1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Festa e lindjes së rinisë së përjetshme

Leka Plani23 Dhjetor 2013

Atmosfera e gëzueshme e Krishtlindjes ka ditë që ndjehet në qytetin verior të Shkodrës. Por ajo, që i shqetëson banorët e këtij rajoni, është mungesa e vëmëndjes së strukturave shtetërore ndaj problemeve, që ato kanë.

https://p.dw.com/p/1Af63
Albanien Shkodra Weihnachtsbaum
Fotografi: DW/L. Plani

Ndryshe nga festat e tjera, këtë vit është zgjeruar gjeografia e zbukurimeve në kryeqëndrën e veriut të Shqipërisë, Shkodër. Duke u afruar ditët e krishtlindjes dhe të festave, shohim të shfaqet para nesh një tjetër skenar nga ai i së përditshmes. Njerëzit duken se marrin një tjetër ritëm së jetuari. Preukopimeve dhe përkujdesjeve të përditshme u shtohet edhe ai i përgatitjes së festës së Krishtlindjes. Ky ritëm i përvitshëm në muajin dhjetor na bën të kujtojmë e rikujtojmë gjithë skenografinë e një viti më parë. Edhe qyteti duket se ndërron pamjen: dyqanet e zbukuruara, rrugët të mbushura me kalimtarë, shumica e tyre të rinj, që janë kthyer nga jashtë për të festuar me familjarët e tyre. Në sheshet kryesore duket pema e krishtlindjes, dritat e së cilës ndizen e fiken vetvetiu, duke krijuar kombinacione nga më të ndryshmet. Kudo lëvizje, përshëndetje, festime, urime, dreka e darka dhe sigurisht mesha e mesnatës, që predikon dhe bën thirrje për paqe, bashkim e vëllazërim.

Eni e shihni

Shoqërimi i këtij dekori të çdohershëm, me një kohë të qëndrueshme me diell gjatë këtyre ditëve, përbën edhe një anë tjetër pozitive për festën e krishtlindjes. Por pozitiviteti në dukje mbaron këtu. Sepse ana tjetër, atmosfera, që reflekton në shumicën e njerëzve me rastin e Krishtlindjes, nuk është ajo e pritshmja. Kriza e shumëpërfolur ekonomike që përmendet prej më shumë se 5 vitesh, duket se ka arritur të prekë direkt mbarë popullin shqiptar dhe veçanërisht qytetarët shkodranë, deri dje thuajse indiferent jo vetëm ndaj saj. Kjo vërehet sidomos kur sheh më pak buzëqeshje, ose buzëqeshje të sforcuar, si dhe një ndjenjë deri diku trullosëse, që ka mbërthyer në përgjithësi njerëzit dhe mënyrën e tyre të komunikimit. Në vigjilje të Krishtlindes dhe fundvitit 2013, Arqipeshkvi metropolit i Arkidioqezës së Shkodër-Pultit, monsinjor Angjelo Massafra, ka kërkuar më shumë vëmëndje dhe përkujdesje nga ana qeverisë dhe pushtetit vendor, ndaj banorëve të të gjithë Veriut të Shqipërisë në përgjithësi. Sipas tij “nga kjo varfëri e tejskajshme, që mbizotëron, mungesës së vëmëndjes ndaj këtij kontigjenti njerëzish dhe prapambetjes, në të cilën ndodhen aktualisht, mund të lindë mendimi për të mbijetuar nga mbjellja e drogës, ose përfitimeve të tjera të volitshme dhe pasurimi pa shumë mund.“

Albanien Shkodra Weihnachtsbaum
Fotografi: DW/L. Plani

Të varfërit: ulini çmimet

Përtej çdo arsyetimi edhe kjo Krishtlindje i gjeti tregjet shkodrane me çmime të larta, ku në produktet më thelbësore, siç janë drithërat, frutat, perimet, bylmetrat, pijet e embëlsirat, karburantet etj, ndryshimi është i dukshëm. Diferencat e mëdha të çmimeve shihen sidomos tek prodhimet vendase. Banorët e këtij rajoni ankohen dhe pohojnë se “sa herë që afrohet Krishtlindja, apo dhe Viti i Ri, tregtarët i rrisin çmimet e arsotimenteve të të gjitha llojeve, deri në masën 20 %. Sipas tyre askush nga instancat përkatëse nuk i kontrollon çmimet e tregut, ndaj ato rriten përherë e më shumë në fundvit, me dëshirën e vetë tregtarëve. Nga ana e tyre tregtarët çmimet e larta i justifikojnë me faktin se edhe ato vetë produktet ushqimore dhe ndryshme, po i marrin me të shtrenjta se më parë. Në këtë krizë ekonomike, në këtë situatë kritike e gjëndje të mjerueshme, në këtë varfëri të pashoqe, tavolinat e shkodranëve në festën e Krishtlindjes do të jenë më të boshatisura se asnjëherë tjetër.

Shqipëria po ringjallet

Kur afrohen festat fetare si Bajrami apo Krishtlindjet me dhjetra familje, kryesisht në Veri të Shqipërisë, që kanë vuajtur fenomenin e egër të gjakmarrjes, kanë “kapërcyer “mbi dhimbjen dhe mllefin, mbi kanunin dhe opinionin krahinor, duke i falur gjakun familjes së hasmit, pavarësisht gjëmës, që i kishin bërë. Disa ditë më parë familja Gjeloshi nga Tropoja i fal gjakun familjes Delia nga Puka, pikërisht natën e Shën' Kollit. Mësohet se para 14 vitesh djali i familjes Delia gjatë një sherri të çastit ka vrarë djalin e familjes Gjeloshi. Ky ishte amaneti i lënë pak para vdekjes nga plaku i shtëpisë Syl Gjeloshi, duke i dhënë fund përfundimisht hasmërisë mes tyre. Ndërkohë që edhe familja e Zef Palit nga Shllaku, ka falur gjakun e djalit të tij të vrarë 7 vjet më parë. Tashmë familja Pali dhe ajo e Nik Marajt nga Kiri, nuk janë më armike. Të dy familjet kanë shtrirë dorën e pajtimit në prezencen e 60 burrave të pranishëm në këtë akt human. Edhe familjet Kasneci dhe Deda nga Shkodra, ku 45 burra ishin të ngujuar prej 3 vitesh i thanë stop gjakmarrjes, duke i falur gjakun njëra-tjetrës. Po kështu ditën e Kurban Bajramit, Selman Lika, banor i Burrelit me ndihmën e ndërmjetësuesve ka arritur të falë gjakun e vëllait. Ndërsa me 15 dhjetor të këtij viti, në prag të Krishtlindjeve, me ndërmjetësimin e famullitarit të katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër, Dom Gjovalin Sukaj, familja Hili dhe Shytani nga Dukagjini janë pajtuar për t'i dhënë fund një herë e përgjithmonë marrjes së gjakut. Pas një vrasjeje të dyfishtë u deshën 18 vite ngujim për të shtërnguar duart mes një fisnikërie, që shkon përtej çdo vuajtjeje dhe që dëshiron paqe. Apel ky, për të lënë mënjanë armiqësitë dhe rikthimin në jetën normale.

Dy familje i shtrijnë njëra-tjetrës dorën e pajtimit
Dy familje i shtrijnë njëra-tjetrës dorën e pajtimitFotografi: DW/L. Plani

E përvitshme, e përhershme

Që prej një jave bashkia e Shkodrës ka nisur punën për zbukurimin e shesheve dhe rrugëve më kryesore të qytetit, institucioneve qëndrore, bizneseve etj. Këtë herë bashkiakët janë treguar më “dorëlëshuar“ se fundvitet paraardhës. Bazuar në një projekt të hartuar më parë nga specialistët e dekorit posaçërisht për festat, bëhet me dije se bashkia e Shkodrës ka dhënë një fond prej 5 milionë lekësh të vjetra për dekorimin e qytetit. Në dy sheshet kryesore të Shkodrës, “Parrucë“ dhe “Piacë“, janë vendosur dy bredha nga 6 m të gjatë tradicionale të festave të fundvitit, të cilët janë të zbukuruar me mbi 6000 llampa secili, si dhe aksesorë të tjerë zbukurues. Krahas zbukurimeve në pjesët më të dukshme dhe më të frekuentuara nga qytetarët bashkia e qytetit në bashkëpunim edhe me famullinë e Shën Shtjefnit në Shkodër kanë planifikuar edhe një sërë aktivitetesh kulturore, artistike e manifestuese me rastin e festës së krishtlindjes. Ndërkaq sfondi i kësaj nate festive, do të jetë rinia, e cila Krishtlindjen e ka bërë traditë, që ta kalojë në sheshin kryesor të Kishës së Madhe, nën tingujt e muzikës dhe duke hedhur fishekzjarre.

Zbukurime të bollshme në prag të festave
Zbukurime të bollshme në prag të festaveFotografi: DW/L. Plani

Kur? Vitin tjetër

Rikthim në vetvete. Heqin rrobat e “dramës“ veshin të zakonshmet, marrin edhe njëherë kutitë, ku brenda palosin gjithçka në rregull, pastaj çmontojnë Betlehemin. Statujat i vendosin ku ishin, heqin pemën e Krishtlindjes, të rinjtë kthehen në vëndet, ku jetojnë, s' ka më zbukurime ndër dyqane dhe si gjithmonë fiken dritat….! Gjithçka duket si një film retrospektiv për të vazhduar vitin tjetër me të njëjtin skenar. Kështu vit pas viti. Të jemi të sinqertë, mos të gënjejmë veten, ky është shumë herë imazhi, që kemi për Krishtlindjen.