Futbolli si katalizator për t′u dhënë shtytje proceseve të rëndësishme shoqërore | Gjermania | DW | 31.08.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Futbolli si katalizator për t'u dhënë shtytje proceseve të rëndësishme shoqërore

Në prag të kampionatit botëror të futbollit 2006 në Gjermani do të mbështeten projekte mbarëbotërore, të cilat e përdorin futbollin si stimul për luftimin e varfërisë në radhët e të rinjve, për nxitjen e mirëkuptimit midis popujve dhe për sqarimin mbi rreziqet shëndetsore

street football / futbolli i luajtur në rrugë

street football / futbolli i luajtur në rrugë

Ndonjëherë futbolli bëhet edhe i shëmtuar e brutal. Faulle të egra mbi bar dhe në shkallët e stadiumeve huliganë që shajnë e prishin, rrahje dhe hedhje objektesh që digjen nga tribunat e tifozëve. Turne futbolli dramatikë të futbollistëve profesionistë shumë të paguar si pretekst për përdorim dhune: për fat të keq kjo gjë ndodh shpesh. E megjithatë, për shumicën e sportdashësve në mbarë botën futbolli është një sport që të bën për vete: një konkurrim që zhvillohet me ashpërsi, por brenda kufijve, i cili bashkon njerëz që kanë të njëjtin pasion: futbollin, dhe shkakton gjithnjë shpërthime në entuziazëm.

Por eufori futbolli nuk ka vetëm në arenat e mëdha profesioniste Edhe loja privatisht nëpër rrugë, hyrje garazhesh ose në fusha të zeza është gjithandej popullore. Kështu edhe në Irakun e shkatërruar nga lufta. Bernd Stange, ish-trajner i ekipit kombëtar irakian, kujton:

"Kur qëndroni mbi taracën e hotelit Palestina ose të atij Sheraton, dy ndërtesat më të larta në Bagdad, atëherë në çdo fushë loje dhe në çdo vendparkim të asfaltuar shihni fëmijë e të rritur që luajnë futboll. Me topa të vjetër. Kjo është në fakt baza e futbollit irakian: futbolli i rrugës. Sa të sheh syri luhet futboll."

Personat përgjegjës për "Streetfootballworld" janë të sigurtë: forca tërheqëse e futbollit në mbarë botën është aq e madhe saqë ky sport përshtatet si katalizator për t'u dhënë shtytje proceseve të rëndësishme shoqërore. Projektet e futbollit në rrugë, mendojnë ata, mund të ndihmojnë jo vetëm të rinjtë në kushte të vështira sociale që të integrohen në shoqëri. Në rastin më të mirë ato mund të ndërtojnë ura lidhëse midis popujve në armiqësi, si për shembull në Lindjen e Afërme, ku që prej dy vjetësh qendra e krijuar nga ish-kryeministri izraelit, mbajtësi i Çmimit Nobel për Paqe Schimon Peres, "Peres Center for Peace" administron dy shkolla të përbashkëta futbolli për të rinj palestinezë dhe izraelitë.

"Streetfootballworld" i ka vënë vetes si synim që të ndërlidhë projekte të tilla dhe të ngjashme të futbollit të rrugës me dobi për shoqërinë. Qoftë futbolli i rrugës në Kenia, Brazil, Afganistan apo Gjermani: nisma e krijuar nga "Fondacioni gjerman Futbolli Rinor" bashkon ata, që lojën e futbollit e lidhin me një synim të caktuar shoqëror. Aktualisht janë rreth 150.000 lojtarë të rinj të angazhuar në 50 projekte në mbarë botën. Manaxheri i "Streetfootballworld" Jürgen Griesbeck:

"Futbolli përdoret për t'i futur njerëzit në një gjendje dialogu, për të tërhequr vëmendjen e tyre, pasi të motivon. Ai vë në lëvizje njerëz, të cilët normalisht nuk takohen, qoftë sepse nuk e pëlqejnë njëri-tjetrin, qoftë sepse nuk entuziazmohen nga asgjë. Ose sepse nuk i mirëpresin fushatat, si në rastin e sqarimit shëndetsor për arsye fetare, kulturore ose sociale."

  • Data 31.08.2004
  • Autor Rainer Sollich
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar5s
  • Data 31.08.2004
  • Autor Rainer Sollich
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar5s