FBI-ja amerikane heton rastin e depërtimit në sistemin e Marriott | Bota | DW | 01.12.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

FBI-ja amerikane heton rastin e depërtimit në sistemin e Marriott

Një sulm piratësh internetit në rrjetin e hoteleve Marriot preku rreth një gjysmë milioni klientë, tha firma të premten, pasi konfirmoi një depërtim masiv në bazën e të dhënave Starwood.

FBI-ja amerikane bëri të ditur se ka nisur hetime në këtë rast. Ajo kërkon nga klientët që të kontrollojnë kartat e kreditit për lëvizje të paautorizuara financiare.

Kjo pasi në disa raste, piratët e internetit mund të kenë përvetësuar të dhënat e kartës së kreditit të klientëve dhe datat e skadimit të tyre. Megjithëse të dhënat e kartës së kreditit do të kenë qenë të koduara, Marrioti tha se nuk mund të përjashtojë që piratët e internetit mund të kenë qenë në gjendje që ta thyejnë kodin e shifrimit.

"Na vjen thellësisht keq që ndodhi ky incident", tha drejtori ekzektiv i Marriotit, Arne Sorenson. "Ne nuk u treguam në nivelin e duhur për atë që meritojnë klientët tanë dhe për atë që presim nga vetja."

Piratët e internetit gjithashtu arritën të depërtojnë në fragmente të dhënash, duke përfshirë emra, adresa, emaile, pasaporta dhe numra telefoni për rreth 327 milionë vetë.

Piratët e 'kopjuan dhe e koduan informacionin'

Sinjalin e parë të alarmit për një përpjekje për të depërtuar në bazën e saj të të dhënave në SHBA, kompania e mori në shtator. Ekipi menaxherial bëri një provë dhe zbuloi se "një palë e paautorizuar ka kopjuar dhe koduar informacion dhe ka ndërmarrë hapa për ta hequr informacionin".

Marriott dhe Starwood u fuzionuan dy vjet më parë. Starwood administron hotele nën emrat: W Hotels, St. Regis, Sheraton Hotels & Resorts, Westin Hotels & Resorts, Element Hotels, Aloft Hotels, The Luxury Collection, Tribute Portfolio, Le Meridien Hotels & Resorts, Four Points by Sheraton dhe Design Hotels.

Marriott International është rrjeti më i madh i hoteleve në botë

Kompania tha se ka ngritur një faqe interneti dhe një numër telefoni për klientët e saj dhe do të nisë dërgimin e emaileve klientëve të prekur. Firma tha edhe se ka gjetur gjurmë për ndërhyrje të paautorizuar në sistemin e rrjetit të Starwoodit që në vitin 2014.

Depërtimi në sistemin e Marriotit është ndër depërtimet më të mëdha në sistem të raportuara ndonjëherë, por nuk ia kalon depërtimit në sistemin e Yahoo-s në 2013, kur piratët arritën të sigurojnë të dhënat e 3 miliardë përdoruesve.