1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillimi i një epoke të re? Baradei te demonstruesit

31 Janar 2011

Gjendja në Egjipt po merr tipare anarkie. Perëndimi kërkon reforma, opozita dhe El Baradei qeveri të unitetit kombëtar.

https://p.dw.com/p/107Xk
El Baradei te demonstruesit
El Baradei te demonstruesitFotografi: dapd

Pas protestave masive të ditëve të kaluara, situata në kryeqytetin egjiptian Kairo është shtensionuar disi. Ushtarë të armatosur me shkopinj gome dhe grupe vullnetarësh kanë penguar plaçkitjet në shumë lagje të qytetit.

Ndërkaq opozitarë egjiptianë kanë bërë thirrje për një demonstratë masive të martën në Kairo. Një përfaqësues i organizatës së ndaluar "Vëllazëria myslimane" deklaroi, se lëvizja fundamentaliste kërkon të krijojë një komitet të grupeve opozitare, së bashku me nobelistin e paqes Mohamed el Baradei.

Mbajtësi i Çmimit Nobel të Paqes, egjiptiani Mohamedd el Baradei u bashkua të dielën në mbrëmje me demonstruesit opozitarë, që kërkojnë largimin e regjimit të presidentit Hosni Mubarak. Ai u tha demonstruesve se po fillonte një epokë e re dhe se nuk kishte më kthim pas. El Baradei bisedoi në sheshin qendror të manifestimit Tahrir me demonstruesit, pa pasur mundësi që t'u drejtohej të gjithë njerëzve, tha një korrespondent i agjencisë gjermane të lajmeve dpa. Me daljen e tij el Baradei e injoroi arrestin shtëpiak të vendosur nga autoritetet një javë më parë. Në një intervistë me BBC ai tha:

"Unë mendoj se të gjithë e kuptojnë se e gjitha nuk do të marrë fund, pa u larguar sot Mubaraku, pa rënë dakord me ushtrinë për një qeveri të unitetit kombëtar, pa u largua ushtria nga rrugët. Po t'i bëjmë këta tri hapa dhe sigurojmë në proces nevojat bazore të njerëzve, atëherë ne do te kemi një tranzicion të lehtë, një Egjipt që është demokratik, që është i moderuar."

Ägypten Proteste
Mijëra egjiptianë duke demonstruar në KajroFotografi: dapd

"Ditë historike"

El Baradei i quajti protestat kundër Mubarakut si "ditë historike". "Ajo që kemi nisur, nuk mund të kthehet pas", e citon atë stacioni në gjuhën arabe, El Xhazira. Vetëm pak demonstrues pranë tij arritën ta dëgjojnë.

Midis mijëra demonstruesve në shesh kishte anëtar të Vëllazërisë Myslimane, të partisë së majtë Tagammu, të partisë liberale al-Ghad si dhe disa parti të tjera të vogla. Edhe anëtarë të lëvizjes Kifaja (Mjaft) marrin pjesë në demonstrata. Anëtarët e kësaj lëvizjeje opozitare joparlamentare ishin të parët, që protestuan para vitesh hapur kundër Mubarakut dhe që kërkuan dorëheqjen e tij.

Më parë Baradei, ashtu si dhe vëllezërit myslimanë egjiptianë, pati kërkuar krijimin e menjëhershëm të një qeverie të pajtimit nacional. "Egjipti ndodhet i përfshirë nga flakët. Vendi po shpërbëhet. Kudo ka plaçkitje", tha ai në një intervistë të televizionit CNN. Ushtria nuk ishte në gjendje ta vendoste gjithçka nën kontroll, tha Baradei.

Rrezik për anarki

Ägypten Proteste Chaos
Kaos nëpër qytete si pasojë e protestave në EgjiptFotografi: AP

Kjo në një kohë kur revolta politike në Egjipt kërcënon të kthehet në anarki. Plaçkitës, hajdutë, zjarrvënës dhe terroristë e terrorizojnë popullin në shumë pjesë të vendit. Me ndihmë nga jashtë burgjeve, kanë dalë nga burgjet kriminelë të njohur dhe ekstremistë islamikë. Ushtria egjiptiane arrestoi në të gjithë vendin rreth 450 plaçkitës. Ata do të dalin para gjyqeve ushtarake. Deri të dielën në të gjithë vendin e humbën jetën 150 vetë nga trazirat. Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe i bënë thirrje qeverisë egjiptiane dhe demonstruesve që të heqin dorë nga dhuna. Në një deklaratë të përbashkët, kancelarja Angela Merkel, presidenti francez, Nikolas Sarkozi dhe kryeministri britanik, David Cameron i kërkojnë 82 vjeçarit Mubarak që të iniciojë një proces transformimesh, drejt një qeverie "që mbështetet në bazë të gjerë dhe zgjedhjeve të lira dhe korrekte." Në një telefonatë të dielën në mbrëmje, kancelarja Merkel i kërkoi presidentit Mubarak para së gjithash që të nisë një dialog me popullin dhe "t'u përgjigjet kërkesave të tyre të justifikuara."

Autor: Auron Dodi (dpa,gu,BBC)
Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi