Fondacioni Robert Bosh: investime për një ardhmëri më të mirë ballkanike | FOKUS | DW | 25.07.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Fondacioni Robert Bosh: investime për një ardhmëri më të mirë ballkanike

Fondacioni gjerman Robert Bosh ka vendosur që një prej prioriteteve në punën e tij, të jetë Ballkani, respektivisht hapja e perspektivës për fëmijë dhe të rinjë në këtë rajon, zhvillimi i vlerave demokratike dhe kulturore, si dhe pajtimi dhe mirëkuptimi mes popujve.

Robert Bosch

Robert Bosch


Luftërat dhe konfliktet si dhe rrënimi i këtyre vlerave, kanë bërë që Evropa Juglindore, të vie në epiqendër të interesit të këtij fondacioni. Për herë të parë me 14 dhe 15 në Beograd u zhvillua një burzë projektesh, ku një komision ndërkombëtar, prej 85 projekteve zgjodhi 19 më të mirat dhe propozoi që ato të ndihmohen financiarisht. Vendimi përfundimtar për mbështetjen financiare do të merret në shtator.
Ndërkohë në Beograd u zhvillua edhe një takim dyditor i të rinjëve nga Gjermania dhe shumë vende ballkanike.
"Në këtë takim morën pjesë 27 përfaqësues. Gjysma ishin nga Gjermania, ndërsa gjysma tjetër nga Serbia dhe Mali i Zi, Bosnje - Hercegovina dhe Maqedonia. Janë vendosur shumë kontakte dhe është treguar një interes i madh për bashkëpunim. Besoj se në këtë rajon do të zhvillohen shumë projekte të përbashkëta", thotë Astrid Shtefani, udhëheqëse e programit "Rrugët e reja në Evropë".
Ky program i Fondacionit Robert Bosh ekziston prej vitit 1998. Deri tani është marrë kryesisht me aktivitete në Evropën Qendrore dhe Lindore, ndërkohë që në të ardhmen më shumë do të përqendrohet në Ballkan. Nga Shqipëria dhe Kosova në Beograd nuk ishte askush.
"Mendoj se fakti që nuk kishte asnjë përefaqësues nga Kosova apo Shqipëria, dëshmon se deri tani ka shumë pak me këto rajone ka shumë pak raporte partneriteti. Duket se ata nuk janë të njoftuar me konkurset tona. Shkaku tjetër është se Beogradi në këtë moment ndoshta nuk është aq atraktiv për shqiptarët nga Kosova dhe Shqipëria", mendon Astrid Shtefani.
Për pjesëmarrje në konkurset e Fondacionit Robert Bosh duhet të plotësohen disa kushte. Projektet duhet të zhvillohen në partneritet me të rinjtë apo përfaqësuesit e shkollave nga ndonjë vend tjetër nga Ballkani apo Gjermania. Partnerët duhet të jenë të barabartë, ndërkohë që idetë duhet të vijnë kryesisht nga të rinjë të moshës 13 - 21 vjeç.
Pikërisht të rinjë të kësaj moshe, por edhe disa mësues të shkollave gjermane, ishin mbledhur në Institutitin Gëte në Beograd. Për dy ditë me radhë ata shkëmbyen ide dhe vendosën kontakte, të cilat më vonë do të shndërrohen në projekte - natyrisht me ndihmën e ekspertëve gjermanë dhe me mbështetjen financiare të Fondacionit.
"Qëllimi i ardhjes në Beograd është vendosja e kontatkeve dhe gjetja e bashkëpuntorëve të ri nga Ballkani - dhe natyrisht donatorë", thotë Aida Vehaboviq, nga Sarajeva, aktiviste e organizatës humantiare gjermane "Nxënësit ndihmojnë jetën". Ajo thotë se është arritur marrveshje që në gusht në Sarajevë të takohen sërish, ndërkohë që takime do të ketë edhe vitin e ardhëshëm, në Sarajevë apo gjetiu. Sa i përket komunikimit dhe atmosferës Aida thotë se ajo është e "shkëlqyeshme. Për vite të tëra po punojmë projekte dhe seminare të ndryshme ndërkombëtare. Gjithmonë kemi pasur pjesëmarrës nga Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Gjermania dhe vende të tjera".
Në kohën kur Aida ishte fëmijë, në Bosnje - Hercegovinë, zhvillohej një luftë e tërbuar, e cila ka marrë me vete rreth 250.000 njerëz. Asaj i kujtohen mirë të gjitha tragjeditë e asaj kohe. Megjithatë është e bindur se bashkëpunimi është i mundur: "Me vetë faktin se në pushtet nuk janë më ata të cmendurit nga viti 1992, bashkëpunimi me siguri që është i mundur, pse jo."
Bashkëbiseduesja e saj nga Kragujevci i Serbisë, Natasha Paunoviq thotë se kjo është pjesëmarrja e saj e parë, në këso lloj projektesh. Ajo ka një propozim për bashkëpunim edhe më të ngushtë. "Mendoj se më së miri do të ishte sikur të gjithë të bashkohemi dhe të hartojmë një projekt të përbashkët. Pra përfaqësues nga të gjitha vendet e ish - Jugosllavisë dhe nga Gjermania, me mbështetjen e Fondacionit Robert Bosh", thotë Natasha.
Paul Shmit është një i ri nga Gjermania. Ai flet një gjuhë perfekte boshnjake, të cilën e ka mësuar për shkak të kontakteve dhe punës me organizata të ndryshme nga rajonet e ish - Jugosllavisë. Sa i përket atmosferës në Beograd, ku ende mund të shihen pasojat e bombardimeve të vitit 1999, ai thotë: "Unë jam në Beograd për herë të dytë. Beogradi është një qytet i bukur, më i madhi në këto rajone". Ndërsa Zllatko Stamenov nga Maqedonia, duket i lumtur, sepse me partnerët nga rajoni dhe Gjermania ka arritur marrveshje për zhvillimin e një projekti.
"Fjala është për një projekt për jetën kulturore të të rinjëve në Ballkan. Ne duama të hulumtojmë aspektet që i bashkojnë të rinjtë nga Maqedonia, Bosnje - Hercegovina dhe Gjermania. Rreth 30 të rinjë nga këto vende do të udhëtojnë për 40 ditë me radhë në të trija vendet dhe do të njoftohen me jetën, kulturën dhe traditën e të tjerëve. Në fund do të bëjmë një film dokumentar për këto udhëtime", thotë ai.
Mësuesja Martina Shaup nga Vestfalia thotë se nxënësit në Gjermani janë pak të njoftuar me zhvillimet në Ballkan.
"Ballkani për nxënënësit tanë është një rajon relativisht i panjohur, për të cilin ende ekzistojnë shumë paragjykime. Nxënësit pyesin: çfarë njerëz janë ata? Kanë ndonjë standard të mirë jete apo janë të prapambetur? Nxënësit janë kureshtarë edhe për faktin se në këtë rajon ka pasur luftë. Prandaj mendoj se është mirë të bashkëpunojmë dhe të njoftohemi mes vete. Është mirë që Robert Bosh na ka mundësuar këtë", thotë Martina.
Ndërsa Margaret Lutinger nga Berlini, që prej dy vitesh ka vendosur kontatke me një gjimaz në Sremski Karlovci të Serbisë. Me këtë shkollë kanë pasur dy shkëmbime nxënësish dhe kanë vendosur miqësi. E pyetur për motivet e një angazhimi të këtillë, me bëzëqeshje ajo thekson: "Është kjo një pyetje e mirë, për të cilën kam menduar edhe gjatë rrugës. Do të dëshiroja që në Evropë të mos ketë luftë më kurrë. Unë i përkas gjeneratës së pasluftës së Dytë Botërore. Mirëpo, kam qenë shumë e lidhur me këtë luftë, sepse babai im si i ri, ishte pjesëmarrës i luftës në Rusi. Si vajzë e re kam dëgjuar shumë histori për luftën. Dëshira ime është që në Evropë të mos ketë më kurrë luftë", thotë ajo.
Për pjesëmarrësit e takimit u organizua edhe një pritje në ambasadën gjermane në Beograd. Ambasadori dr. Andreas Cobel nënvizoi rëndësinë e angazhimit në hapjen e perpsektivës për të rinjtë e Balllkanit.
"Serbia dhe Mali i Zi është një vend i cili për më shumë se 15 vjet ka jetuar në izolim. E vetmja njohuri e të rinjëve ishte lufta, intoleranca dhe urrejtja. Për këtë arsye, është shumë me rëndësi që këto përvoja të rënda të ndryshohen. Të rinjtë duhet të kenë mundësi dhe perspektivë që të njohin të tjerët në Evropë. Duhet të kenë mirëkuptim, të shkëmbejnë përvoja, të njohim kultura dhe botëkuptime të tjera, me synim pranimin e ideve të reja. Ata duhet të kuptojnë se në ardhmëri do të jenë banorë të Evropës", thota ambasadori gjerman në Beograd.

  • Data 25.07.2005
  • Autor Bahri Cani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqja
  • Data 25.07.2005
  • Autor Bahri Cani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqja