1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Frontet në NATO janë ashpërsuar

Sybille Golte11 Mars 2008

Sipas një raporti të OKB-së dhuna në Afganistan po shtohet. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, kërkoi në konferencën e komandantëve të Nato-s që gjermanët të shkojnë në jug të Afganistanit.

https://p.dw.com/p/DMqJ
Themenbild KommentarFotografi: DW

Për rolin e saj në NATO nuk duhet t´ia kesh zili momentalisht Angela Merkelit. Kurdo që takon përfaqësues të lartë të NATOs ajo konfrontohet me kërkesën për të dërguar trupa në jugun e Afganistanit, ku luftohet. Për partnerët në NATO një kërkesë logjike, siç e tha të hënën në Berlin Sekretari i përgjithshëm i NATO-s. Nuk është e mundur, tha Jaap de Hoop Scheffer, që disa anëtarë të aleancës të luftojnë dhe të tjerët të përgjigjen vetëm për detyra civile.

Nga ana tjetër Angela Merkel e di fare mirë, se për dergimin e ushtarëve të Bundeswehrit në jug të Afganistanit momentalisht mungon shumica parlamentare. Edhe për këtë ka shkaqe logjike. Shtresa të tëra të shoqërisë janë kundër një misioni të tillë. Sa më të këqija lajmet nga Afganistani, aq më i madh kundërshtimit. Kush del kundër misionit në Afganistan tani si përshembull të majtët në Gjermani, mbledh pikë për zgjedhjet parlamentare të 2009-ës.

Angela Merkel ka të drejtë kur këmbëngul për gërshetimin e angazhimit civil me sigurinë ushtarake. Me këtë ajo nuk siguron vetëm aprovimin e parlamentit të saj. Vetëm kështu mund të luftohen në periudhë afatgjatë talibanët në Afganistan. E kuptueshme është edhe që partnerët e tjerë në NATO nuk duan ta përballojnë të vetëm pjesën e rrezikshme të strategjisë. Edhe në vendet e tyre po bie mbështetja për operacionin në Afganistan.

Një dilemë klasike. Si do që të vendosë Merkel pasojat janë të pakëndshme. Për një mision gjerman në jug nuk ekziston në mëment shumica parlamentare. Nga ana tjetër rritet presioni nga partnerët në NATO. Në mbledhjen e komandantëve në Berlin u shty debati për rolin gjerman. Por më së voni në samitin e NATO-s në Bukuresht do të jetë në rend të ditës.

Debatin e nxehin edhe shifrat e fundit, që publikoi së fundi OKB-ja. Vitin e fundit dhuna në Afganistan është rritur në mënyrë dramatike, ajo është në nivelin më të lartë që prej fillimit të invazionit amerikan para shtatë vjetësh. Ndarja e barrës në aleancë është vetëm faseta e problemit në përgjithësi. Më problematike është se strategjia e deritanishme nuk ka sjellë siç duket rezultatet e dëshëruara.

"Liria e Gjermanisë mbrohet edhe në Hindukush," kështu pat pohuar ministri i mëparshëm gjerman i mbrojtjes Peter Struck. Ndërkohë është edhe diçka tjetër në lojë. Në Afganistan vendoset tani edhe sa e aftë të veprojë është aleanca më e fuqishme ushtarake e botës. Kritikat nga njëra anë dhe justifikimet nga ana tjetër nuk zëvendësojnë asnjë strategji.

Fundja është edhe qeveria afgane. Pikërisht javën e kaluar ministri i jashtëm Spanta, përsëriti për të disatën herë se duhet kërkuar "Afhanizimi" i ndërtimit të vendit. Samiti i ardhshëm i NATO-s ofron mundësinë, që të mendohet edhe për këtë kërkesë në kontekstin e përmirësimit të strategjisës së përgjithshme, mundësisht sa më parë në Afganistan është pranverë, stina klasike për ofensivat e talibanëve.