1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillon konferenca e APEC-ut në Santiago de Chile

Ulrich Encke20 Nëntor 2004

Të shtunën filloi në kryeqytetin e Kilit, Santiago, samiti i 12-të për bashkëpunimin ekonomik të shteteve aziatike dhe atyre të zonës së Oqeanit Paqësor, APEC. Në këtë samit merr pjesë edhe presidenti amerikan Bush, si edhe presidenti kinez Hu Jintao dhe ai rus Vladimir Putin. Një ditë përpara fillimit të samitit në Santiago u organizua një demonstratë e madhe kundër ardhjes së presidentit amerikan dhe samitit të APEC-ut.

https://p.dw.com/p/Aqud
Fotografi: AP

Pas demonstratave, përleshjeve dhe protestave kundër fillimit të konferencës së APEC-ut, më në fund, duket sikur kjo konferencë do të zhvillohet njësoj siç dëshirojnë amerikanët. Përveç temave mbi liberalizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik mes vendeve aziatike dhe atyre të zonës së Oqeanit Paqësor, amerikanët kanë shprehur dëshirën e tyre që në këtë samit të diskutohet edhe mbi luftën e përbashkët kundër terrorizmit ndërkombëtar si edhe mbi programet bërthamore të Koresë së Veriut dhe Iranit. SHBA-s shpresojnë se Republika Popullore e Kinës, presidenti i së cilës ka ardhur në Santiago, do të jetë në gjendje të ndërmjetësojë për Teheranin. Ndërkohë edhe presidenti rus Putin ka sinjalizuar se do të flasë me amerikanët mbi Teheranin. Rusia ende investon në programin bërthamor të Iranit.

Ndërkohë që amerikanët përpiqen të gjejnë partnerë të rinj në rajon, kryeministrat dhe presidentët e shteteve aziatike dhe atyre të zonës së Oqeanit Paqësor bëjnë të njejtën gjë që kanë bërë që prej sulmeve terroriste në Nju York dhe Uashington: Ata zhvillojnë bisedime dypalëshe dhe përpiqen të rrisin zhvillimin ekonomik në rajon, i cili nuk ka ecur më përpara që kur amerikanët koncentrohen vetëm tek lufta e tyre kundër terrorit.

Një ditë përpara se të fillonin bisedimet, të premten, u zhvilluan disa protesta masive në të gjithë qytetin. Mijëra njerëz protestuan kundër samitit ekonomik dhe globalizimit si edhe kundër ardhjes së presidentit amerikan Bush. Forcat e sigurisë kanë rrethuar çdo centimetër të pallatit të presidenti dhe e kanë kthyer qendrën e Santiagos në një qytet fantazmash.

Rreth 25.000 kundërshtarë të globalizimit, të cilët mbanin pllakata kundër Bushit në duar, marshuan në shenjë proteste nëpër qytet. Aktet e dhunshme u luftuan menjëherë nga policia me gaz lotësjellës dhe shkopinj gome. Mbi 120 njerëz u arrestuan. Pjesa tjetër e protestës mbeti paqësore.

Bush vetë nuk pa asnjë nga këto skena. Ai arriti në Santiago të premten në mbrëmje. 20 kryetarët e tjerë të shteteve pjesëmarrëse në konferencë kishin arritur disa ditë më parë. Bushi ka sjellë më shumë shoqërues me vete se të gjithë presidentët e tjerë së bashku. Një javë më parë zyrat kilene kishin kërkuar dhe aprovuar importin e 200 armëve speciale për mbrojtjen e presidentit amerikan.