Forcat demokratike dhe miqësore ndaj Evropës kundër atyre autoritare dhe ushtarake | Evropa | DW | 04.06.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Forcat demokratike dhe miqësore ndaj Evropës kundër atyre autoritare dhe ushtarake

Kriza në politikën e brendshme turke

Është trashëgimia e Ataturkut në qendër të mosmarrëveshjeve në Turqi?

Është trashëgimia e Ataturkut në qendër të mosmarrëveshjeve në Turqi?

Kriza në politikën e brendshme turke vazhdon. Informacione në kuadër të takimit të sotëm të trojkës së Bashkimit Evropian me Turqinë.

Deri të enjten bota politike në Bosfor ishte ende në njëfarë mase në rregull. Kryeministri Recep Tayyip Erdogan kishte hequr dorë prej kandidaturës së vet për postin e presidentit të shtetit duke propozuar për këtë vend ministrin e jashtëm Abdullah Gül. Siç pritej ky i fundit nuk e mori në votimin e parë shumicën prej dy të tretash të votave, por partia qeveritare islamiste konservatore AKP mbante shpresa në votimin e tretë, për të cilin nevojiteshin vetëm 50 për qind e votave, numër të cilin ajo e ka në parlament.

Por deri këtu nuk do të vinte puna, sepse opozita nuk mori pjesë në votimin e parë dhe në mënyrë që ta rrëzonte konkurruesin e padëshiruar fetar përdori mjetin e fundit duke depozituar padi kushtetuese. Argumenti i saj: Kur në parlament nuk janë dy të tretat e mbajtësve të mandateve, atëherë kandidati as nuk mund të marrë numrin e nevojshëm të votave dhe këtu ka një kontradiktë. Dhe derisa republika priste vendimin e gjykatës kushtetuese natën e së shtunës u afrua e kaluara. Ushtria lëshoi të ashtuquajturën 'deklaratë të mesnatës' - një paralajmërim i shtabit të përgjithshëm: Askush nuk guxon të harrojë se forcat e armatosura mbrojnë me vendosmëri laicizmin, pra ndarjen e shtetit nga feja. Në rast nevojë - thuhej shprehimisht - ushtria do ta bëjë të qartë qëndrimin dhe veprimet e saj. Një kërcënim i hapur kundër fetarëve, që në popull u quajt thjesht 'muhtira' - paralajmërimi i fundit para një puçi. Por Partia islamiste konservatore AKP, e cila në pesë vitet e fundit ka ndërmarrë më shumë hapa në drejtim të Evropës sesa asnjë qeveri para saj, nuk e humbi toruan. Ushtria është nën urdhërat e kryeministrit, bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë Cemil Çiçek dhe ministri i jashtëm Gül këmbënguli:

'Procesi vazhdon. Kjo do të thotë: Unë nuk do të jap dorëheqjen. Sepse kandidimi im nuk është rezultat i një nate, por ka lindur pas këshillimesh të gjata. Duhet të presim vendimin e gjykatës kushtetuese. Deri atëherë duhet të përmbahen të gjithë.'

Pak ditë më vonë gjykata e lartë e shpalli votimin a parë jo në përputhje me kushtetutës - një vendim të cilin opozita e priti me kënaqje, por që kampi qeveritar e cilësoi si turp, sepse gjykatësit, tha, ishin përkulur në fund para trysnisë së ushtrisë. Derisa Partia AKP ndërmorri një përpjekje të re, megjithëse të pasuksesshme, për ta zgjedhur Gül-in president shteti, parlamenti u morr vesh për mbajtjen e zgjedhjeve të reja më 22 korrik. Që atëherë Turqia gjendet në fushatë zgjedhore, e cila po degjeron pjesërisht në betejë zgjedhore. Pasi republika buzë Bosforit po tregohet shumë e ndarë. Nga njëra anë qëndron AKP-ja e organizuar relativisht mirë, nga ana tjetër të gjitha ato forca, që e quajnë veten laike dhe janë mobilizuar disa herë në demonstrata të mëdha kundër fetarëve. Por opozita është e ndarë dhe më shumë pajtohet për ato që refuzon sesa për atë që synon konkretisht.

Kësaj i shtohet fakti që pas paralajmërimit të saj, se Turqia mund të bëhet republikë islamike, qëndron më tepër frika e qemalistëve dhe e ushtarakëve nga humbja e minierës së tyre të trashëguar të floririt. Kështu të gjitha partitë ruajnë një skemë fikse bardhezi sipas motos: Kush nuk qëndron në radhët tona, është kundërshtari ynë, madje armiku ynë. Në fakt parlamenti ka vendosur ndërkohë që presidenti i ri i shtetit të mos zgjidhet më nga parlamenti, por drejtpërdrejt nga populli. Megjithatë, pyetja nëse ky vendim mund t'i forcojë elemntët jo gjithnjë demokratikë në vend, mbetet e hapur. Kështu pyetja e mirëfilltë në fushatën zgjedhore turke nuk është: Fitojnë fetarët apo kundërshtarët e tyre, por: A do të fitojnë forcat demokratike dhe miqësore ndaj Evropës kundër forcave autoritare dhe ushtarake?

  • Data 04.06.2007
  • Autor Ulrich Pick
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar7u
  • Data 04.06.2007
  • Autor Ulrich Pick
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar7u