Frika e Francës nga ″B-Day″ | Evropa | DW | 15.03.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Frika e Francës nga "B-Day"

Vendimi për Brexitin është një nga vendimet më të rëndësishme në dekada, jo vetëm për Britaninë e Madhe. Por edhe për francezët. Një vështrim në zonat, që do të kthehen në rajone kufitare.

Anglezët kanë arritur tamam në kufi. Ashtu si çdo ditë "Shtatë motrat" bëjnë rreth orës 3 mbasdite metrat e fundit për tek skela e trageteve në Dieppe. Stuhia e madhe në kanalin e La Manshit nuk e ka shtyrë orarin e mbërritjes.

Ndërkohë që kamionët dalin nga barku i tragetit të madh, Jean Luc qëndron nga ana tjetër e bregut dhe vëzhgon transportin e mallrave dhe të njerëzve. "Kur të vijë Brexiti, këtu do të ketë kaos të madh", thotë 66 vjeçari. Kamionët që largohen sot menjëherë nga porti do të duhet të kontrollohen duke harxhuar shumë kohë.

Në port nuk ka vend të mjaftueshëm. Dhe rruga që çon nga porti në rrethinat e kësaj qyteze të Normandisë, është e ngushtë. Brexiti, thotë Jean Luc, do të krijojë problme të mëdha në Dieppe. Kjo e mërzit atë. Ai ka mirëkuptim të plotë për veçantitë e britanikëve, ai ka punuar shumë vjet në ishull dhe ka edhe sot kontakte me shumë shokë.

Pascal Coquet (Andreas Noll)

Pascal Coquet, peshkatar francez

Arteria kryesore midis dy vendeve

Lidhjet me ishullin janë në Dieppe shumë më të mëdha se qytetet e tjera të Normandisë. Edhe historikisht, trageti që lundron midis Dieppes dhe Newheaven është linja më e vjetër midis dy vendeve. Linja ka qenë arteria kryesore midis Parisit dhe Londrës, shumë para ndërtimit të tunelit hekurudhor nën Kanalin e La Manshit.

Shumë prej politikanëve besojnë se Brexiti do i sjellë hov të ri Dieppes, në rast se pikat më të mëdha të qarkullimit Calais dhe Dünkirchen do të mbingarkohen nga kontrolli. Që tani është duke u folur për të shtuar oraret e lëvizjeve të tragetit.

Përgatitje me zvarritje

Edhe përgjegjësit e portit dhe kryesuesit e qytetit sigurojnë se Brexiti do të jetë mirë për Dieppen. Për çdo eventualitet janë bërë përgatitjet. Por në praktikë planet janë bërë vetëm në kokë. Krah çështjes së bllokimit të transportit mund të ketë edhe ngarkesa të mëdha në kontrollin e mallrave dhe të kafshëve. Rreth 600 kuaj vijnë nga Britania e Madhe në vit në Dieppe dhe kontrolli dhe sistemimi i tyre mund të kërkojë një vend për stallë dhe kalërim, afër qendrës së qytetit.

Mallrat nga Britania e Madhe duhet të qëndrojnë në salla të mëdha për kontrollin e perimeve dhe frutave. Por këto gjëra nuk mund të ndodhin kaq shpejt. Puna nuk është ndryshe edhe 200 km në veri, në pikën më të madhe të transportit në Calais. Tani doganierët janë duke zënë titujt e gazetave me protestat e tyre. Me "kontrolle më të mëdha", të bëra me qëllim ata shkaktuan krijimin e varganëve kilometra të gjatë me kamionë, duke dhënë kështu një ide, cilat mund të jenë pasojat e Brexitit. Policisë i duhej të bllokonte përkohësisht hyrje-daljet në autostrada.

Synimi i protestës ishte që doganierët donin të tërhiqnin vëmendjen për kushtet, në të cilat ata punojnë. Aty ku në të ardhmen ata duhet të kontrollojnë importet, duken aktualisht themelet e një ndërtese dogane. Por sidoqoftë në Calais, përgatitjet kanë filluar.

Loïc Marguerie (Andreas Noll)

Loïc Marguerie, peshkatar në Dieppe

I papunë pas Brexitit?

Ndërkohë që doganierët kërkojnë rritje rroge dhe kushte më të mira pune, peshkatarët e portit në Dieppe kanë frikë se do të humbasin vendin e punës. "Në një Brexit të ashpër mund të ndodhë që Britania e Madhe të bllokojë territoret detare", thotë peshkatari i midhjeve, Pascal Coquet. Qeveria ka premtuar të japë para për të kapërcyer fazën kalimtare. Por peshkatarët nuk duan të marrin para pa punuar, por duan që të peshkojnë dhe të mbjellin midhjet.

Vetë Coquet nuk shkon më në det, por shkruan nga tavolina e punës në Dieppe për të mbrojtur interesat e peshkatarëve. Nëse ndodh Brexit i ashpër, thotë ai, në ujërat franceze do të mblidhen edhe anijet e tjera të BE që do të largohet nga ujërat britanike. Atëherë do të kemi dy herë më shumë anije peshkimi për gjysmën e sasisë së peshqve që kemi tani."