Fanfarat e zgjerimit dhe suksesi i kushtetutës - bilanc pozitiv i presidencës irlandeze të BE-së | Evropa | DW | 29.06.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Fanfarat e zgjerimit dhe suksesi i kushtetutës - bilanc pozitiv i presidencës irlandeze të BE-së

Kryeveprën e tij të parë evropiane kryeministri i Irlandës Berti Ahern e paraqiti javën e shkuar: kjo është kushtetuta e BE-së, për aprovimin e së cilës ai u kujdes si kryetar i radhës i samitit të BE-së. Pak ditë përpara fundit të presidencës gjashtëmujore irlandeze më 30 qershor Ahern ia doli mbanë gjithashtu që të gjendet një kandidat i përbashkët i qeverive të vendeve anëtare për postin e presidentit të Komisionit Evropian.

Berti Ahern, kryeministri i Irlandës

Berti Ahern, kryeministri i Irlandës

Kryeministri Berti Ahern me siguri që ka dëshiruar një pikënisje më të thjeshtë tek mori përsipër detyrën e presidentit të radhës të BE-së. Kjo pasi dështimi i turpshëm i presidencës italiane në samitin e dhjetorit që synonte përpilimin bashkarisht të kushtetutës evropiane i vuri të tërë në lëvizje në janar.

Në Francë filozofohej: nëse një gjë e tillë nuk funksionoi në BE-në me 25 anëtarë, atëherë duhet ndjekur alternativa e një bashkëpunimi edhe më të ngushtë se deri më sot me Gjermaninë. Në këtë barkë donin të ngjiteshin papritur edhe britanikët: nëse duhet të ecë përpara unioni i zgjeruar, atëherë është i arësyeshëm një union i ngushtë midis vendeve të mëdha, ose një avntgardë, dëgjoheshin zërat nga Londra. Presidenti i Këshillit të Ministrave të BE-së, Ahern paralajmëronte me insistim që të mos ndërmerreshin tentativa të tilla për krijimin e një "bërthame të Evropës": "Eshtë një problem i madh nëse dikush bën fjalë për një Evropë të dy shpejtësive të ndryshme, pra për një grup vendesh, që injorojnë dëshirat e të tjerëve dhe i përjashtojnë të tjerët."

Evropianët e rifituan unanimitetit pas shokut të sulmeve terroriste të 11 marsit në Spanjë. BE-së i duhej ta pranonte që që pas 11 shtatorit 2001 nuk ishte përmirësuar bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit. Presidenca irlandeze në samitin e BE-së në Bruksel ia arriti që ndër të tjera të emërohet edhe një i ngarkuar i posacëm për strategjinë kundër terrorizmit.
Berti Ahern bëri këtë apel: "Siç e pamë, terrorizmi nuk njeh kufij kombëtarë. Ndaj ne duhet ta çojmë përpara bashkëpunimin ndërkombëtar. Deklarata jonë thekson rolin qendror të OKB-së, por edhe domosdoshmërinë për të bashkëpunuar me partnerët e tjerë, që presupozon si SHBA ashtu edhe vende të tjera nga rajone të ndryshme të botës."

Pas përballimit të krizës në tre muajt e parë të vitit, presidenca irlandeze shënoi pikën kulmore më 1 maj të këtij viti.

Në Dublin në mënyrë ceremoniale iu urua mirëseardhja në union 10 vendeve të reja anëtare. Ceremonia zyrtare e zgjerimit, gjatë së cilës u ngritën 25 flamujt e vendeve të BE-së dhe flamuri i Evropës, u zhvillua në selinë e presidentes së Irlandës Mary Mc Alesë: "Në ditën e sotme, që shënon një ngjarje historike për njerëzit në Evropë, u urojmë përzemërsisht mirëseardhjen 10 vendeve të reja anëtare që hynë në rrethin e familjes së Bashkimit Evropian."

Ndërkaq në diskutimin për kushtetën pati lëvizje: pas ndryshimit të qeverisë në Spanjë kryeministri socialdemokrat Hoze Luis Rodriguez Zapatero u tërhoq nga pozicioni bllokues i parardhësit të tij Hoze Maria Aznar. Në këtë mënyrë u konturua edhe kompromisi në debatin mbi kuotat dhe përqindjet në procesin e vendimmarrjes. Presidenti i Këshillit të Ministrave, Berti Ahern, së fundi ia arriti që në samitin e qershorit të paraqesë projekt-kushtetutën që u pranua nga të gjithë: "Kjo kushtetutë do t´i mundësojë BE-së që të bëhet më transparente dhe më demokratike. Nëpëmrjet kushtetutës bëhen më të qarta kompetencat e BE-së dhe të vendeve të vecanta anëtare, e nëpërmjet kësaj edhe BE do të jetë më e aftë për t´u bërë ballë detyrave të veta. Kushtetuta na jep kuadrin, në bazë të të cilit BE-ja mund të zmadhohet e të zgjerohet. Kjo është një arritje e madhe për Evropën dhe për të gjithë evropianët."

Presidenca irlandeze mundi të realizojë edhe pikën e fundit të agjendës së saj: ajo i dha fund ec e jakeve për emërimin e pasardhëit të Romano Prodit: kryeministri portugez Hoze Manuel Durao Barroso në vjeshtë do të jetë presidenti i Komisionit Evropian. S´ka dyshim që irlandezët mund të nxjerrin një bilanc pozitiv gjashtëmujor në ditën që do t´i dorëzojnë stafetën holandezëve.

  • Data 29.06.2004
  • Autor Klaus Dahman
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArGw
  • Data 29.06.2004
  • Autor Klaus Dahman
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArGw