1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fundjavë e përgjakshme për bundesverin në Afganistan

3 Prill 2010

Ushtarët e Bundesverit kanë vrarë pa dashje pesë ushtarë afganë, pak orë pas vrasjes së ushtarëve gjermanë në afërsi të Kundusit. Ndërkohë politika gjermane reagon e tronditur pas vrasjes së tre ushtarëve gjermanë.

https://p.dw.com/p/MmU6
Ushtar gjerman në AfghanistanFotografi: AP

Komanda drejtuese e misionit në Potsdam njoftoi të shtunën për incidentin e vrasjes pa dashje së pesë ushtarëve afganë. Në afërsi të Kundusit dy automjete civile kishin lëvizur në drejtim të një grupi ushtarësh gjermanë dhe nuk kishin ndaluar për kontroll.

Ndërkohë opinioni gjerman është i tronditur nga vrasja e tre ushtarëve të bundesverit. Sipas informacioneve të ARD-së, ushtarët e bundesverit ishin duke kontrolluar një rrugë për mina, kur ranë në një kurth të talebanëve islamistë. Tre ushtarë humbën jetën në një këmbim zjarri, ndërsa tetë të tjerë u plagosën. Katër prej tyre morën plagë të rënda në luftimet disaorëshe me talebanët islamistë në Çar Dahar pranë Kundusit. Një pjesë e tyre do të kthehen që të shtunën në Gjermani. Çar Dahar njihet si një nga më të rrezikshmit ndër të gjashtë rajonet e provincës veriore afgane, Kundus.

Reagime nga politika gjermane

Të prekur thellë dhe të tronditur. Ky ka qenë reagimi i qeverisë dhe opozitës gjermane pas vrasjes së tre ushtarëve gjermanë në luftimet e ashpra me kryengritësit. Kancelarja gjermane, Angela Merkel e dënoi ashpër "sulmin e pabesë". Në një deklaratë të së premtes Merkel shprehet se "ka dëgjuar me tronditje të thellë për sulmin e pabesë dhe të përbuzshëm ndaj ushtarëve tanë në Afganistan." ´

Angela Merkel Treffen vor Gipfel in Brüssel
Kancelarja gjermane, Angela MerkelFotografi: picture alliance / dpa

Ndërsa ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl Theodor zu Gutenberg ndërpreu pushimet e pashkëve në Afrikën e Jugut për t'u kthyer në Gjermani." Në deklaratën e tij zu Gutenberg thekson se "i prekur thellë dëgjoi për vrasjen dhe plagosjen e ushtarëve gjermanë në Afganistan." Ministri gjerman në të njëjtën kohë ka vënë në dukje rrezikshmërinë dhe nevojën e misionit gjerman në afganistan.

Pas ngjarjes në Kundus ka reaguar dhe ministri i Jashtëm, Guido Westerwelle, i cili ka shprehur ngushëllimet të afërmve të ushtarëve të vrarë. Ndërsa kryetari i fraksionit të socialdemokratëve (SPD) në bundestag, Frank Walter Steinmeier bëri fjalë për "një sulm burracak dhe të pabesë." Fraksioni i së Majtës në Bundestag kërkoi tërheqjen e menjëhershme të Bundesverit nga Afganistani.

Nuk do të ketë ndryshim strategjie në Afganistan

Komandanti i trupës shumëkombëshe ISAF për veriun, gjeneralbrigade, Frank Leidenberger pas ngjarjes është shprehur se nuk do të ketë ndryshim strategjie në Afganistan.

Leidenberger zum Anschlag in Kundus
Komandanti i trupës gjermane për veriun e Afganistanit, gjeneralbrigade, Frank LeidenbergerFotografi: dpa

"Gjendja është e pandryshuar", tha ai të premten në mbrëmje në shtabin qendror të komandës rajonale të veriut në Masar-i Sharif. "Bundesveri do të përmbushë si më parë detyrën, mbrojtjen e popullatës nga talebanët." Leidenberger e cilësoi gjendjen si "një fazë të vështirë," por ushtria gjermane është në Afganistan për ta përmbyllur me sukses misionin e saj, ka shtuar ai.

Autor: dpa/Lindita Arapi

Redaktoi: Eliana Xhani