1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

270810 Frankreich Roma

27 Gusht 2010

Dëbimi i romëve nga Franca në Bullgari dhe Rumani vazhdon. Qeveria në Paris duket se nuk shqetësohet nga kritikat e komisionit të BE. Francezët vetë janë të ndarë në dy kampe në këtë çështje.

https://p.dw.com/p/Oxoc
FrFranca dëbon romët në Rumani
Franca dëbon romët në RumaniFotografi: AP

Që qeveria franceze prej disa javësh kritikohet ashpër për qëndrimin e saj ndaj romëve, kjo nuk luan rol për presidentin Nicolas Sarkozy dhe ministrat e tij. Pavarësisht nëse kritika vjen nga brenda, apo jashtë vendit, në Paris ajo injorohet krejtësisht.

Edhe të enjten (26.8.) Franca ktheu sërish romë. Afro 250 vetë u dërguan me avionë nga Lioni dhe Parisi për në Rumani. Edhe kësaj radhe autoritetet theksuan se romët e dëbuar janë larguar vullnetarisht nga vendi. Dhe prandaj kanë marrë një ndihmë prej 300 eurosh për kthimin e çdo personi.

Përsëri, siç ndodh thuajse përditë, u eleminua një kamp ilegal romësh. Kësaj radhe në Lille, në veri të vendit. Çadrat e 75 personave, që jetonin atje u hoqën, familjet janë tani të pastreha. Dhe ndoshta do të dëbohen së shpejti.

Është pikërisht ky qëndrim, që nxit shpesh kritikën. Përshembull nga kryetari i konferencës episkopale franceze, Kardinali André Vingt-Trois:

„Mua më duket se është krijuar një klimë e pashëndetshme në shoqërinë tonë. Përpiqen të mundin njëri-tjetrin. Ekziston një lloj konkurrence, se kush ofron sigurinë më të madhe dhe kush është më i miri."

Kryepeshkopi nuk është i vetmi përfaqësues i kishës, i cili e sheh me sy kritik qëndrimin e Sarkozisë ndaj romëve. Të dielën e kaluar (22.8.) një prift nga Franca e Veriut kërkoi publikisht që presidentit t'i bjerë infarkt në zemër. Qeveria bën luftë kundër romëve, ishte arsyetimi i tij. Dhe ai e ktheu mbrapsht në Ministrinë e Brendshme Urdhërin e Meritës në shenjë proteste.

Ndërkohë gjithnjë e më shumë politikanë janö shprehur lidhur me qëndrimin armiqësor ndaj të huajve të qeverisë franceze. Vetë Sekretari rumun i Shtetit për çështjet e romëve, Valentin Mocanu, gjeti fjalë të qarta.

„Askush nuk ka të drejtë, të pengojë një qytetar evropian, të udhëtojë brenda Evropës. Natyrisht që duhet bërë diçka kundër varfërisë. Ndoshta varfëria është një prej arsyeve, që rumunët - por edhe qytetarët e vendeve të tjera -emigrojnë, për të gjetur një vend me kushte më të mira jetese. Për këtë do të përpiqemi."

Ministri i Brendshëm, Brice Hortefeux nuk mbron vetëm qëndrimin e ashpër, ai për herë të parë bën një lidhje ndërmjet romëve, që jetojnë në Francë dhe kriminalitetit në rritje.

„Unë shoh që vitin e kaluar në Paris kriminaliteti i njerëzve me kombësi rumune është rritur 138%. Unë nuk mund të bëj, sikur ai nuk ekziston! Unë nuk mund të mbyll sytë para realitetit. Unë veproj dhe me kërkesë të presidentit për sigurinë dhe mbrojtjes e qytetarëve tanë."

Qeveria franceze që prej fundit të korrikut ka kthyer në Rumani dhe Bullgari afro 900 romë. Në të njëjtën kohë kanë hequr më shumë se 50 kampe ilegale banimi. Që prej fillimit të vitit janë kthyer në Bullgari dhe Rumani 8.313 romë. Sipas një anketimi të fundit 48% e francezëve e konsiderojnë të drejtë dëbimin e romëve.

Autor: Daniela Junghans/Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi