1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillojnë së shpejti bisedimet mes Indisë dhe Pakistanit

Julia Bernstorf9 Janar 2006

Në mes të këtij muaji do të vazhdohen bisedimet për paqen mes Indisë dhe Pakistanit. Këto dy superfuqi atomike janë armike prej dekadash për shkak të rajonit kufitar me Kashmirin

https://p.dw.com/p/AqrL
Fotografi: APTN/DW

Ata flasin sërish me njëri-tjetrin. Sipas ekspertëve ky është një zhvillim pozitiv. Por ndonëse mungojnë rezultate konkrete, ende nuk flitet për ndarjen përfundimtare të rajonit të Kashmirit apo për kërcënimet atomik mes dy vendeve. Por këtu bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike. Të dyja shtetet duan të hapin përfaqësitë diplomatike dhe të përmirësojnë qarkullimin në rajonin kufitar të Kashmirit. Por sipas profesorit, Dieter Rotermund nga universiteti i Heidelbergut, Pakistani nuk i beson shumë Indisë. Madje edhe ndihma që i ofroi India Pakistanit për viktimat e tërmetit të fuqishëm përpara tri muajsh, u pranua me hezitim nga ana pakistaneze. Por sipas profesorit Rotermund, bisedimet mes dy vendeve kanë marrë një drejtim pozitiv: "Besoj se mund t'a quajmë politikë të hapave të vegjël dhe kur së shpejti të jenë hapur konsullatat dhe të jetë liberalizuar qarkullimi i njerëzve, mund të themi se këto dy shtete kanë ecur vërtet përpara" thotë ai.


Por klima e mirë mes dy shteteve nuk influencon pozitivisht vetëm marrëdhëniet bilaterale. Pakistani dhe India kanë kryer dy luftëra kundër njëri-tjetrit për shkak të rajonit të Kashmirit. Pakistani ka kohë që deklaron se ky rajon është pjesë e tij, për shkak të shumicës së banorëve, të cilët janë myslimanë. Ndërkohë India nuk e pranon këtë interpretim, sepse edhe në Indi ka miliona myslimanë.


Ende nuk ka ndonjë zgjidhje konkrete të çështjes së Kashmirit. Sipas Rotermundit ky është një fakt i rrezikshëm: "Situata bëhet më e ndërlikuar për shkak të faktit se të dyja këto shtete kanë armë bërthamore. Mendoj se gjatë bisedimeve që do të zhvillohen në mes të muajit janar, do të arrihet një kompromis edhe përsa i përket reaktorëve atomikë që kanë këto dy vende."

Por përsa i përket temës së armëve bërthamore, ekzistojnë mendime të ndryshme mes dy vendeve. Ndërkohë që Pakistani e konsideron si të drejtë sulmin e parë atomik për shkak të sipërfaqes së vogël gjeografike që ka, dhe ua ka dorëzuar të gjitha armët bërthamore ushtrisë së saj, India e ka bërë të qartë pozicionin e saj se nuk do të kryejë ndonjë sulm bërthamor kundër Pakistanit dhe se armët e saj bërthamore nuk ndodhen në duart e ushtrisë.