1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

130109 Ukraine Russland EU

Christina Nagel14 Janar 2009

Pak pas rifillimit të livrimeve të gazit rus nëpërmjet Ukrainës drejt shteteve të Bashkimit Evropian këto u ndërprenë sërish ditën e martë. Ukraina bëri të ditur të mërkurën se nuk do të përcjellë gaz rus drejt BE-së.

https://p.dw.com/p/GYGP
Pamje simbolike e konfliktit për gazinFotografi: AP/DW Fotomontage: Albrecht Schrader

Gëzimi për rifillimin e livrimeve të gazit në Evropë zgjati shkurt. Që dje pasdite u bë e qartë se në Evropë mbërrin pak ose aspak gaz. Dhe kjo megjithëse Gazpromi e hapi rubinetin në mëngjes, siç kishte premtuar. Aleksej Fjodorov, kontrollor në stacionin rus të gazit Suxha, konstatoi:"Në momentin e parë vëllimi i gazit këtu ishte rreth 1,5 milionë metër kub. Me kalimin e kohës ra vëllimi dhe u rrit trysnia. Në orën 12:48 vëllimi i gazit arriti zero. Me trysni të ekuilibruar; kjo do të thotë që Ukraina nuk garanton tranzitin e gazit nëpërmjet territorit të saj për blerësit evropianë."

Kryeministri rus Vladimir Putin njoftoi zyrtarisht presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso se, Ukraina bllokon tranzitin e gazit. Vëzhguesit ndërkombëtarë konfirmuan që në rrjetin rus ka trysni dhe në atë ukrainas jo.

Wladimir Putin Fernsehansprache
Vladimir PutinFotografi: AP

Kievi fajëson Rusinë

Koncerni ukrainas i gazit Naftogas deklaroi më vonë në faqen e vet të internetit se për arsye teknike nuk po përcillet gaz tranzit. Së pari ishin bërë të ditura tepër vonë të dhënat për kohën dhe sasinë e livruar. Së dyti trysnia në rrjet ishte e pamjaftueshme për të garantuar përcjelljen, u tha. Presidenti ukrainas kishte gati pasdite vonë një shpjegim tjetër për bllokadën e gazit. Sipas tij, Rusia kishte zgjedhur një itinerar krejt të papërshtatshëm. Drejtori i Naftogasit Oleg Dubina e bëri të vetin këtë shpjegim: "Fatkeqësisht sot është absolutisht e pamundur që të përcillet vëllimi i ofruar nga Gazpromi prej 75 milionë metër kub. Nuk është se ne jemi parimisht jo të gatshëm për këtë, por qëkurse Rusia ka ndaluar gazin tranzit ne e kemi shfrytëzuar rrjetin për livrime brenda vendit. Sikur ta përmbushnim porosinë e Gazpromit shumë rajone tek ne do të ishin pa gaz."

Verhandlungen in Brüssel zum Gasstreit
Presidenti i Shoqërisë ukrainase Naftogas, Oleh DubinaFotografi: AP

Moska nuk i pranon justfikimet e Kievit

Drejtori i Gazpromit Miller e konsideron të pakuptimtë këtë shpjegim. Deri tani ky tubacion ka qenë i destinuar vetëm për tranzitin. Nuk ka arsye bindëse për Ukrainën që të mos e përcjellë gazin, tha ai.Për kryeministrin rus Putin është e qartë: Ukraina shkel marrëveshjen e arritur me shumë mund, që rregullon tranzitin e gazit në vendet blerëse në Bashkimin Evropian. Kësaj i shtohet fakti që Ukraina u mohon vëzhguesve rusë qasjen në stacionet e kontrollit, e garantuar kjo me kontratë.

Putini i bëri thirrje BE-së në një telefonatë me presidentin e Komisionit Evropian Barroso që të ushtrojë ndikim mbi Kievin. Sipas tij, trysni duhet të bëhet edhe prej kryeministrave të disa vendeve të prekura veçanërisht prej krizës."Sapo telefonova me kryeministrat e Bullgarisë dhe të Sllovakisë. Të dy kolegët shprehën dëshirën për të ardhur në Moskë për t'u bindur në vend se si qëndrojnë gjërat."

BE në kufijtë e durimit

Ndërkohë Bashkimi Evropian paralajmëroi se do t'i ndëshkonte rëndë vonesat e tjera. Rusia shikon tani me padurim nga Perëndimi, pasi deri tani BE-ja ka treguar shumë durim dhe mirëkuptim ndaj Ukrainës. Mirëpo kjo e fundit bëri të ditur të mërkurën se nuk do të përcjellë gaz rus drejt BE-së.

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë