Finte elektorale - presidenti irakian shprehet për tërheqjen e trupave të huaja nga vendi | Bota | DW | 13.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Finte elektorale - presidenti irakian shprehet për tërheqjen e trupave të huaja nga vendi

Presidenti irakian Xhalal Talabani u shpreh për mediat britanike se së shpejti mund të fillojë kalimi shkallë-shkallë i kompetencave tek trupat vendase. Trupat irakiane mund të marrin përsipër nga fundit i vitit 2006 pozicionet e trupave britanike në jug të vendit. Vëzhguesit janë të mendimit se trupat irakiane të sigurisë nuk janë në gjendje që ta mbajnë nën kontroll gjendjen në vend pa mbështetjen e trupave të huaja.

Talabani duke folur përpara gazetarëve

Talabani duke folur përpara gazetarëve

Deri më sot Xhalal Talabani nuk kishte dashur të shprehej për ndonjë afat për tërheqjen e trupave multinacionale nga Iraku. Por gjatë një interviste në televizionin britanik ITV ai përcaktoi një lloj afati kohor për këtë. Shprehimisht Talabani tha: "Ne nuk i duam përjetësisht trupat britanike në Irak. Sipas mendimit tim, ne mund të biem dakord vitin e ardhshëm për një tërheqje graduale dhe në fund të 2006-s trupat irakiane do të mund të zëvendësojnë trupat britanike në jug të vendit."

Tërheqja e menjëhershme e trupave të huaja do të ishte katastrofale dhe mund të çonte në një luftë civile në Irak, shtoi më tej Talabani.

Në Irak janë vrarë 97 ushtarë britanikë

Që prej përfundimit të luftës së Irakut në vitin 2003 aty janë stacionuar 8.500 ushtarë britanikë. Ata gjenden në jug të vendit, zonë e banuar kryesisht prej shiitëve. Ndryshe nga trupat amerikane që janë të dislokuara në qendër të vendit, britanikët ndjekin në Irak një strategji mbrojtëse. Por megjithatë edhe trupat britanike janë bërë gjithnjë e më tepër pre e sulmeve. Kështu që prej shkurtit të vitit 2003 në Irak kanë gjetur vdekjen 97 ushtarë britanikë, 64 prej tyre prej sulmeve të organizuara kryesisht prej milicëve të kreut radikal shiit Muktada al Sadr. Gjatë muajve të fundit sulmet ndaj trupave të huaja në Irak janë ndërmarrë me ndihmën e një tipi të ri lënde eksplozive që aktivizohet me anë të rrezeve infra të kuqe. Ky lloj eksplozivi i ri me prejardhje nga Irani është tepër i vështirë për t'u zbuluar.

Në Britaninë e Madhe kërkohet tërheqja e trupave britanike nga Iraku

Pas çdo atentati në Irak në Britaninë e Madhe ndizen diskutimet për tërheqjen e trupave britanike nga Iraku. Po qeveria britanike nuk tundet nga pozicioni, që trupat britanike duhet të qëndrojnë në Irak për sa kohë janë të nevojshme. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Britanisë së Madhe, sir Michael Jackson deklaroi së fundi se ende nuk është caktuar ndonjë datë përfundimtare për tërheqjen nga Iraku. Ushtria britanike tha ai po punon për të krijuar kushtet që popullsia dhe qeveria e Irakut të jenë në gjendje të ecin me këmbët e tyre dhe vetëm pasi të jenë arritur këto kushte ka ardhur koha për t'u tërhequr.

Trupat irakiane nuk janë në gjendje ta mbajnë situatën nën kontroll

Për momentin nuk duket se kushtet në këtë drejtim janë pjekur. Prandaj deklaratat e Talabanit nisen më tepër prej motivesh politike që lidhen me zgjedhjet që priten të organizohen në Irak. Sipas vlerësimeve të ekspertëve dhe të vëzhguesve trupat irakiane nuk janë ende në gjendje që ta mbajnë nën kontrroll situatën në Irak pa mbështetjen e trupave të huaja. Pra për një tërheqje të trupave britanike gjatë vitit 2006 as që bëhet fjalë. Por edhe në rast se fillon ndonjë reduktim trupash, atëhere ky do të bëhet vetëm me hapa të vegjël dhe brenda një harku të gjatë kohor.


  • Data 13.11.2005
  • Autor Sabina Mathay
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArNO
  • Data 13.11.2005
  • Autor Sabina Mathay
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArNO
Reklamë