Frikë nga përshkallëzimi. | Politika | DW | 22.03.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Frikë nga përshkallëzimi.

Qeveria e Izraelit urdhëron vrasjen e udhëheqësit të Hamasit, Jasin.

Themeluesi i lëvizjes radikale islamiste Hamas, sheiku Ahmed Jasin,është vrarë gjatë një sulmi të helikopterëve ushtarakë në qytetin e Gazës. Sipas dëshmive të dëshmitarëve okularë janë hedhur tre raketa ndërkohë që Jasini i paralizuar po hynte në makinën e tij me ndihmën e truprojeve. Si pasojë e sulmit humbën jetën edhe shtatë persona të tjerë. Sipas informacioneve të qeverisë izraelite kryeministri Ariel Sharon ka urdhëruar personalisht vrasjen e Jasinit. Sipas qeverisë izraelite duke patur parasysh atentatet terroriste të Hamasit vrasja e Jasinit është e merituar. Vetë Hamas ka njoftuar se në shenjë hakmarrje do të vrasë qindra izraelitë.

Qeveria e Ariel Sharonit beson mesa duket se gjatë vitit të zgjedhjeve presidenciale në ShBA do t'i bëhen më shumë lëshime se zakonisht. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet marrja zyrtarisht nga qeveria izraelite e vendimit për likuidimin e udhëheqësit të Hamasit që u pasua nga vrasja e liderit shpirtëror të kësaj lëvizjeje islamike, sheikut Ahmed Jasin. Jasini është "Bin Ladeni i Izraelit" deklarojnë qarqet qeveritare të cilat bëjnë kështu me vetëdije një paralelizëm me luftën e Uashingtonit kundër terrorizmit. Nëse Izraeli do t'ia dalë të krijojë përshtypjen se ndodhet në të njëjtën situatë si Uashingtoni mbetet të shihet. Presidenti amerikan Xhorxh Bush deri tani bënte pjesë në rradhën e mbështetësve më të fortë të Sharonit. Por në vitin elektoral dhe në sfondin e zhvillimeve në Irak e rreth tij kjo mbështetje ka shumë të ngjarë të ndryshojë. Të paktën do të pushojë së qeni një kartë e bardhë për Sharonin.

Politika amerikane prej kohësh duhej të kishte pushuar së marri në mbrojtje Sharonin. Me këtë nuk duam të themi se Jasin ishte një njeri i nderuar. Ai ishte koka e një lëvizjeje radikale terroriste që fliste për "qëndresë dhe pushtim" por këtu nuk kishte parasysh pushtimin e vitit 1967 por vetë ekzistencën e Izraelit. Jasin ndoshta nuk ishte njeriu që dërgonte personalisht atentatorë vetëvrasës në linjat e autobuzëve në Izrael. Por ai ishte njeriu i cili lejonte këto akte, i nderonte ato dhe që shprehej i vendosur kundër çdo lloj zgjidhjeje paqësore.

Jasin ishte prej kohësh edhe një figurë simbol edhe për ata palestinezë që nuk i përkisnin Hamasit. Dhe vrasja e një figure të tillë simbolike do të sjellë tani edhe më shumë dhunë dhe viktima. Reagimi i ish ministrit izraelit të drejtësisë Josi Beilins pas vrasjes së Jasinit ishte kuptimplotë: sa izraelitë do të paguajnë për këtë me jetën e tyre?

Më shumë se 400 izraelitë kanë humbur jetën në atentate terroriste gjatë së ashtuquajturës Intifada Al Aksa. Dhe sado e dhimbshme të jetë për çdo shtet Izraeli i është përgjigjur gjithnjë dhunës me dhunë. Një strategji e tillë sjell dhunë të re. Dhe kështu do të ndodhë edhe tani. Izraeli do të kishte bërë ndoshta mirë t'i përgjigjej dhunës me gadishmëri për ripajtim dhe kompromis. Vetëm këtu ekziston një shans sado i vogël që të izolohen në të dyja frontet elementët e gatshëm për dhunë.

Në vënd të kësaj Izraeli ka ndjekur gjithnjë politikën e likudimeve që ndoshta ka origjinë biblike por që nuk mbulohet nga e drejta ndërkombëtare e ditëve tona. Izolimi dhe dënimi i Izraelit do të shtohen dhe kështu do të zhduken edhe shanset për një zgjidhje. Edhe vetë tërheqja nga Gaza e lajmëruar nga Sharon vihet tani në pikëpyetje. Vrasja e Jasinit ishte pjesë e konceptit të kësaj tërheqjeje pasi Izraeli donte të tregonte se po largohej nga Gaza me vendimin e tij dhe jo i detyruar nga Hamasi. Nëse tani si pasojë e kësaj vrasjeje dhuna shtohet nuk ka të ngjarë që Izraeli të mund të largohet nga Gaza.
  • Data 22.03.2004
  • Autor Peter Philipp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqvT
  • Data 22.03.2004
  • Autor Peter Philipp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqvT