Fitorja në zgjedhjet presidenciale e Vladimir Putinit është e sigurtë- dhe kjo me arsye | Politika | DW | 10.03.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Fitorja në zgjedhjet presidenciale e Vladimir Putinit është e sigurtë- dhe kjo me arsye

Ajo që të bën të fortë janë sukseset. Presidenti rus, Vladimir Putin mund të dëshmojë disa suksese të mëdha. Askush nuk dyshon që rusët do ta zgjedhin atë të dielën e ardhshme për katër vjet të tjera në postin e presidentit. Sigurisht, nuk mund të bëhet fjalë për zgjedhje të vërteta: kandidatë seriozë nuk patën as shansin për t'u futur në garë. Megjithatë, e diela e ardhshme përfaqëson një pikë kthese për karrierën e Vladimir Putinit.

Qytetarë rusë ecin në një urë me pllakatet për 14 marsin Presidenti ynë është Putini

Qytetarë rusë ecin në një urë me pllakatet për 14 marsin "Presidenti ynë është Putini"

Edhe vetë kritikët më të mëdhenj të Kremlinit nuk mund ta mohojnë se Rusia sot paraqitet më mirë se katër vjet më parë, kur presidenti i sëmurë Boris Jelcin ia kaloi pushtetin Vladimir Putinit. Kryetari i ri i shtetit jo vetëm që arriti ta ndalojë rrënimin ekonomik të vendit më të madh të botës. Rusia është sot në gjendje të dëshmojë një zhvillim ekonomik, për të cilin shumica e shteteve perëndimore vetëm mund të ëndërrojnë. Reformatori i ekonomisë Putin kishte fatin e të aftit: çmimi për naftën dhe gazin vitet e fundit ka qenë i lartë, kështu që në arkat bosh të shtetit u futën para të reja. Rusia i shleu krahasimisht shpejt një pjesë të madhe të borxheve ndaj shteteve perëndimore. Pagat dhe pensionet- ndryshe nga Ukraina fqinjë- paguhen me përpikmëri. Standardi i jetesës së qytetarit të zakonshëm rus po rritet vazhdimisht.

Po kaq e kuptueshme të duket që qeveria e Moskës u përpoq me të gjitha mjetet për të ndaluar zgjedhjet demokratike. Putini do t'i kishte fituar edhe ato me siguri. Kurse kështu, në katër vitet e ardhshme ai do të qarkullojë me njollën e legjitimitetit të kufizuar demokratik nëpër parketet perëndimore.

Nëse Putini do të nxisë më tej integrimin e Rusisë në strukturat perëndimore- dhe kjo pritet- ai duhet ta shtyjë më përpara procesin demokratizues të vendit të tij. Nuk mund të ketë demokraci pa zgjedhje të lira, pa liri shtypi, pa ndarje pushtetesh, pa respektimin e të drejtave të njeriut. Por Putini është i gatshëm t'i respektojë pak të drejtat bazë demokratike, për të përshpejtuar me ndihmën e një shteti të fortë modernizimin e Rusisë.

Për këtë flet zënia e posteve ministrore në qeverinë e re: të ashtuquajturat ministri të pushtetit, pra mbrojtja dhe e punëve të brendshme u zunë me politikanë të shërbimit të fshehtë. Njëkohësisht, në krye të sektorëve të ekonomisë dhe të financave erdhën forca me drejtim reformator. Kryeministri i ri dhe ministri i tij i jashtëm, Mihail Fradkov dhe Sergej Lavrov kanë jetuar të dy për shumë vjet në perëndim. Tani ata do të kujdesen që muaji i mjaltit në marrëdhëniet ruse me perëndimin të vazhdojë edhe më tej. Sepse Putini e di se modernizimi i Rusisë pa teknologji perëndimore është i destinuar të dështojë. Praktikisht të gjithë ministrat e qeverisë së re janë të varur nga shefi i Kremlinit, nuk kanë pushtet të vetin. Ata nuk mund t'i referohen as mbështetjes së
ish-presidentit Jelcin.

Qendra e vërtetë e pushtetit të Rusisë mbetet aparati presidencial. Parlamenti është degraduar në një mbledhje të atyre që thonë "po". Guvernatorët në rajone gjithashtu nuk guxojnë të kundërshtojnë. Putini ka afërsisht po aq pushtet sa kishin dikur carët rusë. Pushtet,përse?

Në sukseset e Putinit bën pjesë legjitimimi i pronës private për tokën. Nëse ekonomia popullore ruse dëshirohet të qëndrojë në themele të sigurta, ajo ka nevojë edhe për një reformë të sistemit bankar, dhe para së gjithash të atij komunal. Kjo e fundit do të sillte me vete një ngritje drastike të çmimeve për energjinë elektrike, gazin dhe qiratë. Pa qenë fort mbi kalë, asnjë president rus nuk do të guxonte ta merrte përsipër këtë detyrë herkuliane.

Dikur, Putini i fitoi zgjedhjet me premtimin se do të përfundonte luftën në Ceceni. Por megjithë deklaratat zyrtare, se lufta në Kaukaz ka mbaruar, paqe në Ceceni nuk është kthyer.

Perëndimi ka nevojë për Rusinë si partnere në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar. Njëkohësisht ai nuk duhet të pushojë së kërkuari një zgjidhje paqësore për konfliktin e Kaukazit.

  • Data 10.03.2004
  • Autor Miodrag SORIC
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqve
  • Data 10.03.2004
  • Autor Miodrag SORIC
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqve