Frikësimi i gazetarëve nuk i shërben askujt | Bota | DW | 13.04.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Frikësimi i gazetarëve nuk i shërben askujt

Shefi i BBC-së i drejtohet rrëmbyesve të gazetarit Alan Johnston në Ramallah

Gazetarë protestojnë në Gaza për lirimin e korrespondentit të BBC-së Alan Johnston

Gazetarë protestojnë në Gaza për lirimin e korrespondentit të BBC-së Alan Johnston

Drejtori i përgjithshëm i BBC-së Mark Thompson u është lutur rrëmbyesve të gazetarit Alan Johnston në Rripin e Gazës t'a lënë atë të lirë. Ai u ka bërë thirrje të gjithëve që kanë ndikim tek rrëmbyesit të bëjnë ç'është e mundur për t'i dhënë fund dramës së pengmarrjes. Njerëz të armatosur të panjohur e patën rrëmbyer skocezin Johnston në 12 mars në Gaza. 44-vjeçari punon prej tre vjetësh për radion britanike BBC. Dje edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ban Ki Moon ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të korrespondentit të BBC-së.

Katër javë më parë gazetari i BBC-së Alan Johnston u rrëmbye nga njerëz të panjohur rrugës nga zyra për në shtëpi. Qysh atëherë nuk ka asnjë shenje jete prej tij. Gazetarë palestinezë dhe të huaj kanë demonstruar ndërkohë disa herë në Rramallah dhe Gaza për lirimin e tij, por deri tani pa sukses. As vetë ardhja e shefit të BBC-së Mark Thompson në Rramallah për t'u angazhuar për reporterin e tij nuk duket të ketë sjellë rezultate:

"U bëj thirrje të gjithëve që mund të kenë influencë tek rërmbyesit të përdorin të gjitha mundësitë për të mundësuar lirimin sa më të shpejtë të Alan-it në mënyrë që ai të kthehet sa më parë dhe shëndoshë e mirë pranë familjes dhe miqve."

Tre vjet më rradhë ka jetuar Johnston në Gaza. Në fund ai ishte gazetari i vetëm perëndimor që ende duronte jetën në zonën e tronditur nga dhuna, varfëria dhe kaosi. Drejtori i përgjithshëm i BBC-së Thompson:

"Kur Alan u rrëmbye kishin nisur javët e fundit të kohës së tij si korrespondent në këtë rajon. Gaza po bëhej një vend gjithnjë e më i vështirë dhe i rrezikshëm për gazetarët. Për këtë arsye ai ishte gëzuar shumë që do të rikthehej në Londër për t'iu bashkuar sërish ekipit të lajmeve në shërbimin ndërkombëtar të BBC-së."

Alan Johnston po mbahet peng më gjatë nga çdo i rrëmbyer tjetër perëndimor. Deri tani rrëmbimet e gazetarëve të huaj apo punonjësve të organizatave humanitare përfundonin brenda disa ditësh. Rrëmbimet kishin të bënin më shumë me konflikte ndërpalestineze, në të cilat pengjet përdoreshin si mjet presioni. Gjatë vitit të shkuar dy reporterë të kanalit amerikan televizi FOX u mbajtën dy javë rresht peng dhe gjatë asaj kohe u kërcënuan me jetën dhe u keqtrajtuan.

Spekulohet se Johnston ndodhet në duart e një familjeje mafioze me lidhje të shumta nga veriu i Rripit të Gazës dhe se për lirimin e tij është kërkuar një shumë e madhe parash. Rrëmbimi i Alan Johnston-it, një reporteri të vlerësuar si nga kolegët ashtu edhe nga publiku, ka çuar në një reduktim të dukshëm të raportimit nga Rripi i Gazës. Drejtori i përgjithshëm i BBC-së Thompson tërhoqi vëmendjen se trembja e gazetarëve nuk është në të mirë të askujt:

"Eshtë jetike që të gjithë gazetarët të mund të punojnë pa frikën e ngacmimeve apo presioneve. Njerëzit në Gaza nuk kanë asnjë të mirë nga rrëmbime të tilla."

Dje Sekretari i Përgjithshëm i kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të korrespondentit të BBC-së. Unë do të bëj për këtë gjithçka është në dorën time ka thënë Ban përpara gazetarëve në Nju Jork:

"Jam shumë i shqetësuar. Një muaj pas rrëmbimit ai ende nuk është liruar. Mbulimi që Johnston i ka bërë në korrespondencat e tij çështjes palestineze gëzon një reputacion të madh në të gjithë botën. Liria e raportimit dhe liria e shtypit janë një parim që duhet mbrojtur. Unë shpresoj që përgjegjësit për rrëmbimin do ta lirojnë Alan Johnston-in menjëherë dhe pa kushte."

  • Data 13.04.2007
  • Autor Bettina Marx
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArIt
  • Data 13.04.2007
  • Autor Bettina Marx
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArIt
Reklamë