Falë Oskar Shindlerit | Evropa | DW | 27.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Falë Oskar Shindlerit

Stella Müller-Madej është dëshmitare mizorish të parrëfyshme që kanë bërë nazistët në kampet e përqendrimit; por ajo arriti të shpëtonte. Fati i saj dhe i miliona viktimave përkujtohen në ditën e parë ndërkombëtare për viktimat e Ausshvicit.

Një prej kalimeve në kampin e përqendrimit Auschwitz

Një prej kalimeve në kampin e përqendrimit Auschwitz

"Deri më sot edhe hebrenjtë më besimtarë në vend që t'i falen zotit i falen Schindler-it," thotë Stella Müller-Madej. Ajo nuk është fetare, por çdo herë thotë plot besim si në lutje: "Jetën biologjike e kam nga prindërit, jetën e dytë ma ka dhënë Oskar Schindler-i."

Rruga e saj për në fabrikën e Schindler-it, ku kaloi në siguri relative nëntë muajt e fundit të luftës, ishte e gjatë. Ajo kalonte nga Getoja e Krakovës dhe dy kampet e përqëndrimit Plaszow dhe Auschwitz, ku mrekullisht i shpëtoi disa herë vdekjes.

Në fund të luftës ajo ishte pesëmbëdhjetë vjeç dhe nuk e përfytyronte dot lirinë: "Për mua ishte shumë e vështirë të mësohesha me civilizimin." Për t'u mësuar me jetën e re pas luftës e ndihmon të shkruarit. Shtytja i erdhi nga një vizitë në kinema. Bashkë me të atin ajo po shikonte një film lufte. Stella u shokua: "Pas asaj jete që kisha kaluar unë, me morra kudo, në plehra dhe minj, me kalbje të trupit tëd, me uri dhe vrasje, ky film ishte tepër i pastër. Në film shfaqeshin gra me rroba burgu me vija, thirrjet e tmerrshme të kujdestareve e kështu me radhë. Por për mua që isha dënuar të merrja pjesë përditë në këtë rrënim, në shkatërrimin e njerëzve nga njerëz të tjerë, ky film nuk ishte i pranueshëm."

Stella u trondit edhe nga reagimi i publikut. Ajo dëgjonte qarje nga njëra anë dhe komente nga ana tjetër: "Kjo është marrëzi, absolutisht e pamundur që të ketë ndodhur," thoshin ata. Kjo i ndodhi asaj në Krakov në vitin 1950 ose 51. Që nga ajo kohë Stella Müller-Madej e kupton mbijetimin e saj si detyrim për të ruajtur gjallë kujtimin e atyre që para syve të saj u keqtrajtuan, u vranë, u varën dhe u helmuan me gaz: "Nuk lejohet të përpiqem të harroj, sepse ata njerëz që u vranë nuk e meritojnë të harrohen."

Vetë Stella shpëtoi me anë të së ashtuquajturës "Listë e Schindlerit", e cila u hartua pas likuidimit të kampit të përqendrimit Plaszow. Falenderimi i pakufishëm i gjithë hebrenjve të shpëtuar prej Schindlerit bën të kuptosh, përse asnjëri prej tyre nuk lejon kurrfarë dyshimi ndaj personit të tij, megjithëse polemikat për motivet dhe sjelljen e Schindlerit janë bërë temë e disa publikimeve.

  • Data 27.01.2006
  • Autor Barbara Cöllen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArCE
  • Data 27.01.2006
  • Autor Barbara Cöllen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArCE