Forcohet debati mbi festat kombëtare gjermane | Gjermania | DW | 04.11.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Forcohet debati mbi festat kombëtare gjermane

Në Gjermani ka nëntë ditë feste: ditën e Vitit të Ri, e Premtja e Madhe, e Hëna e Pashkëve, 1 maji, dita e ngjitjes së Krishtit në qiell, dita e bashkimit të Gjermanisë më 3 tetor, e Hëna e Rrëshajve si edhe dy ditët e festave të Krishtlindjeve. Festa më e re është dita e bashkimit të Gjermanisë. Por qeveria gjermane ka vendosur ta heqë datën 3 tetor nga lista e festave kombëtare dhe ta shtyjë këtë festë në të dielën e parë të muajit tetor. Por populli gjerman është kundër këtij vendimi.

default

Për ministrin gjerman të ekonomisë Volfgang Klement është e qartë se ky vendim do të realizohet sa më shpejt. Qëllimi i qeverisë gjermane është që me heqjen e kësaj dite si festë kombëtare të rrisë prodhimin ekonomik në 0,1% që do të thotë rreth gjysmë miliardë euro për buxhetin e shtetit.

Por kjo s´do të thotë se dita e bashkimit të Gjermanisë nuk do të festohet më. Sipas planeve të qeverisë kjo ditë do nuk do të festohet më më datën 3 tetor por të dielën e parë të muajit tetor.

Kritikë e ashpër vjen sidomos nga jugu i Gjermanisë. Ministri bavarez i Dhomës së Lartë të Parlamentit gjerman Ervin Huber, i cili është në të njejtën kohë edhe shefi i prokurorisë në Mynih, i cilëson planet e qeverisë gjermane si të pamenduara mirë. Edhe deputeti i unionit kristian demokrat CDU, Günter Nooke thotë:

"Nëse do të heqim ditën e Bashkimit të Gjermanisë nga kalendari i ditëve të fesatve kombëtare, atëherë ne do të tradhëtojmë historinë gjermane. Pra mund të themi se po qeverisemi nga tradhëtarët e atdheut tonë. Kjo që po ndodh është një sabotazh i historisë."

Por jo vetëm opozita e kritikon planin qeveritar. Shefi i fraksionit të të gjelbërve në Parlament Volker Beck u shpreh se nuk është mirë që të hiqet nga kalendari i festave komëbtare e vetmja ditë gëzimi për gjermanët. Por deputetja e gjelbër Anja Hajduk thotë:

"Nuk duhet të harrojmë se këtu në Gjermani kemi probleme të mëdha me papunësinë dhe me prodhimin ekonomik. Por duhet të mos harrojmë se kemi nevojë për dinamikën e rritjes së ekonomisë, prandaj mendoj se ky është një vendim i drejtë."

Ministri gjerman i ekonomisë Klement pret mirëkuptim jo vetëm nga ana e partnerëve qeveritarë për koalicion por edhe nga populli gjerman. Po të krahasohet me shtete të tjera, Gjermania ka shumë më tepër ditë festash. Por a pranon populli gjerman që të punojë një ditë më shumë në vit?

"Një datë kaq e rëndësishme për Gjermaninë duhet të mbetet një ditë feste, gjatë të cilës duhen mbajtur ceremoni të ndryshme festive dhe duhet reflektuar mbi historinë" - thotë një qytetar.

Por nëse dita e bashkimit të Gjermanisë do të spostohet vërtet në të dielën e parë të muajit tetor, atëherë gjermanët do të reflektojnë mbi shumë më tepër se historinë e tyre në vitin 2007. Në këtë vit dita e bashkimit të Gjermanisë do të bjerë më datën 7 tetor, festa zyrtare e ish Republikës Lindore Gjermane. Në këtë datë, në vitin 1949 u krijua Republika e Gjermanisë Lindore.

  • Data 04.11.2004
  • Autor Sabine Kinkartz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar5R
  • Data 04.11.2004
  • Autor Sabine Kinkartz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar5R