1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fqinjët e Rusisë rrisin buxhetet e mbrojtjes

Helle Jeppessen13 Prill 2015

Ukraina i ka nxitur shtetet fqinjë me Rusinë që t'i rrisin buxhetet e mbrojtjes. Shpenzimet globale kanë rënë, por vihet re një tendencë rritjeje e lidhur me krizën e Ukrainës, thuhet në një raport të ri të SIPRI-it.

https://p.dw.com/p/1F6Sg
Logo SIPRI

Në të gjithë botën nuk ka lëvizje të mëdha në shpenzimet ushtarake, por shpërndarja e shpenzimeve ndryshon. Kjo konstatohet në raportin më të fundit mbi buxhetet e përbotshme për mbrojtjen, të Institutit ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stockholm, SIPRI (Stockholm International Peace Research Institute). Si çdo vit, Instituti vuri nën lupë shpenzimet e përbotshme ushtarake, për të analizuar tendencat dhe zhvillimet.

"Parimisht, të gëzon fakti që në të gjithë botën konstatohet një ulje e lehtë e shpenzimeve", e komenton studimin e ri të SIPRI-it eksperti i armatimit Jan Grebe nga Qendra Ndërkombëtare e Konversionit e Bonnit, BICC. Megjithatë, Grebe i cili te BICC harton indeksin global të militarizimit, rënia e lehtë prej 0,4 përqind e shpenzimeve ushtarake ka të bëjë në radhë të parë me kursimet e SHBA në buxhetin e mbrojtjes dhe me politikën e kursimit të shumë shteteve të BE.

Faktori i Ukrainës i dukshëm

Në Evropë shihet para së gjithash efekti i krizës së Ukrainës, i cili shqetëson para së gjithash fqinjët e Rusisë, thotë autori kryesor i studimit të SIPRI-t, Sam Perlo-Freeman. "Polonia e ka përshpejtuar modernizimin e mbrojtjes së saj. Shtetet baltike i kanë rritur që në vitin 2014 buxhetet e tyre ushtarake dhe do t'i rrisin ato më tej në vitin 2015", thotë eksperti.

20 vendet kryesuese: raporti i shpenzimeve ushtarake me produktin social bruto
20 vendet kryesuese: raporti i shpenzimeve ushtarake me produktin social bruto

SIPRI i merr të dhënat për studimet e tij nga burime publike, për shembull nga buxheti shtetëror, ku një pjesë e shpenzimeve e përbën buxheti i mbrojtjes. Prandaj, shprehet Perlo-Freeman, shifrat konkrete të vitit 2014 nuk lejojnë përfundimet largvajtëse - por një tendencë për shkak të krizës së Ukrainës mund të konstatohet.

Eksperti i armatimit, Jan Grebe megjithatë paralajmëron që të mos bëhen interpretime të përshpejtuara. "Zhvillimi ishte një masë e përgjithshme modernizuese në shumë vende, për ta përmirësuar gjendjen e forcave të armatosura", thotë ai.

Suedia e rrit aftësinë mbrojtëse

Shenja të vogla megjithatë flasin për rritje të gatishmëisë. Suedia vërtet që nuk është anëtare e NATO-s, por sipas raportit të SIPRI-it, e ka rritur vitet e kaluara në mënyrë të vazhdueshme bashkëpunimin me aleancën perëndimore të mbrojtjes dhe me shtetet baltike dhe nordike. Në fund të vitit 2014, Parlamenti suedez miratoi një rritje të buxhetit të mbrojtjes për 2015-ën - midis të tjerash, për të qenë në gjendje që të reagohet më mirë në rast se përhapet kriza e Ukrainës.

"Suedia ka nisur një kthesë të politikës shumëvjeçare të kursimeve në buxhetin e mbrojtjes dhe ka filluar ta rrisë buxhetin", thotë Perlo-Freeman i SIPRI-it. Ai thekson se studimi i ri tregon që vetëm vendet që janë drejtpërdrejt fqinje me Rusinë reagojnë tani në krizë me rritje të shpenzimeve ushtarake. Shtetet e tjera anëtare të NATO-s dhe shtetet e BE, që janë gjeografikisht më larg, i përmbahen parimisht kursit të deritashëm të kursimeve.

Rusia humbet burime

Çështja tjetër është nëse Rusia mund ta kryejë edhe më tej modernizimin e planifikuar të forcave të armatosura, thotë Jan Grebe nga BICC. Importe nga Evropa me embargon e BE nuk janë më të mundura dhe pa to as ripërtëritjet e nevojshme teknologjike të industrisë ruse të armatimit. Një problem tjetër për industrinë ruse të armatimit është edhe vjetërimi i uzinave. Para së gjithash rënia e çmimeve të naftës dhe të gazit, por edhe sanksionet e BE përballë Rusisë kanë bërë tashmë që të rrudhet buxheti ushtarak i Rusisë. Në kundërshtim me deklaratat e mëparshme, "për vitin 2015 Rusia u detyrua ta shkurtojë me pesë përqind buxhetin ushtarak", thotë eksperti i SIPRI-t.