1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

240211 Rumänien Bulgarien Schengen

24 Shkurt 2011

Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së të enjten (24.02.2011) diskutojnë në Bruksel mbi politikën e përbashkët të migracionit. Një temë e rëndësishme është edhe pranimi i Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen

https://p.dw.com/p/10Oyd
Tabela e ShengenitFotografi: picture-alliance/ dpa

Stacioni i trenit Ungheni në kufirin rumuno-moldav, një nga kufijtë e jashtëm të BE-së. Një tren nga Moldavia mbërrin në stacion. Komisari rumun i policisë kufitare Gigi Gramada kontrollon pasagjerët.

"Kur vjen treni, policia dhe doganierët ndahen në dy grupe. Njëri kontrollon trenin në fillim, ndërsa të tjerët kontrollojnë vagonat e fundit, të dy grupet takohemi në mesin e trenit pasi e kemi përfunduar kontrollin."

Kur zbresim nga treni ndonjëherë marrim me vete edhe pasagjerë të dyshimtë. Një problem i madh është kontrabanda.

Rumänien Grenzschild Schengen Grenze nach Moldawien
Tabelë e Shengenit në kufi me RumaninëFotografi: AP

Cigaret dhe antibiotikët - mallrat më të preferuara të kontrabandës

Cigaret shiten si në Rumani ashtu edhe në vendet e Evropës Perëndimore. Kjo ndodh relativisht pa kontrolle, ndonëse Rumania ende nuk është anëtare e zonës Shengen. Policia gjermane prej kohësh është në dijeni për kontrabandën e cigareve, përmes së cilës kalojnë në rrugën drejt Gjermanisë edhe tableta të fallsifikuara për forcimin e muskujve dhe që përdoren prej atyre që duan të formojnë trupin dhe nëpër studiot e fitnesit. Sidoqoftë ndonjëherë kontrollet kufitare janë efektive.

Infografik Karte Schengengebiet Schengen Area Englisch
Harta e zonës së Shengenit

Në fillim të javës prokuroria e antikorrupsionit pas vëzhgimit disajavor arrestoi gati 60 doganierë dhe policë të kufirit në Albita në kufirin moldav. Qysh prej fillimit të shkurtit janë arrestuar rreth 150 nëpunës rumun të kufirit të dyshuar për korrupsion. Kjo është një epidemi e vërtetë, ankohet presidenti i Rumanisë Basesku. Opozita ndërkaq akuzon partinë në pushtet se financohet prej kontrabandës së cigareve. Kontrollet e intensifikuara në kufijtë e jashtëm të BE-së duhet t' i dëshmojnë BE-së, se Rumania megjithatë është e përgatitur për anëtarësimin në zonën Shengen. Komisioni i kontrollit - Shengen ndërkohë konfirmoi përmbushjen e plotë të kritereve për mbrojtjen kufitare. Por pavarësisht nga ky konstatim antarësimi u shty për një afat të pacaktuar - kjo u bë edhe nga presioni i ministrit të Brendshëm të Gjermanisë Thomas de Maiziere.

Rumania, mangësi në sistemin juridik - dënime jo konform ligjit

"Marrëveshja Shengen nuk mund të aplikohet, nëse nuk janë plotësuar kushtet teknike dhe ato politike, pra duhet të funksionojnë si sistemi juridik ashtu edhe ai politik. Në rastin konkret ky kriter nuk përmbushet."

Ndonëse prokuroria rumune po heton aktualisht ndaj më se 3.000 të dyshuarve për ryshfet dhe kontrabandë, vetëm 2.000 raste i kanë kaluar drejtësisë. Shpesh herë ndodh që nuk jepen dënime konform ligjit. Probleme ka edhe në Ministrinë e Brendëshme. Gjithnjë e më shumë shtetas rumun bëjnë përgjegjëse qeverinë e vet dhe jo Brukselin për faktin, se Rumania ende konsiderohet si e papërgatitur për të hyrë në zonën Shengen.

Bullgaria - boshllëqe në kontrollet e kufijve të jashtëm të BE-së


Symbolbild Sofia Bulgarien
Pamje simbolike, Sifia-kryeqyteti i BullgarisëFotografi: fotolia

E ngjashme është situata edhe në Bullgari. Një ligj efikas për luftën kundër korrupsionit pritet të miratohet në verë, ndonëse ka një intensifikim të luftës ndaj korrupsionit. Në Bullgari ka pasur dënime ndaj nëpunësve të korruptuar, por njëkohësisht ka pasur edhe çlirim nga akuza për raste personalitetesh të njohura, gjë që në Bruksel shihet me dyshim. Në Komisionin e BE-së nuk gjen jehonë pozitive as mënyra që ka zgjedhur kryeministri bullgar Bojko Borisov, për parandalimin e korrupsionit në nivelet qeveritare duke vendosur masat e përgjimit nëpër ministri. Ja se si e argumenton ai këtë:

"Unë nuk dua, që ministrat e mi të organizojnë midis tyre komplote. Në këtë mënyrë ata as nuk mund të bëjnë kontrabandë dhe as biznese të dyshimta. Ata janë në detyrë për katër vjet dhe gjatë kësaj periudhe duhet të japin maksimumin e tyre. Ata nuk kanë kohë për të vendosur miqësira."

Por shumë bullgarë shtrojnë pyetjen, se çfarë kanë të bëjnë këto masa me anëtarësimin në zonën Shengen. Në Bullgari ende ka boshllëqe në kontrollet e kufijve të jashtëm të BE-së. Por njerëzit ndiejnë edhe një farë mosbesimi nga ana e Brukselit. Sidoqoftë edhe në Bullgari qytetarët gjithnjë e më shumë bëjnë përgjegjëse qeverinë e tyre për mosrealizimin e anëtarësimit të vendit në zonën Shengen.

Autor: Andreas Meyer-Feist/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi