Fitore e pjesshme e Theresa May | Politika | DW | 30.01.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Politika

Fitore e pjesshme e Theresa May

Parlamenti britanik nuk vendosi dot nën kontroll Brexitin. Theresa May mundi t'i bashkonte mbas vetes konservatorët. Kërkesa e tyre është të largojë Backstop-in irlandez nga marrëveshja me BE.

Dy javë më parë kryeministrja mori një goditje të rëndë, por këtë mbrëmje në Dhomën e Ulët të parlamentit radhën e ka opozita. Deputetë laburistë u patën përpjekur që të marrin kontrollin parlamentar mbi gjithë procesin e Brexitit, nëpërmjet një kërkesë mbipartiake. Por ata dështuan në krejt linjën e tyre, dhe të gjitha përpjekjet e deputetëve për të fituar më shumë influencë u goditën nga shumica konservatore.

Theresa May dhe Mission Impossible

Theresa May ka arritur të bëjë të pamundurën. Ajo e bëri sërish bashkë partinë e saj, për ta mbështetur. Apo ajo arriti ta bënte këtë vetëm sepse i premtoi ithtarëve të linjës së ashpër, se do të kthehet në Bruksel për të bindur BE-në që të heqë nga marrëveshja e daljes prej BE, Backstop-in irlandez, risigurimin se nuk do të krijohet një kufi i fortë me Irlandën. Kaq thjeshtë.

Ajo beson se me shumicën që mezi e arrin mes deputetëve, po të shkojë në Bruksel dhe të kërkojë heqjen e Backstop-it, kolegët europianë do të impresionohen nga unanimiteti i konservatorëve dhe do ta aprovojnë menjëherë. Të paktën Theresa May bën sikur beson në këtë gjë.

Sepse të gjitha reagimet nga Brukseli kanë pasur sidomos një fjalë: Jo! Nga presidenti i Komisionit të BE,  Jean-Claude Juncker deri tek presidenti i Këshillit Donald Tusk, presidenti francez Emmanuel Macron, të gjithë thanë një "Jo", marrëveshja e daljes nga BE nuk do të hapet nga e para. Dhe May e dinte këtë që më parë, se në fund të fundit ata dhe telefonuan. Por ajo e nisi vetë veten në një "Mission Impossible".

Edhe në Bruksel mund të vëzhgosh taktikat e konservatorëve britanikë dhe mund të pyesësh sa besim mund të kihet tek partia në pushtet dhe kryetarja e saj. Pse duhen bërë lëshime të tjera?

A ka tani qartësi më të madhe?

Përgjigja është "Jo". Sepse nëse BE e refuzon tani May, ajo do kthehet pas dy javësh sërish në Dhomën e Ulët të parlamentit dhe duhet të deklarojë se nuk është në gjendje të sjellë atë që duan ata. Atëherë partia e saj duhet të deklarojë, se bëri çdo gjë të mundur dhe do të lusë deputetët që megjithatë ta japin votën. Kjo nuk do të gëzonte as breksitasit as unionistët irlandezo -verior dhe do të përfundonte sërish në humbje.

Atëherë mundësia e fundit që do të kishte May, do të ishte t'i lutej BE për të shtyrë datën e Brexitit, sepse nuk mund të marrë aprovimin e të gjithëve. Por nëse bëhet fjalë për shtyrje, Brukseli kërkon një plan konkret. Pra qeveria britanike do të duhej të bënte një referendum të ri, zgjedhje të reja ose duhet të tregojë një zgjidhje konkrete. Të gjitha gjëra që në parim ajo mundohet t'i shmangë.

Apo afrohet më shumë Brexiti i fortë?

Në parim mbas kësaj mbrëmjeje të vetë reflektimit dhe kërkimit terapist për një politikë të përbashkët në parlament, afrohet edhe më shumë një Brexit i ashpër. Deri në datën e daljes nga BE duhen edhe dy muaj, e keqja më e madhe do të ishte dalja nga BE pa marrëveshje, me të cilën do të kishin automatikisht një fund të gjitha paktet dhe rregullimet e përbashkëta. As europianët nuk e duan këtë skenar, sepse ai dëmton shumë vende. Dëmi ekonomik do ishte në anën e palës britanike, sido që të jetë breksitasit e ashpër që rrethojnë Jacob Rees-Mogg dhe Boris Johnsonin kërkojnë prej kohësh një breksit të fortë, prej javësh shpërndajnë në mediat sociale gjoja përfitimet që do të sillte dalje nga BE pa marrëveshje dhe shanset që hapen për Britaninë e Madhe në nivel "global".

BE pra nuk mund të mbështetet tek të qënurit të arsyeshëm i konservatorëve britanikë. Një pjesë e partisë kërkon "të çlirojë" vendin nga BE dhe ata që mbështesin linjën e fortë kërkojnë që edhe në të ardhmen të mos ekzistojnë marrëveshje të ngushta. Kjo zbulon kotësinë e fjalëve diplomatike për "partneritetin dhe miqësinë" e ardhshme mes politikanëve të të dy palëve. Nëse konservatorët do të drejtohen nga kjo pjesë e partisë, atëherë në të ardhmen marrëdhëniet me BE do të karakterizohen nga konkurrenca dhe mosbesimi.

Çfarë do ndodh më tej?

Për këtë pyetje aktualisht nuk ka përgjigje. Në mes të muajit shkurt, Theresa May do të prezantojë sërish në parlament Paktin e daljes nga BE, me ose pa aprovimet e reja nga BE. Çfarë ndodh pastaj? A do të përkulen breksitasit e ashpër, sepse preferojnë më mirë një dalje të shpejtë se sa një shtyrje? Apo janë duke luajtur poker  për të detyruar arritjen e një Brexiti të ashpër, të cilin Theresa May po ashtu nuk e do?

Ditën e martë u luajt në Dhomën e Ulët të parlamentit një akt tjetër i dramës së madhe të Breksitit. Qartësia nuk është arritur. Dy vjet bisedimesh me BE, përfaqësuesit britanik të popullit janë sot më të përçarë se kurrë.