1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gazetaria hulumtuese has pengesa në Kosovë

1 Prill 2009

Në Kosovë akoma mungon liria e shprehjes. Më të rrezikuarit janë gazetarët, që zhvillojnë tema hulumtuese.

https://p.dw.com/p/HNkF
Gazetarë të mediave të huaja në Kosovë
Gazetarë të mediave të huaja në KosovëFotografi: picture-alliance / dpa

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës ka evidentuar dhjetëra raste, kur gazetarët janë penguar në punën e tyre, janë kërcënuar në disa raste edhe janë rrahur. Vetëm gjatë vitit 2008 kjo organizatë ka regjistruar 12 raste, ku gazetarët kosovarë kanë qenë viktima të dhunës. Lajmi është i mirë, lajmi është i keq, më rëndësi është të thuhet e vërteta. Është kjo një shprehje e njohur në profesionin e gazetarit. Mirëpo jo gjithmonë gazetarët mund të arrijnë, që ta thonë të vërtetën. Kjo sepse ata kërcënohen nga grupe të ndryshme interesi, në shumë raste edhe nga zyrtarë institucionalë, të cilët nuk dëshirojnë, që e vërteta të thuhet.

Valdete Osmani, një gazetare e një të përditshme e kosovare, ka qenë viktimë e dhunës, që i është bërë nga policia dhe një kompani private sigurimi në Bibliotekën kombetare të Prishtinës. Në një rast kohë më parë ajo ka bërë disa fotografi gjatë një përleshjeje ndërmjet punonjësve të sigurimit të Bibliotekës kombëtare dhe disa studentëve të besimit islam, të cilët kanë dashur që në bibliotekën kombëtare të kryejnë ceremoni fetare. Valdetës i merret aparati fotografik nga punonjësit e sigurimit dhe policia e Kosovës dhe fotot e saj zhduken. “Në këtë rast unë jam ndjerë shumë keq, sepse unë nuk e kam penguar policinë dhe as punonjësit e sigurimit në punën e tyre, ndërsa ata me kanë penguar mua, madje m´i kanë zhdukur edhe fotografitë. Kjo është zhgënjyese, sepse nëse në një institucion publik ndodh kjo, merreni me mënd se çfarë mund të ndodhë, nëse një gazetar zhvillon një temë hulumtuese, ku preken grupet e interesit”, thotë Valdete Osmani.

Ka edhe dhjetëra raste të tjera, kur gazetarët kosovarë janë penguar në punën e tyre, janë rrahur dhe janë kërcënuar. Janë 12 raste të evidentuara vetëm gjatë vitit 2008 nga Asociacinoni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës. Bul Salihu, anëtar bordi i këtij asociacioni, thotë se gazetaria profesionale nuk duhet kuptuar si kërcënim ndaj tjetrit, por si kritikë dhe lajm për të vërtetën. “Shumë gazetarë, që tentojnë të bëjnë gazetari profesionale, hulumtuese dhe të paanshme shpesh herë hasin në pengesa të ndryshme, sepse qeveritarët, partitë politike dhe grupe të ndryshme interesi nuk dëshirojnë që e vërteta të dalë në shesh. Fatkeqësia është se institucionet e Kosovës dhe grupet e interesit nuk e kuptojnë rolin e mediave. Ata medojnë se mediat duhet të jenë në shërbim të tyre dhe në këtë rast e vërteta është krejt ndryshe, sepse mediat duhet të jenë në shërbim të fjalës së lirë dhe qytetarëve," thotë Bul Salihu.

Shumë organizata ndërkombërare, që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe të drejtat e gazetarëve në raportet e tyre kanë qenë kritike për lirinë e shprehjes në Kosovë. Organizata amerikane Fredon Hauese, kritikon në raportin e saj të fundit institucionet e Kosovës se po ushtrojnë ndikim tek mediat. Madje kjo organizatë e ka renditur Kosovën, si të vetmin vend jo të lirë në Evropë. Zyrtarët qeveritarë thonë se kategorizimi, që i është bërë Kosovës se nuk ka liri të shprehjes nuk është i saktë, ndërsa rastet kur gazetarët janë kërcënuar për punën e tyre, qeveria i cilëson raste të izoluara, që megjithatë nuk duhet të ndodhin.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica