FMN-ja u fal borxhet vendeve të varfëra & Bushi dhe lufta kundër terrorizmit | Studimi në Gjermani | DW | 23.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

FMN-ja u fal borxhet vendeve të varfëra & Bushi dhe lufta kundër terrorizmit

Një ndër temat më të komentuara në shtypin e sotëm është vendimi i këshillit ekzekutiv të FMN-së për faljen e borxheve 19 vendeve më të varfëra

"Mos vallë vizioni për një botë më të drejtë me faljen e borxheve po i afrohet më shumë realitetit?", shkruan "Rhein Zeitung" që del ne Koblenc duke komentuar: "Jo. Sepse edhe faljet e borxheve më parë kanë treguar që vendet e prekura shumë shpejt bien në borxhe të reja. Ose përmasat e korrupsionit kanë qenë aq të mëdha, saqë as heqja e borxheve nuk mund të shërbente si filli i shpresës për të dalë prej moçalit të tregut të zi. Por mund të ndodhte edhe që burxhet, të cilave tani iu vu kryqi në letër, nuk do të ishin paguar kurrë. Gjesti zemërgjerë i Perëndimit në fakt është pranimi i së pashmangshmes, ndaj dhe nuk do të ketë asnjë efekt pozitiv", vëren "Rhein Zeitung".


Ndërsa "Märkische Oderzeitung" shkruan: "Nuk ka alternativë përveç faljes së borxheve. Por do të ish mirë, sikur ky hap të mos konsiderohet vetëm si fillim. E rëndësishme për zhvillimet e mëtejshme është që të bëhen ndryshime rrënjësore në vendet përkatëse. Në këtë drejtim nuk shihet të bëhet shumë. Etiopia duket se preferon më shumë luftën kundër Eritresë", komenton "Märkische Oderzeitung".

Edhe e përditshmja "Neues Deutschland" e komenton vendimin e FMN-së me nota kritike: "Shitja e shumëfishtë dhe festimi i lajmit të mirë ka traditë të keqe në politikën e zhvillimit. Qysh në samitin e korrikut shtetet e G8 u krenuan me të ashtuquajturën falje historike e borxheve për disa vende të varfëra. (...) Sigurisht që kjo falje borxhesh nuk është më ajo që pritej prej kohësh. Për vite me radhë FMN-ja me porosi të G8 e mbante veshin e shurdhër, kur shtrohej për diskutim çështja e borxheve. Por së fundi ishte ndër të tjera edhe presioni kritik në opinion që vuri në lëvizje për të bërë lëshime G8 dhe FMN-në", analizon "Neues Deutschland".

"Heilbroner Stimme" po mbi këtë temë vëren: "Si mund t´u ndihmohet më mirë vendeve të varfëra? FMN-ja tani fali borxhet. Kjo tingëllon mirë e bukur, por efekti që bën është e kundërta e kësaj. Sepse borxhet janë simptomë dhe jo shkak i mjerimit në vendet e varfëra. Pa struktura demokratike dhe shtet ligjor, pa luftën kundër dhunës e korrupsionit, pa kapërcimin e kufijve arkaiko-kulturorë e fetarë të imponuar prej fiseve si dhe pa shmangien e bllokadave të zhvillimit të gjitha paratë do të derdhen në thes të shpuar", shkruan "Heilbroner Stimme".

Një temë e trajtuar sot në shtyp është edhe lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar e iniciuar nga presidenti i SHBA Xhorxh Bush. E përditshmja "Frankfurter Allgemeine Zeitung" komenton: "Fillimisht Bushi aprovoi iniciativën kundër torturave të senatorit McCain, që më parë po ai vet e pat refuzuar. Përfytyrimi, se pikërisht ndaj një çështjeje të tillë mund të vendosej veto, ishte mjaft i çuditshëm, duke pasur parasysh edhe efektin e jashtëm. Ndërsa tani ai është i kënaqur, që "patriot act", ligji kyç për luftën kundër terrorizmit do të shtyhet edhe për gjashtë muaj, pasi Bushi nuk arriti ta shtyjë atë për një afat të pakufizuar. (...) Gjashtë muaj është një kohë e mjaftueshme për të sqaruar kapitujt e diskutueshëm lidhur me cënimin e lirive individuele prej këtij ligji", shkruan "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

Po mbi këtë temë edhe një citat nga artikulli i "Tageszeitung": "Ajo që bie në sy është fakti, se presidentit po ia vështirësojnë jetën shokët e partisë së vet. Kjo nga njëra anë ka të bëjë me faktin që Tom DeLay, fshikulluesi republikan, miku i Bushit dhe kryetar i grupit të partisë në dhomën e deputetëve, u detyrua të largohet nga posti për shkak të një akuze për pastrim parashë. Republikanët janë si të thuash vetëm në shtëpi - dhe dihet se si mund të jetë shtëpia e lënë për një farë kohe pa mbikqyrje. Nga ana tjetër ka disa brenda vet republikanëve që nuk janë aspak të interesuar të konsiderohen si përfaqësuesit e një kombi që torturon dhe shkel normat e të tjerëve dhe ato të shtetit të vet", komenton Tageszeitung" që del në Berlin.

  • Data 23.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArsF
  • Data 23.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArsF