1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillim pune "me këste" nga qeveria e re irakiane

Peter Philipp22 Maj 2006

Fillimi i punës nga qeveria e re e parë e rregullt e Irakut prej përmbysjes së Sadam Huseinit tri vjet më parë është një sukses, për të cilin politikanët irakianë vetëm mund të përshëndeten. Presidenti Bush foli menjëherë për një "disfatë shkatërruese" për terroristët, duke u shprehur ndoshta shumë optimist. Sepse terroristët e vendosur për ta destabilizuar Irakun edhe më tej kanë në dispozicion burime të mëdha armësh, financash dhe mbështetjeje.

https://p.dw.com/p/Aqpv
Qeveria e re irakiane
Qeveria e re irakianeFotografi: AP

Kemi të bëjmë me një fillim pune me këste, nga ana e qeverisë së re irakiane. Por sido që të jetë: edhe nëse postet e ministrave të brendshëm dhe të mbrojtjes si dhe posti i ministrit të sigurisë nuk janë plotësuar ende, kryeministri irakian Nuri Maliki megjithatë mund ta konsiderojë sukses, që tri vjet pas rrëzimit të Sadam Huseinit më në fund në Bagdad vjen në pushtet një qeveri e zgjedhur në mënyrë të rregullt, e cila nuk shoqërohet më nga atribute "kalimtare", "e përkohshme" ose "provizore".

Deri këtu, mirë. Por puna nuk përfundon vetëm me thirrjen e ministrave. Tani, politikanët duhet t'u drejtohen problemeve të vendit. Dhe të tilla ka shumë. Maliki ka bërë të ditur se do të veprojë në mënyrë të vendosur kundër terrorizmit, por pikërisht këtu qëndron një nga dobësitë më të mëdha të tij: forcat e sigurisë në Irak deri tani nuk janë thuajse aspak në gjendje që të vendosin rend dhe qetësi në vend, por para së gjithash: të garantojnë sigurinë. Dhe për aq kohë sa do t'u duhet që të mbështeten në bashkëpunimin e pushtuesve amerikanë, përpjekjet e tyre natyrisht që janë të rrezikuara, sepse ato vështrohen si kolaboratore dhe luftohen.

Një dobësi tjetër e qeverisë së re është numri i anëtarëve të saj: fakti që në kabinet bëjnë pjesë mbi 30 ministra dhe disa ministra shteti, demonstron se Maliki është përpjekur të kënaqë në një farë mënyre shumicën e grupeve politike në vend, jo vetëm shiitët, sunitët dhe kurdët, por edhe nëngrupe. Dhe nuk të duhet shumë që të arrish në dyshimin se një demonstrim i tillë i "unitetit kombëtar" mund të përfundojë shumë lehtë në grindje, në mosmarrëveshje dhe në mungesë uniteti.

Rënia dakord e grupeve më të rëndësishme për ta ndërtuar së bashku shtëpinë Irak, sigurisht që duhet lëvduar, por për sa kohë do të vazhdojë një bashkëpunim i tillë? A do ta mbijetojë ai shqyrtimin e planifikuar të kushtetutës? Ose atentatet e tjera nga një grup i popullatës kundër grupeve të tjera? A do të jetë një koalicion në gjendje, të gjejë dhe të mbrojë një pozicion të unisuar përballë SHBA?

Por në Uashington me siguri që e dinë se qeveria e re do të kërkojë herët ose vonë përcaktimin e rregullave për qëndrimin e ardhshëm të trupave amerikane në Irak. Sepse për këtë, në Bagdad dhe në pjesën tjetër të vendit ka konsensus: nën pushtim askush nuk ka dëshirë të jetojë. Për SHBA kjo do të thotë që synimet amerikane të luftës- ose cfarë ka mbetur prej tyre- të rishikohen në mënyrë rrënjësore: qeveria e re irakiane është rezultat i një procesi demokratizimi të blerë shtrenjtë si nga amerikanët, ashtu edhe nga irakianët. Pikërisht për këtë shkak, ajo nuk do të ketë dëshirë të jetë në dispozicion si instrument i bindur i Uashingtonit.