Financat e shtetit & shkurtimet e vendeve të punës nga kompanitë e mëdha në Gjermani | Studimi në Gjermani | DW | 05.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Financat e shtetit & shkurtimet e vendeve të punës nga kompanitë e mëdha në Gjermani

Arkat bosh, buxheti në vështirësi

Arkat bosh, buxheti në vështirësi

Në qendër të shtypit të sotëm gjerman janë diskutimet mbi financat e shtetit në kuadër të negociatave për koalicionin e madh qeveritar. Në faqet e shtypit nuk mungojnë as shkrimet mbi shkurtimet e lajmëruara të vendeve të punës nga firma të mëdha në Gjermani.

Gazeta "Ost-Thüringer Zeitung" i komenton kështu planet e politikanëve pjesëmarrës në negociatat për koalicionin e ardhshëm qeveritar: "Për çdo ministri paraqiten plane bujare dëshirash të cilat duket qartë se kushtojnë disa herë më shumë nga ajo çfarë specialistët kishin propozuar për uljen e shpenzimeve buxhetore. Por politika ka një burim të pashtershëm të ardhurash: taksapaguesit. Socialdemokratët kanë harruar ndërkohë fushatën energjike elektorale kundër planeve për tatimin mbi vlerën e ushtuar të Unionit kristiandemokrat-kristiansocial. Unioni vetë ka harruar që rritja e TVSh-së do të bëhej vetëm me qëllim uljen e kostove të punës për të mundësuar kështu hapjen e vendeve të reja. Por pikërisht kjo do të ishte e domosdoshme për t'i dhënë ushqim të ri rritjes ekonomike të vendit dhe shtetit më shumë të ardhura buxhetore pa shtuar barrën fiskale. Sinjalet që po jepen nga palët në bisedime janë shumë të çuditshme", përfundon "Ost-Thüringer Zeitung".

Mbi të njëjtën temë në gazetën "Leipziger Volkszeitung" lexojmë: "Debati rreth tatimit mbi vlerën e shtuar pasqyron gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhen negociatat për koalicionin. Ndërkohë që njëri grup pune mpreh i dëshpëruar lapsin e kuq për të vënë nën kontroll borxhin gjigand disa miliardësh, grupi tjetër thekson se është i gatshëm të pranojë më shumë shpenzime buxhetore. Rregulla më të mira amortizimi për firmat, futja e ndihmës financiare për prindërit, zgjerimi i trasesë së trenit të shpejtësisë së lartë ICE në segmentin Lajpcig-Erfurt-Nyrenberg...Të gjitha plane për t'u lavdëruar. Por pyetja delikate nuk shtrohet: kush do t'i financojë të gjitha këto? Përgjigja është e qartë: pa një vijë konseguente kursimi dhe reduktim të administratës shtetërore nga të gjitha këto plane mbeten vetëm vrima në ujë."

Mbi temën e financave të shtetit citojmë së fundi nga gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung":"Qytetarët preken veçanërisht nga vendimet për kursime të llojeve nga më të ndryshmet. Katër raundet pa rritje të paralajmëruara nga ish-kryetari i socialdemokratëve Myntefering përballë normës në rritje të inflacionit do të thonë jo vetëm ulje e pensioneve por janë në të njëjtën kohë një pohim se anëtarët e koalicionit të ardhshëm të paktën gjatë dy viteve të para të qeverisjes nuk presin as rritje të përgjithshme ekonomike të shoqëruar nga rënia e papunësisë dhe as rritje të konsiderueshme të pagave. Por edhe Unioni bën pohime të pavullnetshme: shtrëngimi i rripit i lajmëruar nga kristiandemokrati Koch këtë javë duket se dështoi: negociatorët kuq e zi nuk janë në gjendje të bien dakord për ilaçin e hidhur të nevojshëm për rimëkëmbjen e financave të shtetit."

Edhe ekonomia private është në fokus të shkrimeve të shtypit të sotëm. Gazeta "Westdeutsche Zeitung" i komenton kështu njoftimet për shkurtime të vendeve të punës nga firma të mëdha në vend:"Telekomi do të shkurtojë 32.000 vende pune, VW 10.000, Ford 1000. Megjithë fitimet rekord banka Deutsche Bank kursen në zërin personel dhe edhe gjigandi farmaceutik Bayer në fund të një viti të suksesshëm shpërdan vetëm pilula të hidhura për të punësuarit. Unioni dhe SPD duhet të mendohen edhe njëherë nëse këta "global player" duhet të lehtësohen edhe më tej nga barra tatimore në dëm të qyetarëve. Ndërkohë që kompanitë do ti investojnë paratë kryesisht jashtë vendit, qytetarët do të konsumojnë më pak dhe ekonomia e brendshme do të dobësohej më tej. Lehtësim fiskal kanë merituar në rradhë të parë firmat e mesme pasi nëse vendet e reja të punës krijohen diku atëherë pikërisht aty."

  • Data 05.11.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Art1
  • Data 05.11.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Art1