1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fushata e Putinit

23 Shkurt 2012

Dhjetë ditë para zhvillimit të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Rusi, Vladimir Putin i premtoi fitore idhtarëve të tij. Ky ishte manifestimi i fundit i madh para zgjedhjeve më 4 mars

https://p.dw.com/p/148qD
Fotografi: Reuters

Një det me flamuj, njerëz që brohorisnin, entuziazëm pa fut, kudo ngjyrat e flamurit rus, e bardhë, e kuqe dhe blu: Stadiumi i futbollit në Moskë, që zë gati 83 mijë shikues, ishte mbushur plot. Në fushën e lojës ndodheshin edhe 20 mijë idhtarë të tjerë, dhjetra mijëra duhet të qëndronin jashtë stadiumit dhe të prisnin që të kalonte kandidati i tyre i preferuar, Vladimir Putin: "Unë përshëndes të gjithë ata që ndodhen sot këtu. Është simbolike që ne të mblidhemi këtu në ditën e "mbrojtësve të atdheut". Ne do të dimë edhe në të ardhmen të mbrojme vendin tonë. Unë nuk dyshoj se pyetjes a e doni Rusinë ju i përgjigjeni me "Po"."

Deri në minutën e fundit nuk dihej nëse Putini do të merrte pjesë në këtë aksion të madh. Deri tani ai nuk ka marrë pjesë në fushatë elektorale, edhe fjalimi i tij ditën e enjte (23.02.) nuk zgjati më shumë se dhjetë minuta dhe ishte i mbushur me emocione: "Në Rusi jetojnë më shumë se 140 milionë vetë. Ne këtu jemi një komb i madh. Dhe ne nuk lejojmë të na pengojnë vullnetin tonë. Sepse ne jemi populli i fitoreve. Prandaj unë ju pyes: A do të fitojmë?“

Pamje ilustruese
Pamje ilustrueseFotografi: Reuters

Edhe kësaj here përgjigja ishte e qartë. Shfaqja e tij e shoqëruar me muzikë, ishte organizuar më së miri, po ashtu si i gjithë aktiviteti. Qindra autobuzë ndodheshin në rrugët anash lumit Moskwa. Aty u nxorrën çaj dhe biskota, ndryshe nga demotratat kundër Putinit. Shumë nga të pranishmit janë idhtarë të kryeministrit aktual, si përshembull ky 62 vjeçar nga Moska: "Unë jam për stabilitet. Unë nuk dua ndryshime. Ne kemi patur sa të duash revolucione. Rusët nuk janë pjekur për demokracinë, ky është mendimi im.“

Sipas prognozave dhe sondazheve të zgjedhjeve, Vladimir Putini do të fitojë që në raundin e parë të zgjedhjeve me më shumë se 50 përqind të votave.

Autorë: Agj. / Aida Cama

Redaktoi: Esat Ahmeti