1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Intervista me Safet Gërxhaliun

Bahri Cani26 Tetor 2015

Kosova nënshkruan të martën (27.10) Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Mbi shanset, sfidat e detyrat e reja për Kosovën flet për DW, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

https://p.dw.com/p/1GuBg
Safet Gerxhaliu
Safet GerxhaliuFotografi: Privat

Deutsche Welle: Zoti Gërxhaliu, cilat janë pritshmëritë Tuaja nga nënshkrimi i MSA mes BE dhe Kosovës në Strasburg? Cila është domethënia e këtij nënshkrimi në këtë moment delikat për Kosovën?

Safet Gërxhaliu: Arritja dhe nënshkrimi i MSA është një ndër arritjet më të mëdha të Kosovës prej shpalljes së pavarësisë, sepse kjo Marrëveshje ka rëndësi multidimensionale: ekonomike, politike, strategjike dhe integruese. Por ka dhe një dimension shumë të rëndësishëm psikologjik, sepse ajo ndihmon përmirësimin e imazhit të Kosovës dhe ndryshon perceptimin e krijuar kohët e fundit pë Kosovën. MSA duhet të shfrytëzohet për të promovuar vlerat ekonomike të Kosovës, si një destinacion për investime të huaja. Kjo është një mundësi për të përmirësuar bilancin e eksportit të prodhimeve "Made in Kosova". Kosova duhet të eksportojë mallra dhe jo para, sepse për fat të keq, ajo aktualisht importon 90 % të produkteve që shfrytëzohen për nevojat e saj. Marrëveshja mundëson që të kemi edhe një import të produkteve evropiane me kualitet të lartë dhe të çertifikuara dhe ate me një çmim prej 10 % më të lirë për shkak të TVSH. Këto zhvillime hapin mundësi për të forcuar sektorin privat, sektorin e prodhimit dhe për të internacionalizuar ndërmarrjet vendore. Njëkohësisht hapet edhe mundësia e kalimit nga forma klasike e të bërit biznes në modele moderne, që nënkupton edhe partneritet ekonomik evropian dhe faktorizim në sektorin global.

DW: Kosova ka probleme të mëdha ekonomike në shumë fusha por në cilat fusha do të ketë më së shumti probleme me zbatimin e MSA, sepse ajo nënkupton edhe obligimin e reformave?

Kosova duhet të ketë katër priorite në të ardhmen, të cilat fillojnë me shkronjën E: Evropa, Edukimi, Ekonomia dhe "Environment (mjedisi). Nëse mendohet seriozisht me implementimin e tyre, atëherë duhet të fuqizohet sundimi i rendit dhe ligjit, sepse pa sundimin e rendit dhe ligjit, nuk mund të ketë as integrim evropian. Një rëndësi e madhe duhet t'i kushtohet edhe integrimit ekonomik, që nënkupton standardizim, çertifikim, licencim, menaxhment kualitativ dhe kritere të tjera. Për arritjen e këtyre kritereve, kërkohet edukim me kualitet të lartë dhe ndërprerje e akademizimit të të rinjve. Duhet të kalohet në edukim dhe aftësim profesional dhe të kuptohet se ruajtja e mjedisit nënkupton përmbushjen e standardeve sipas Protokollit të Kiotos, që ka një agjendë 20 - 20 - 20. Të gjitha këto mund të rrisin konkurrueshmërinë e Kosovës në tregjet e tjera dhe të mundësojnë rritjen e kualitetit të prodhimit dhe shërbimeve kosovare. Zhvillimi ekonomik i Kosovës, i bazuar në indikatorë realë, mundëson edhe stabilitetin social dhe politik e do të përshpejtonte proceset integruese evropiane. MSA hap mundësi të mëdha në këtë drejtim. Por, po e përsëris: vetëm sundimi i rendit dhe i ligjit garanton suksesin e implementimit të MSA..

Safet Gerxhaliu
Safet GerxhaliuFotografi: Privat

DW: Por Kosova tani ka probleme të mëdha ekonomike dhe konsiderohet si vendi më i varfër në Evropë. Sa mund të jetë niveli ekonomik pengesë në zbatimin e MSA dhe ku mund të priten përmirësime të shpejta?

Safet Gërxhaliu: Është e vërtetë që Kosova po ballafaqohet me sfida të shumta ekonomike, të cilat gjenerojnë edhe probleme të natyrës sociale, politike, integruese... Ndaj prioriteti kryesor i Kosovës duhet të jetë zhvillimi ekonomik, sepse vetëm kështu mund të hapen vende të reja pune, mund të rritet bilanci i pagesave dhe të rritet prodhimi bruto në vend. Kjo është e domosdoshme, sepse Kosova ka sot një nivel tepër të lartë të varfërisë, e cila për fat të keq madje edhe po shtohet. Në veçanti varfëria ekstreme, e cila aktualisht në Kosovë përfshin 18% të popullatës që jeton me më pak se 1 Euro në ditë. Kosova duhet të rrisë cilësinë e prodhimit vendor dhe të avancojë partneritetin tregtar në rend të parë me vendet e rajonit, që si synim duhet të ketë efektin win-win - fitim i dyanshëm.

DW: Kur merren parasysh të gjitha këto që përmendët më lart, a mendoni se Kosova është në gjendje t'u përgjigjet kërkesave për reforma që dalin nga kjo Marrëveshje?

Safet Gërxhaliu: Në vitet e pasluftës është krijuar një kornizë ligjore e bazuar dhe harmonizuar me standardet evropiane. Kjo platformë lehtëson zbatimin e obligimeve që rrjedhin nga MSA. Kosova ka ende probleme të mëdha me zbatimin e ligjeve të miratuara, të cilat shpesh shërbejnë vetëm si dekor. Por besoj se partneriteti me BE dhe angazhimi i fuqishëm drejt sundimit të rendit dhe ligjit duhet të jenë ndër prioritetet kryesore për të gjithë ne. Alternativë tjetër nuk ka dhe besoj se me angazhimin e plotë të të gjithëve, Kosova mund të shndërrohet në një partner të denjë dhe të besueshëm, i cili mund të zbatojë edhe obligimet e mëdha që dalin nga kjo Marrëveshje kaq domethënëse për ardhmërinë e Kosovës.