Fqinjët e rinj të Bashkimit Evropian | Evropa | DW | 30.09.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Fqinjët e rinj të Bashkimit Evropian

Ku do të jenë kufijtë e ardhshëm të BE-së? Kjo pyetje është shtruar që prej zgjerimit të BE me dhjetë vendet e reja antare. Por tani kjo pyetje shtrohet sërisht kur bëhet fjalë për Turqinë, apo për Ukrainën, Bjellorusinë dhe shtetet e Kaukazit. BE ka hartuar për të gjitha këto shtete një koncept politik për të ashtuquajturët "fqinjët e BE-së", koncept ky që nuk vlerësohet pozitivisht nga të gjitha vendet që përfshihen në të.

Komisari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin Günter Verheugen

Komisari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin Günter Verheugen

Komisari i BE-së për zgjerimin Günter Verheugen, ishte i pari që propozi një koncept të ri politik për fqinjët e BE-së. Por ky koncept nuk ka të bëjë aspak me zgjerimin e BE-së, thotë Verheugen:

"Ne duhet t´i evitojmë linjat ndarëse në Evropë. Por unë po e them edhe njëherë për të gjithë: Politika jonë e re me fqinjët nuk ka të bëjë me temën e zgjerimit. Kjo politikë do t´u drejtohet atyre shteteve që njëherë për njëherë nuk kanë asnjë mundësi për antarësim në BE" - shpjegon ai.


Verheugen nuk e ka fjalën vetëm për shtetet e Detit Mesdhe nga Maroku në Izrael, të cilat bashkëpunojnë me BE nëpërmjet të ashtuquajturit procesit të Barcelonës, por ai flet edhe për Ukrainën, Bjellorusinë, Moldavinë dhe shtetet e Kaukazit.

Asnjeri nga këto vende nuk ka ndonjë shans të afërt për t´u antarësuar në BE. Günter Verheugen shpjegon:

"Eshtë e qartë se kufiri perëndimor me ish Bashkimin Sovjetik do të mbetet kufiri lindor me Bashkimin Evropian, me përjashtim të shteteve baltike."

Por në Kiev fjalët e komisarit evropian për zgjerim shkaktuan pakënaqësi. Ukraina kërkon perspektivën e antarësimit në BE. Ndonëse bashkëpunimi që na ofron BE është një hap i sukseshëm, qeveria nuk
është e kënaqur, thotë Leonid Kozhara, përfaqësues i zyrës presidenciale:

"Ne jemi të zhgënjyer sepse koncepti i ri i Be-së do të thotë që Ukraina bie në të njejtën kategori si vendet e Magrebit dhe Izraeli, vende këto që nuk duan të bëhen antare të BE-së. Por Ukraina ka kohë që përpiqet t´i afrohet BE dhe ne nuk e kemi fshehur kurrë dëshirën për t´u bërë pjesë e BE-së" - thotë ai.

Por Kozhara nuk beson se BE nuk ka ndërmend ta lejojë antarësimin e Ukrainës. Ndërkohë ish kryemnistri i Moldavisë Ion Sturza është edhe më optimist dhe beson se koncepti i ri i BE është hapi i parë i afrimit të Moldavisë drejt BE-së:

"Nuk ka rëndësi etiketa e këtij koncepti, por përmbajtja e tij. Kjo përmbajtje ka shumë ngjashmëri me procesin e asociim stabilizimit. Për Moldavinë, e cila është kaq larg nga çdo proces integrimi me BE, çdo angazhim, çdo kontratë dhe çdo marrëdhënie me BE është një hap përpara."

  • Data 30.09.2004
  • Autor Klaus Dahmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArGJ
  • Data 30.09.2004
  • Autor Klaus Dahmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArGJ