1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Francezët presin përgjigjet e Macronit

10 Dhjetor 2018

Automjete në flakë, barrikada, dyqane të bastisura: pas protestave të dhunshme kundër politikës reformiste, presidenti i Francës do të mbajë një fjalim drejtuar kombit. A do të mund t'i zbusë ai "jelekët e verdhë"?

https://p.dw.com/p/39mRD
Paris Champs-Elysees Gelbwesten Protest
Fotografi: picture-alliance/NurPhoto/R. Carre

Automjete në flakë, barrikada, dyqane të bastisura: shumë sy pritet t'i drejtohen të hënën në darkë Presidentit Emmanuel Macron që ndodhet nën presion: shefi i shtetit francez do t'i drejtohet në orën 20 nga rezidenca e tij zyrtare popullit, bëri të ditur pallati Elize në Paris.

Ministrja e Punës Muriel Penicaud deklaroi se Macroni do të shpallë në fjalimin e tij drejtuar kombit masa "konkrete dhe të menjëhershme". Midis tyre megjithatë nuk do të jetë ngritja e pagës minimale, sepse kjo do të kushtonte vende pune. "Shumë sipërmarrje të vogla nuk e përballojnë dot këtë dhe do të falimentonin", tha Penicaud.

Presidenti dëshiron të dëgjojë me vëmendje

Qeveria me sa duket e ka nënvlerësuar nevojën e francezëve për t'i dëgjuar, pranoi një zëdhënës i Macronit. Njëkohësisht ai paralajmëroi për shpresat e tepruara në fjalimin e tij: "Jo të gjitha problemet e demonstruesve "jelekverdhë" mund të zgjidhen me shkop magjik".

Që të hënën në mëngjes, Macroni dëshiron të takojë ndër të tjera përfaqësues të sindikatave, të punëdhënësve, si dhe të Presidentes së Asamblesë Nacionale dhe të senatit, siç konfirmojnë qarqe të Elizesë. Presidenti dëshiron të mbledhë në këtë kohë të vështirë të gjitha forcat politike, lokale, ekonomike dhe sociale, për të dëgjuar zërat dhe propozimet e tyre, u bë e ditur.

Qyteti në gjendje rrethimi

Protestat e "jelekverdhëve" në Paris, të shtunën kaluan sërish në dhunë. Në afërsi të bulevardit Champs-Elysées demonstruesit e qëlluan policinë me lëndë plasëse dhe me gurë kalldrëmi. Ata u vunë flakën barrikadave dhe automjeteve. Disa persona madje u përpoqën t'i vënë flakën një supermerkati luksoz. Disa dyqane u plaçkitën. Policia përdori gaz lotsjellës, ujëhedhës dhe plumba plastikë kundër huliganëve. Një sërë atraksionesh të turistëve si Kulla Eifel dhe Luvri si dhe një sërë stacionesh metroje qëndruan të mbyllura.

Në të gjithë vendin, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në fundjavën e katërt radhazi të protestave, morën pjesë 136.000 vetë. Ata patën gjithsej 89.000 forca të sigurisë përballë. Numri i të arrestuarve përkohësisht ishte 2000, numri i të plagosurve mbi 250 vetë.

Jelekverdhët u takuan në mes të nëntorit përballë rritjes së taksave për karburantët. Këtë plan qeveria e Macronit ndërkohë e ka ngrirë. Por kërkesat e demonstruesve shkojnë ndërkohë shumë më larg - nga rënia e taksave deri te fuqia më e madhe blerëse deri te dorëheqja e kreut të shtetit.

Frankreich Gelbwestenprotest | Präsident Emmanuel Macron
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/I. Langsdon