1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gazetarja fiton çështjen kundër Turqisë në Strasburg

14 Dhjetor 2021

Gazetaren e njohur Nazli Ilicak e mbajtën në paraburgim për një kohë të gjatë pas përpjekjes për grusht shteti të vitit 2016. Kjo ishte e paligjshme, vendosi Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

https://p.dw.com/p/44GAi
Nazli Ilicak
Fotografi: IHLAS/AFP/Getty Images

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka dënuar Turqinë për paraburgimin e gjatë të gazetares së njohur kritike të qeverisë, Nazli Ilicak. Gjykata e Strasburgut vlerëson se nuk kishte arsye të besueshme për të dyshuar se Ilicak mbështeste terrorizmin për shkak të veprimtarisë së saj si gazetare.

Për më tepër, Turqia shkeli të drejtat e njeriut të Ilicakut për liri dhe siguri përmes paraburgimit të saj të gjatë para gjyqit. E drejta e saj për lirinë e shprehjes ishte gjithashtu e kufizuar. Turqia tani duhet të paguajë 16 mijë euro dëmshpërblim për këtë grua 77-vjeçare. Megjithatë, vendimi nuk është ende i formës së prerë: të dy palët kanë tre muaj kohë për ta kundërshtuar atë.

Tre vjet paraburgim

Europäischer Gerichtshof für Menschenrechte (EGMR) – Menschen vor dem Eingang
Fotografi: DW/D.Grathwohl

Në vitin 2019, Ilicaku u lirua me kushte, pasi u burgos dhe u mbajt në burg pa një gjyq përfundimtar pas tentativës për grusht shteti të vitit 2016. Një vendim tashmë i marrë është rrëzuar dhe kundër saj po përgatitet një proces tjetër. Ajo u akuzua si anëtare e një organizate terroriste, sepse në atë kohë punonte për media të afërta me predikuesin Fethullah Gylen. Shërbimet shtetërore turke dyshojnë se ky i fundit ka qenë nxitës i përpjekjes për të rrëzuar presidentin Rexhep Tajip Erdogan, e cila dështoi natën e 16 korrikut 2016.

Natën e 16 korrikut 2016, mbështetësit e presidentit Rexhep Tajip Erdogan e kthyen fletën.

Gjatë natës, Ilicaku kishte shkruar postime në Twitter në të cilat kishte vënë në dyshim autorësinë e grushtit të shtetit nga lëvizja Gylen. GJEDNJ i shqyrtoi këto postime në Twitter dhe tha se ato nuk e legjitimojnë puçin, as nuk nxisin akte terroriste apo dhunë.

Në nëntor, GJEDNJ e kishte dënuar tashmë Turqinë për ndalimin e paligjshëm të 427 avokatëve në lidhje me tentativën për grusht shteti në vitin 2016 dhe kishte dhënë dëmshpërblim prej 5.000 euro për secilin prej të interesuarve.

aud (dw, dpa)