1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fiton fryma e ekipit

Benjamin Wüst21 Maj 2007

Ekipi i futbollit VfB Shtutgart ia doli që të shtunën më 19 maj pas fitores 2:1 ndaj Kotbusit të bëhet kampion i Gjermanisë për sezonin 2006/2007. Kjo ishte një suprizë e vërtetë

https://p.dw.com/p/AsIQ
Shtutgarti është kampion i vitit 2007
Shtutgarti është kampion i vitit 2007Fotografi: AP

Shtutgartin nuk e kishte askush në llogaritë paraprake mbi fituesit. Ekspertët si dhe profanët përpara sezonit votonin për ekipet tradicionale si Bajern i Mynihut dhe Verder Bremen. Shanse mund të kishin edhe Shalke e Hamburgu, kështu besohej, por gjithçka rrodhi ndryshe.

Spikeri i radios: "Me një krenari të paparë Fernando Meira ngre lart kupën e artë. Kjo është befasi. Askush nuk kish besim tek VfB Shtutgarti në fillim të sezonit, por ata gjithçka e bënë siç duhet, po ashtu edhe traineri e menaxheri Horst Held dhe Armin Veh."

Held dhe Veh janë baballarët e suksesit. Ata ia dolën që të formojnë një ekip të aftë për të sulmuar. VfB Shtutgarti u bë gjithnjë e më konstant, u tregua i mençur në taktikë, i fortë në lojën e pasimeve të shkurtra duke fituar gjithnjë e më shumë simpati, e më pas gjithnjë e më shumë pikë, derisa në fund e meritoi plotësisht titullin e kampionit.

Traineri Armin Veh: "Natyrisht që me këtë nuk kishim llogaritur, sepse ne kemi një ekip të ri. Ne kemi ekipin më të ri në Ligë. Që ne jemi të mirë, këtë e pamë gjatë gjashtë javëve të përgatitjes. Por me arritjet përgjatë gjithë sezonit, them se këtë e kemi merituar plotësisht."

Armin Veh e ka thënë, me Shtutgartin është bërë kampion ekipi më i ri i Bundesligës, e kush e kish menduar këtë pas blerjes së të "rinjve të virgjër" si Kurani, Hinkel e kompani? Meritë të madhe për këtë ka menaxheri Horst Held, i cili me lojtarët e rinj tregoi se ka bërë përzgjedhje fatlume dhe e ka mbështetur fort trainerin e tij të preferuar Armin Veh, që prej të gjithëve konsiderohej si i përkohshëm. Mbështetja ndaj njëri-tjetrit është gjithçka. Yje nuk ka, por mbi të gjitha qëndron fryma e ekipit, deklaron menaxheri Held: "Eshtë gjithmonë kështu, që gjithsekush jep maksimumin në funksionin e vet, qofshin këta lojtarët në fushë, ata në stolin e rezervave, apo ata që nuk janë në drejtim. Secili qëndron në vendin e vet, sepse e kupton dhe e di, se kështu është i sukseshëm."

Titullin e fundit të kampionit Shtutgarti e ka festuar përpara 15 vjetësh, ndërsa sivjet ata e kanë fituar për të pestën herë kupën. Ish-kapitenit, Guido Buhvald (Guido Buchwald) duke dhuruar kësaj here kupën i ndriste fytyra nga gëzimi sikur ta kish fituar vet atë: "VfB Shtutgarti këtë vit ka pasur arritjet më të mira me 34 ndeshje, ndaj kjo fitore është mëse e merituar."

Për tifozët e Shtutgartit kjo fitore ishte një arësye e fortë për të festuar. Mëse 100.000 vetë qëndruan nëpër rrugët e qytetit duke festuar titullin deri në orët e para të mëngjesit të së dielës.