1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Fillim i ri" në marrëdhëniet amerikano-ruse - Takimi Obama Medvedjev

7 Korrik 2009

Obama duhet ta kuptojë që ka çështje prej të cilave interesat e Rusisë preken aq shumë, sa që Moska nuk mund të lëvizë.

https://p.dw.com/p/IicF
Presidenti rus Dimitri Medvedev, dhe ai i SHBA Barack Obama
Bisedimet për çarmatimin mundësojnë ndoshta një fillim të ri edhe në sfera të tjera.Fotografi: AP

Në fokus të komenteve në shtypin gjerman të së martës është takimi mes presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë në Moskë, Obama dhe Medvedjev.

"Hessische/Niedersächsische Allgemeine" komenton: "Vizita e parë e presidentit të ri të SHBA-së në Moskë të kujton pak takimin e parë të presidentëve John F. Kennedy dhe Nikita Krushov në Vjenë qershorin e vitit 1961. Asokohe sovjetikët u zhgënjyen prej amerikanëve, e konsideruan presidentin si një peshë të lehtë politike, pak javë më vonë ngritën murin në RDGJ dhe një vit më pas dislokuan raketat atomike në Kubë, gjë që çoi botën drejt greminës atomike. Për fat sot kohët kanë ndryshuar dhe po ashtu edhe personat. Në Moskë askush nuk do ta nënvleftësojë burrin e ri nga Uashingtoni."


"Stuttgarter Zeitung" nënvizon: "Ndryshe nga Evropa Moska nuk është aleate e SHBA-së dhe ndryshe nga Koreja e Veriut ajo nuk është as armike e betuar e SHBA-së. Rusia ndodhet pra diku në mes dhe mund të lëvizë. Pyetja se në ç'drejtim lëviz ajo varet shumë prej nuhatjes së atij që i qëndron përballë. Obama duhet ta kuptojë, që ka çështje - siç është p.sh. antarësimi i Ukrainës në NATO - prej të cilave interesat e Rusisë preken aq shumë, sa që Moska nuk mund të lëvizë. Por nëse arrihet që përmes bisedimeve për çarmatimin të kapërcehet ndjenja ruse e vetëbesimit, ndoshta është i mundur një fillim i ri edhe në sfera të tjera. Në Afganistan ose në Iran p.sh. ku Rusia ka influencë. Kjo do t'u shkonte përshtat edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës."

Autor: Vilma Filaj-Ballvora
Redaktor: Pandeli Pani