Fronte të ngurtësuara në konfliktin në Ukrainë | Bota | DW | 17.01.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Fronte të ngurtësuara në konfliktin në Ukrainë

Rusia dhe Perëndimi vazhdojnë të mbrojnë pozicione "krejtësisht të kundërta", sipas Kremlinit. Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock dëshiron dialog dhe sinjalizon vendosmërinë e saj.

Pavarësisht nga bisedimet e fundit në krizën diplomatike mbi konfliktin ukrainas, Kremlini nuk sheh asnjë afrim midis Rusisë dhe Perëndimit. Qëndrime "plotësisht të kundërta" vazhdojnë për çështje themelore. Kjo është "shqetësuese", tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov në një intervistë me kanalin amerikan të lajmeve CNN.

"Kjo do të ishte çmenduri"

I pyetur për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës, Peskov u përgjigj: "Askush nuk po kërcënon askënd me veprime ushtarake. Kjo do të ishte çmenduri." Por nëse NATO-ja nuk i plotëson kërkesat e Kremlinit, Rusia është "e gatshme të marrë masa shpaguese".

Përballë vendosjes masive të trupave ruse në kufirin me Ukrainën, Perëndimi ka frikë se Rusia aktualisht po përgatit një pushtim të vendit fqinj pas aneksimit të Krimesë në 2014. Këtë Kremlini e kundërshton me vendosmëri. Nga ana e saj, qeveria e Moskës kundërshton pranimin e vendeve të reja të Evropës Lindore në NATO dhe kërkon një garanci që Ukraina nuk do të bëhet kurrë anëtare e aleancës ushtarake perëndimore. Megjithatë, NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara nuk duan të japin asnjë angazhim në këtë drejtim.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov

Dmitry Peskov kërkon mirëkuptim për shqetësimet e Rusisë.

Në lidhje me negociatat e mundshme të mëtejshme, Peskovi tha se Rusia nuk dëshiron "një proces për hir të një procesi". Ne nuk duam të diskutojmë pafundësisht mosmarrëveshjet e opinioneve, por kërkojmë vullnet për të "marrë parasysh shqetësimet tona”.

Qeveria amerikane është e përgatitur për të gjithë skenarët, tha këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit Joe Biden, Jake Sullivan. Nëse Rusia do të ishte e interesuar për një zgjidhje diplomatike, Shtetet e Bashkuara do të ndiqnin këtë rrugë "me të njëjtin ritëm me aleatët tanë". Por Uashingtoni është gjithashtu i gatshëm për një "përgjigje të fortë" nëse konflikti vazhdon të përshkallëzohet dhe Rusia pushton Ukrainën, tha Sullivani.

Baerbock viziton Kievin dhe Moskën

Në mes të kësaj situate të tensionuar, Ministrja Federale e Jashtme Annalena Baerbock udhëtoi për në Ukrainë. Ajo do të takohet këtë të hënë në Kiev me presidentin Volodymyr Zelenskyy dhe homologun e saj Dmytro Kuleba. Më vonë ajo do të udhëtojë për në Rusi, ndërsa të martën në Moskë është planifikuar të takohet me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

Annalena Baerbock dhe Dmytro Kuleba

Annalena Baerbock dhe Dmytro Kuleba

Para se të nisej për në Kiev, Baerbocku tha atje donte ta bënte të qartë: "Ne nuk po zhvillojmë bisedime për Ukrainën që anashkalojnë Ukrainën". Para udhëtimit të saj në Rusi, ajo tha se Gjermania ishte e gatshme për dialog serioz. "Por ne nuk mund dhe nuk do të bëjmë asnjë lëshim ndaj parimeve bazë të Aktit Final të Helsinkit, të cilat e kanë shpëtuar Evropën nga makthi i një lufte të madhe gjatë 50 viteve të fundit. Këto përfshijnë paprekshmërinë territoriale, zgjedhjen e lirë të aleancave dhe heqjen dorë nga kërcënimi i dhunës si mjet i politikës”.

Kryetarja e Komitetit të Mbrojtjes në Bundestag, Marie-Agnes Strack-Zimmermann (FDP), i përshëndeti përpjekjet diplomatike - por në të njëjtën kohë paralajmëroi kundër bërjes së shumë lëshimeve ndaj Rusisë. "(Presidenti) Putin teston se sa larg mund të shkojë, ai na imponon narrativën se ne duhet të lëvizim," tha Strack-Zimmermann. Shefi i Kremlinit po ndjek "fantazitë e fuqive të mëdha" dhe dëshiron "të kthehet në epokën e Luftës së Ftohtë". Kjo nuk është e pranueshme.

Grupi parlamentar i krahut të djathtë, AfD kishte një pikëpamje krejtësisht të ndryshme: eksperti i këtij grupi për politikën e jashtme, Petr Bystron e paralajmëroi Baerbockun kundër përkeqësimit të mëtejshëm të situatës duke "fajësuar njëanshëm" Rusinë. Bystroni tha se ministrja e Jashtme duhet "të përdorë ndikimin gjerman në Ukrainë" për të arritur përmirësime këtu.

Nord Stream në fokus

Herë pas here në fokus është tubacioni i përfunduar Nord Stream 2, i cili ende nuk është vënë në punë. "Ne jemi 100 për qind të sigurt se Nord Stream 2 ka të vetmin qëllim, neutralizimin e Ukrainës në tranzitin e gazit," i tha kreu i kompanisë ukrainase të energjisë Naftogaz, Yuri Vitrenko, "Süddeutsche Zeitung". Sipas tij, projekti është një përgatitje për një pushtim rus: Moska dëshiron të "sigurojë që kjo të mos ketë ndonjë pasojë negative për tregtinë me Evropën".

Kancelari Olaf Scholz (SPD) e përshkroi së fundmi tubacionin si një projekt "thjesht të ekonomisë private" dhe jo politik. Megjithatë, politikanët si të qeverisë së tij ashtu edhe nga opozita kundërshtuan këtë pikëpamje. Roderich Kiesewetter, ekspert i partisë më të madhe opozitare CDU, tha se Nord Stream 2 do të duhej të ndalej në rast të një sulmi ndaj Ukrainës.

aud (dw,afp,rtr)