1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jugu i Spanjës vuan gjithnjë e më tepër nga mungesa e ujit.

28 Shkurt 2018

Ndryshimi i klimës dhe infrastruktura e vjetruar rrezikojnë ekzistencën e fshatarëve dhe të fermerëve në Jug të Spanjës. Sisteme të reja ujitjeje mund ta lehtësojnë gjendjen, por ndërtimi i tyre është tepër i shtrenjtë.

https://p.dw.com/p/2tRCl
Spanien Dürre im Targus-Fluss
Fotografi: picture-alliance/Zumapress/M. Reino

Ai nuk mendonte se do ta shihte përsëri fshatin e tij. Albito Suarez ishte tetë vjeç, kur iu desh të largohej me gjyshin nga ky vend, La Gueljes de Luna. Për ndërtimin e digës për një rezervuar u desh të përmbytej e gjithë lugina. Shtëpia e Albitos u fundos nën liqen.

"Ja këtu jetonim. Këtu kam kujtimet e mia të fëmijërisë. Këtu luanim në rrugë. Në këtë vend mblidhej gjithë fshati se kjo është rruga drejt autostradës. Ja shihni se çfarë është bërë  tani." - thotë Albito.

Gjashtëdhjetë vjet më vonë, La Guéljes dhe 15 fshatra të tjerë u rishfaqen përsëri, sepse niveli i ujit në liqenin artificial Los Barrios de Luna ka rënë tepër. Ngrohja globale po e godet me forcë gadishullin e thatë dhe të nxehtë të Iberisë. Niveli i ujit të liqeneve artificiale dhe i rezervuarëve arriti disa javë më parë në të gjithë Spanjën një pikë historikisht të ulët. Këto liqene furnizojnë pjesë të mëdha të popullsisë me ujë të pijshëm dhe fermerët vaditin me ujin fushat e tyre.

Dürre in Spanien - Stausee p178
Fotografi: dpa

Albito Suárez është i zemëruar. Ai thotë se uji i çmuar shpërdorohet pa nevojë: "Thatësira mund të luftohet shumë mirë, nëse harton një politikë të mirë për ujin, nëse e organizon ujitjen e fushave siç duhet, nëse modernizon sistemet. Por pikërisht në këtë pikë dështojmë."

Sisteme ujitjeje të vjetëruara

Vërtet që pjesë të mëdha të sistemeve të ujites në Spanjë janë të vjetëruara. Nga pranvera deri në vjeshtë uji i rezervuarëve transportohet në fusha përmes kanalesh të hapura. Për këtë shkak shumë ujë avullon gjatë rrugës. Edhe fermeri Guillermo Mantecón, që kultivon në Soto de la Vega grurë, misër, patate dhe karrota, e di këtë. "Këtu gjithçka është e vjetëruar. Këto kanale ujitjeje janë ngritur para më shumë se dyzet vjetësh. Ato kanë të çara dhe rrjedhin, dhe rreth dhjetë për qind e ujit këtu te unë shkon dëm. Por ka dhe kanale edhe më të vjetra ku humbja shkon deri në dyzet për qind." - tregon Guillermo Mantecón.

Afghanistan Wasserkanal in Takhar
Fotografi: DW

Ai është pro modernizimit të sistemit të ujitjes, por nuk mund të vendosë i vetëm që kanalet prej betoni të zëvendësohen prej tubash plastikë, që shtrohen nën tokë. Për këtë duhet të vendosë së shpejti Shoqata Rajonale e Fermerëve. Por shumë prej tyre nuk duan t'i mbajnë vetë shpenzimet për investimet dhe ndjehen të braktisur nga politika. "Gjithnjë e më shumë subvencione po ndërpriten. Nëse do të kishte më shumë subvensionime, patjetër që për modernizimin do të votonin më shumë fermerë. Shumë prej tyre kanë frikë nga shpenzimet e larta." - thotë Guillermo Mantecón.

Jo vetëm problem ekonomik

Qeveria rajonale e Kastiljes dhe Leonit dëshiron ta mbështesë modernizimin e sistemeve të ujitjes me 600 milionë euro, por ministrja e Bujqësisë së kësaj qeverie, Milagros Marcos, vë një kusht: "Ne kërkojmë nga fermerët që t'i bashkojnë zonat e kultivuara në mënyrë që secila nga parcelat të ketë një madhësi minimale për të përdorur sisteme moderne për ujitjen. Por shumë syresh nuk e duan këtë, sepse e ndejnë veten të lidhur me tokat e tyre. Pra këtu nuk kemi vetëm një problem ekonomik, por edhe kulturor."

Dürre Spanien Landschaft Weg Pilgerweg Santibanez de Valdeigles Kastilien Umwelt Klima
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Vahlsing

Për një sistem modern ujitjeje dhe për të kursyer ujë fermerët duhet të heqin dorë pra nga kufijtë e trojeve të tyre. Por Albito Suárez nuk beson se politika mund t'i bindë të gjithë fermerët që të heqin dorë nga mentaliteti i tyre. Ndërkohë që kjo është urgjentisht e nevojshme. "Uji shpërdorohet në kurriz të të gjithë atyre që kontribuan për krijimin e kësaj pasurie, të këtij rezervuari këtu. Kjo më brengos, sigurisht. Pse kemi bërë  kaq shumë sakrifica, nëse nuk jemi në gjendje ta vlerësojmë këtë sot?" - thotëme trishtim Albito.