Fillon procesi kundër të akuzuarve për sulmet me valixhe-bombë në stacionin e Këlnit | Gjermania | DW | 11.04.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Fillon procesi kundër të akuzuarve për sulmet me valixhe-bombë në stacionin e Këlnit

Në kryeqytetin libanez, Bejrut fillon sot procesi kundër Xhihad Hamad, njëri nga dy të dyshuarit kryesorë për përgatitjen e sulmit ndaj dy trenave rajonalë gjermanë në 31 korrik 2006

Valixhet-bomba

Valixhet-bomba

Mbi libanezin 21 vjeçar rëndon akuza që në bashkëpunim me shokun e tij, Jusuf El Hajdib (22 vjeç) ka konstruktuar dy valixhe-bombë duke i vendosur ato në stacionin e trenit të Kölnit në dy trena.

Në procesin që fillon sot në Bejrut para gjyqit qëndrojnë dy libanezë, Xhihad Hamad dhe Jusuf El Hajdib. Tanimë ka të dhëna se dy autorët nuk veprojnë thjesht në mënyrë të veçuar. Në një raport të mediave thuhet se vëllai i madh i të akuzuarit të dytë, Jusuf El Hajdib, Khalid El Hajdib 37 vjeç ka luajtur një rol të rëndësishëm në planifikimin e atentatit. Libanezi 37 vjeçar qëndron nën dyshimin e lidhjeve me Al-Kaidën, rekrutimin e luftëtarëve në Irak dhe mbledhjen e parave. Favaz Zakaria, avokati mbrojtës i të dyshuarit, Xhihad Hamad, pas arrestimit të tij në gusht të vitit 2006 raportoi për një rrjet të gjerë terrorist, që qëndronte pas sulmit të dështuar me valixhet-bombë në stacionin e Këlnit.

"Edhe po qe se ka lidhje, Xhihadi është unaza e fundit në një zinxhir të tillë. Ky rrjet terrorist është më i madh, shumë më i madh. Për këtë unë kam informata, të cilat nuk mund të bëhen publike. Ka një numër të madh informatash, të cilat mund të jenë të vlefshmë për hetuesit gjermanë. Pak para se të arrestohej Xhihadi, kam patur nië bisedë të gjatë me të dhe jam i mirëinformuar. Unë po e theksoj edhe njëherë: Xhihadi është unaza e fundit në zinxhir."


Xhihad Hamad është rritur në Tripoli, në një lagje të varfër në periferi të qytetit. Lutjet e përditshme dhe vizita në xhaminë Rahmeh janë pjesë e zakonshme e jetës së përditshme për Xhihadin e ri. Xhihadi erdhi në Gjermani për një jetë më të mirë, Me shpresën e një jete më të mirë, ai duhej të studionte dhe të martohej me një gejrmane: "Në Gjermani mund të studiosh dhe punosh, kështu na u tha. Nevojitet të lesh një shumë prej 7200 eurosh si kaucion dhe pas kësaj djali mund të studiojë dhe punojë krahas universitetit."- tregon babai i tij.

Në fillim të vitit 2006, Xhihadi erdhi në Gjermani por nuk gjeti parajsën. Familja u zhgënjye kur u informua se djali nuk lejohej të punonte. Prindërit nuk ishin në gjendje të ndihmonin djalin financiarisht. Nëna e të akuzuarit ngre akuza të rënda: "Unë e nisa djalin në Gjermani. Gjermanët duhej të kishin treguar kujdes. Po qe se ai ka rënë në duart e ekstremistëve në Gjermani, që ja kanë bërë trutë dhallë, dhe ma morën mua nga duart, atëherë për këtë kanë përgjegjësi edhe gjermanët."

Në prill të 2006 Xhihadi shkon në Gjermani të njihet me Jusuf El Hajdibin personalisht. Edhe El Hajdibi, i cili pret fillimin e procesit në Berlin erdhi në Gjermani për të studiuar. Edhe ia vjen nga familje e varfër. Disa vëllezër të El Hajdibit kanë lidhje të ngushta me organizatën "Hiz ut-Tahrir" "Partia e çlirimit". Fjalën e ka në familje vëllai 37 vjeçar, Khalid El Hajdib, për të cilin dyshohet se ka lidhje me Al Kaidën.

Procesi në Bejrut pritet me interes të madh. 22 vjeçari Jusuf El Hajdib deri më tani ka zgjedhur rrugën e heshtjes. Ndërkohë që Xhihad Hamad ka dëshmuar që në arrestimin e tij dhe ka shprehur keqardhjen për aktin. Krahas dy të dyshuarve duhet të përgjigjen para gjyqit edhe katër libanezë të tjerë.

  • Data 11.04.2007
  • Autor Ulrike Hummel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqwt
  • Data 11.04.2007
  • Autor Ulrike Hummel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqwt