″Fillimisht duhet të zërë vend realizmi në Beograd″ | Ballkani | DW | 09.02.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Fillimisht duhet të zërë vend realizmi në Beograd"

Prof. Heinz Jürgen Axt, zëvendëskryetar i shoqatës për Evropën Juglindore dhe shef i katedrës për integrimin evropian dhe politikën evropiane në Universitetin e Duisburgut për pozicionin e Serbisë në këto ditë të negociatave për zgjidhjen e statusit të Kosovës

Parlamenti serb

Parlamenti serb

Schmidt: Treshja e BE-së u përpoq dje që t´i hapë udheheqjes serbe një perspektivë evropiane, por njëkohësisht i ka bërë të qartë se Serbia duhet të pranojë zgjidhjen për Kosovën në bazë të propozimit të Ahtisaarit. Kryeministri Koshtunica e refuzon parimisht propozimin dhe presidenti Tadiç do ta ketë të vështirë ta pranojë sovranitetin e Kosovës. A mund të ketë një kompromis?

Axt: Sigurisht që për palën serbe kjo do të jetë shumë e vështirë dhe nuk është çudi, që BE përpiqet t´i bëjë Serbisë një ofertë, që në këtë situatë të ketë një zgjidhje të arsyeshme, por nga ana tjetër duhet të jemi realist. Ka dy shkaqe të mëdha pengesë për të cilat duhet folur hapur. Njëra është, që përderisa në Serbi të mos ketë një qeveri stabel, për çdo qeveri serbe do të jetë shumë e vështirë, që ta pranojë planin e Ahtisarit, sepse humbjet politike janë shumë të medha dhe tjetra sot duhet thënë me realizëm, se perspektiva e zgjerimit, të flasim në një periudhë afatmesme apo afatgjatë ndodhet nën një yll jo të mirë të lodhjes nga zgjerimi dhe kjo kuptohet në Evropën Juglindore, se nuk është aq e lehtë që të hapet dera e BE-së.

Schmidt: Çfarë i sjell Serbisë një marrëveshje teorike stabilizimi dhe asociimi tani, n.q.se bisedimet për këtë do të fillonin me të vërtetë?

Axt: Ka një vlerë të madhe simbolike, dhe besoj se do të vlerësohej shumë edhe nga popullsia në Serbi, n.q.se marrëdhëniet me BE-në do të formalizoheshin, dhe në kuader të përcaktimit të kushteve të thuhet se këto hapa të arrihen. Hapi tjetër mund të ishte nominimi për kandidat potencial, për kandidat në hapjen e raundit tjetër të bisedimeve për pranim. Dhe mendoj se nuk ka çfarë të pengojë që kjo çeshtje të merret në dorë, ndoshta BE-se i duhet edhe pak kohë, por besoj se vlerë simbolike ka edhe për elektoratin, që hapi tjetër i afrimit me BE-në mund të arrihet, besoj se këtë nuk duhet ta nënvleresojmë.

Schmidt: A mund të vendosë Serbia për perspektivën evropiane, n.q.se duhet të zgjedhë mes kulaçit dhe kërbaçit?

Axt: Mendoj, se ajo që duhet të ngulitur në kokat e njerëzve është që Serbia nuk ushtron më kontroll mbi Kosovën dhe nuk do ta bëjë as në të ardhmen. Mendoj se Serbia ka një kartë të mirë në dorë, n.q.se thotë ne duhet të kujdesemi që popullsia serbe në Kosovë të mbrohet, por ajo duhet ta kuptojë se -de facto- Kosova nuk është më pjesë e territorit shtetëror e kontrolluar prej saj dhe që atje ka rregulla të tjera. Dhe në parim është iluzion se do ta kthejë atë në territor të kontrolluar nga qeveria në Beograd. N.q.se kjo është bërë një herë e qartë, atëherë mund të krijohen situata me përfitim reciprok ku të thuhet de fakto nuk e kemi më kontrollin mbi Kosovën, çfare mund të ishte në dobinë tonë? Do të ishte vlera simbolike dhe reale e afrimit me BE-në. Por fillimisht duhet të zërë vend realizmi në Beograd dhe në parim udheheqësit politikë duhet të kenë guximin, që këtë t´ia thonë hapur popullates, por unë nuk shoh se ekziston në moment ky guxim nga ana e politikanëve, që t´i hyjnë ketij rreziku.

Schmidt: E zëmë se propozimet e Ahtisaarit aprovohen në Këshillin e Sigurimit dhe procesi avancon me ose pa pjesëmarrjen e Beogradit, çfarë perspektivë integrimi ekziston për Kosovën?

Axt: Kjo do të jetë sigurisht një ndërmarrje e vështirë. Çështja është se me raportin e Ahtisarit Kosovës i njihet e drejta, që të hyjë në organizmat ndërkombëtare, që do të thotë se përfshin edhe afrimin me BE-në. Me sa di unë kjo nuk është e shpjeguar në mënyrë eksplicite në raportin e Ahtisaarit. Për këtë nuk diskutohet as mes politikanët e BE-së, gjithsesi unë nuk di të ketë. Por n.q.se formula është, më pak se pavarësi por më shumë se autonomi, atëherë ndoshta duhet parë me realizëm në një periudhë afatgjatë, pespektiva do të jetë që Kosova nuk mund të evitohet. Në qoftë se Maqedonisë, apo Kroacisë, në plan afatgjatë edhe Serbisë i jepet perspektiva e BE-së, dhe i afrohen BE-së, atëherë duhet gjetur një zgjidhje e pranueshme dhe për Kosovën dhe nuk mund të mbetet njolla e vetme e bardhe në Ballkan, që nuk të mos afrohet me BE-në.

Schmidt: A ka një zgjidhje për një anëtarësim në BE, apo për integrim në BE, e cila të jetë e mundur përtej sovranitetit shteteror, sepse BE-ja është një bashkësi shtetesh?

Axt: Unë kam qenë gjithnjë skeptik ndaj atyre, që besojnë se perspektiva evropiane në vetvete mund të zgjidhte kontrastet, apo edhe konfliktet në mes shteteve. Mendoj se nuk është kështu dhe në parim nevojitet një lloj shteti, që të jetë në gatshme t´ia japë pjesë të sovranitetit shteteror BE-së. Duhet politikë e përgjegjshme legale në gjendje për ta bërë një gjë të tillë. Kjo ka qenë kështu në rastin e Bosnjes. Për mua nuk ka patur kurrë kuptim që të duash ta afrosh Bosnjën me BE-në pa patur në Bosnjë institucione që të mund të negociojnë në interes të Bosnjes. Nuk mund të jetë BE ajo që do të negociojë me përfaqësuesit e lartë të tij në Bosnjë, të negociojë me vetveten, kjo nuk mund të jetë. Por për shkak të zhvillimeve dhe të realiteteve që po ravijëzohen, BE duhet të gjejë rrugë se si do të veprojë me këtë rast special Kosovën. Bashkësia e shteteve ka gjithnjë shpresë se Kosova do të mbetet një rast special dhe jo të kete pasoja në rajone të tjera të kësaj bote apo në fqinjësi të BE. Do të jetë diçka e re dhe unë nuk kam recete të gatshme se si do të jetë afrimi. Një gjë është e qartë se nuk do të mbetet njolla e bardhe siç e thashë edhe me lart.

  • Data 09.02.2007
  • Autor Fabian Schmidt
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArYo
  • Data 09.02.2007
  • Autor Fabian Schmidt
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArYo
Reklamë