1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Filmi "Gjallë" - fati i individit në shoqëritë post-totalitare

2 Janar 2010

Filmi "Gjallë", me regji dhe skenar të Artan Minarollit, është përzgjedhur të marrë pjesë në festivalin ndërkombëtar Palm Spring, në Los Angeles, dhe më pas në Festivalin e Berlinit.

https://p.dw.com/p/LIiH
Kineasti shqiptar, Artan Minarolli.
Kineasti shqiptar, Artan Minarolli.Fotografi: DW/Ruci

Regjisori dhe skenaristi i tij Artan Minarolli tregon për DW-në aventurën e prodhimit të tij, çfarë ngre peshë në juritë ndërkombëtare të festivaleve për të pranuar një film, edhe nga një vend i vogël si Shqipëria.

Fragmenti që hap prezantimin e filmit “Gjallë”, tregon thelbin e subjektit të tij. Në qendër një i ri nga Malësitë e Veriut të Shqipërisë, student në Tiranë. Ai ka ëndrra, kërkon të civilizohet, të integrohet në shoqërinë e kryeqytetit, të bëhet i dobishëm. Por ëndrrat e tij priten në mes. Një hakmarrje shumë e vjetër rëndon në kurrizin e tij. Për të mbetur gjallë detyrohet të braktisë universitetin, të fshihet tek disa të afërm, në një fshat të vogël, të rëndomtë dhe të punojë në një lavazh. Por kjo tanimë nuk është bota e tij. Rikthehet në Tiranë, në universitet ku personi që e kërkon për t'u hakmarrë e gjen.

Regjisori dhe skenaristi i filmit Artan Minarolli, thotë se filmi flet me gjuhën e metaforës dhe të simbolit. Ai nuk është një film aksion. Autori ka qëllim tjetër.

“ Dua të jap fatin e individit në një shoqëri post-totalitare. Në dukje ai gëzon liri pa kufi, por shoqëria shqiptare pas viteve' 90-të, në thebin e saj ka ndryshuar fare pak. Pra, jap një individ të caktuar. Sa më shumë shanse të ketë ai, aq më e zhvilluar është shoqëria dhe e kundërta” - tregon Artan Minarolli.

Për të shkruar skenarin, kineastit Artan Minarollit i shërbyen edhe konsultat me kolegë evropianë. Për më tepër që filmi, që në krye të herës, fitoi mbështetje financiare nga Instituti i Filmit i Austrisë dhe Qendra Kinematografike e Francës.

“Kam qenë në Gjermani, në një mbledhje të përvitshme që bëhet mes producentëve gjermanë, EAVE, quhet organizata. Atje jam konsultuar me disa njerëz profesionistë lidhur me skenarin”, thotë Artan Minarolli.

Dorën e fundit skenarit ia dhanë katër kineastë evropiane nga Gjermania, Austria, Franca dhe Italia. Vetëm pas kësaj filluan xhirimet.

“Xhirimet e filmit janë bërë në pjesën dërrmuese, 99 % të tyre, në Shqipëri. Vetëm një skenë, që kërkonte efektin e xhirimit nënujor, u bë në Vjenë, pasi në Shqipëri nuk kishte pishinë të specializuar me kamera nënujore dhe staf të specializuar për ta bërë xhirimin”, tregon regjisori Minarolli.

Të gjithë aktorët janë shqiptarë por filmi është produkt i një bashkëpunimi evropian.

“Në grupin e prodhimit të filmit marrin pjesë 13 nacionalitete: zëri nga Austria, kamera nga Franca, elektricisti nga Maqedonia. Ishte një “gatim”i çuditshëm në fakt, u zgjodhën më profesionistët dhe ata që nuk i kushtonin shumë shtrenjtë buxhetit të filmit. Montazhi i figurës dhe i zërit u bë në Austri, miksazhi në Francë, laboratori në Itali” thotë Artan Minarolli.

Rruga drejt pjesëmarrjes në Festivalin Palm Spring, thotë Artan Minarolli, është gjysma e rrugës drejt çmimit OSCAR, që për filmin e Artan Minarollit, u hap në Festivalin e Karlo – Vivarit.

Po a është e vështirë është për një autor të një vendi të vogël si Shqipëria, të marrë pjesë në festivale të mëdha ndërkombëtare?

“Autorët duhet të qëndrojnë fort në idetë e tyre. Kur gjërat ecin, puna vlerësohet sepse bota ka nevojë të shohë filma edhe nga një vend, që përfaqëson kulturën, traditën, psikologjinë e tij. Dhe nëse kjo tregohet me art atëherë gjen edhe vlerësimin e duhur", mendon Minarolli.

Kjo duket se ka ndodhur me filmin "Gjallë". Fati tij do të duket pas vetëm dy javësh, më 15 janar kur do të hapë dyert festivali ndërkombëtar, Palm Spring, në Los Angeles.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Eliana Xhani