacionaliste VMRO-DPMNE i sulmojnë gazetarët në mitingje, në restorante e madje edhe në shtëpi.

https://p.dw.com/p/2YcgY
Mazedonien Journalisten Proteste in Skopje
Fotografi: DW/K. Blazevska

Gazetarët janë viktima të sulmeve thuajse të përditshme, në një kohë që kriza politike në Maqedoni po shkallëzohet më tej. Të rinj të maskuar ndeshen me gazetarët në shtëpitë e tyre, në restorante dhe në rrjetet sociale, me sulme verbale madje edhe me dhunë fizike.

Të martën, në 18 shkurt dy reporterë u rrahën nga sulmues të panjohur në qendër të Shkupit, kur po mbulonin një miting të mbështetësve të partisë nacionaliste VMRO-DPMNE. Të dy përfunduan në spital, kurse sulmuesit e tyre nuk u gjetën, si në shumë raste të ngjashme vitet e fundit.

Gazetarët që e raportuan më vonë incidentin në rrjetet sociale u akuzuan si "tradhëtarë" dhe "mercenarë". Fushata kishte si objekt veçanërisht gazetarët e Balkan Investigative Reporting Network (BIRN). Një përdorues anonim i twitterit madje publikoi edhe adresën e shtëpisë së një gazetari të BIRN së bashku me hartën.

Një ditë më vonë, në datën 1 mars, dy të rinj u shfaqën në derën e shtëpisë së Branko Trickovskit, që është një gazetar në pension dhe një kritik i ashpër i VMRO-DPMNE dhe sundimit të saj dhjetëvjeçar në Maqedoni. "Triçkovsi, duhet të kesh turp nga vetja, tradhëtar", bërtiti njëri prej tyre, kurse tjetri qe i zënë me regjistrimin  e sulmit që e publikoi në YouTube.

Të enjten, Borjan Jovanovski, një gazetar tjetër i njohur u sha dhe u pështy kur po hante drekë në një restorant. Në një skenar të ngjashëm, një i ri i tha se ai është "tradhëtar", kur shoku i tij po e regjistronte.

Mazedonien Proteste  in Skopje
Fotografi: Getty Images/AFP/R. Atanasovski

Acarimi më i madh në katër vitet e fundit

Jovanovski dhe shumë prej kolegëve të tij ka vite që përballen me sulme dhe me kërcënime për vdekje, por fushata më e fundit "është një acarim kulmor i ngjarjeve të katër viteve të fundit", thotë Naser Selmani, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, ZNM. Për të nuk ka dyshime se kush është pas valëve të fundit të sulmit.

"Qeveria e Nikola Gruevskit po i koordinon sulmet kundër gazetarëve në mënyrë që të ndalojë raportimin objektiv për ngjarjet në Maqedoni. Unë dua t'i përcjell një mesazh udhëheqësit të VMRO-DPMNE-së Gruevski që t'i tërheqë banditët e tij", tha Selmani. VMRO-DPMNE nuk pranoi të mbajë përgjegjësi për sulmin dhe e akuzoi Selmanin "për gënjeshtra dhe manipulime".

Mazedonien Gjorge Ivanov und Nikola Gruevski
Gruevski me presidentin maqedonas, IvanovFotografi: picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski

Mbi 100 gazetarë rajonalë të Ballkanit të bashkuar në rrjetin informal të gazetarëve shprehën solidaritet me kolegët e tyre maqedonas në një letër. Në të ata thonë se situata mediale në vend "po përkeqësohet". "Kolegët tanë që e bëjnë punën e tyre me profesionalitet janë të ekspozuar pa ndërprerje ndaj kërcënimeve dhe presionit, gjë që rrezikon integritetin e tyre fizik dhe profesional."

Që kur Gruevski dhe partia e tij erdhi në pushtet në Maqedoni në vitin 2006, Maqedonia bëri hapa pas në të gjitha listat e rëndësishme ndërkombëtare që monitorojnë gjendjen e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe të medias. Së bashku me Rusinë dhe Turqinë, Maqedonia është i vetmi vend evropian i renditur si "jo i lirë" nga Freedom House në lidhje me lirinë e medias.

Pa qeveri, pa parlament

VMPRO-DPMNE i fitoi zgjedhjet parlamentare në 16 dhjetor të vitit të kaluar me një shumicë të vogël, por dështoi në formimin e qeverisë, pasi të gjitha partitë politike që përfaqësojnë minoritetin shqiptar të Maqedonisë nuk pranuan të hyjnë në koalicion me Gruevskin. Në vend të kësaj ato ranë dakord që të bashkëpunojnë me socialdemokratët opozitarë, të cilët bënë një fushatë elektorale përfshirëse dhe premtuan të drejta më të mëdha për minoritetin shqiptar të Maqedonisë.

Mazedonien Gjorge Ivanov mit Zoran Zaev
Zoran Zaev me presidentin IvanovFotografi: picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski

Gruevski u bëri thirrje mbështetësve të tij që ta kundërshtojnë formimin e qeverisë së re duke protestuar në rrugë. Ndërsa aleati i tij, Presidenti Gjorge Ivanov refuzoi që t'ia japë mandatin e formimit të qeverisë Zoran Zaevit, liderit të socialdemokratëve.

Zaevi e akuzoi Gruevskin për grusht shteti, ndërsa ekspertët folën për mungesën e ligjit, kur vendi hyn në muajin e tretë pa pasur një qeveri funksionuese dhe pa parlament funksionues.

Gazetarët kanë frikë për jetën e tyre

Gruevski ndërkohë ka shpallur një proces "ç'Sorosizimi" të drejtuar kundër të gjitha NGO-ve dhe mediave të lidhura me miliarderin amerikan George Soros. Një fushatë e drejtuar nga një grup i quajtur "Stop Operation Soros" i paraqet NGO-të dhe mediet e pavarura si tradhëtare dhe mercenare të huaja, në përputhje me deklaratat e fundit të Gruevskit. 

Me krizën që nuk po i duket fundit, gazetarët druhen edhe për jetën e tyre. "Dhuna verbale e nxitur në mënyrë të vazhdueshme nga qeveria po përhap metastaza në një situatë, në të cilën gazetarët dhe punonjësit e medieve nuk janë më të sigurtë, as në vendin e punës dhe as në shtëpitë e tyre" i tha DW Tamara Causidis, kryetare e Indipendent Trade Union of Journalists.