1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fakte në vend të emocioneve

29 Shtator 2017

Përvoja tregon se vendimtare për integrimin e sukseshëm të refugjatëve është mundësia për të pasur akses në tregun e punës.

https://p.dw.com/p/2kvf0
Afghanische Flüchtlinge in Serbien
Fotografi: Getty Images/O.Bunic

Organizata humanitare katolike Malteser-Hilfsdienst prezantoi së fundi në Berlin një raport për migrimin. Në 112 faqet e raportit përfshihen përfundimet e analizave shkencore për migrimin si dhe përvoja e kësaj organizate në ndihmën për refugjatët. Presidenti i kësaj organizate Karl Prinz zu Lëwenstein tha gjatë prezantimit se raporti synon të prezantojë fakte dhe jo emocione, edhe pse emocionet në vetvete nuk janë gjë e keqe.

Vendimtare për integrimin mundësia e punësimit

Ai tha se shumë njerëz i prek fati i njerëzve në nevojë, që vijnë për të kërkuar strehim në Gjermani. Por ka edhe shumë njerëz që kanë frikë prej të huajve. Momenti i prezantimit të studimit nuk qe rastësi. Drejtori i Institutit "Walter Eucken" Lars Peter Feld, i cili qe marrë me pjesën shkencore të raportit, tha se "Gjermania ka qenë dhe mbetet vend emigrimi". Për këtë nuk ka nevojë të shkohet thellë në histori, por mjafton të përmendet rrymat e refugjatëve që pas Luftës II Botërore.

Illegal und dazu noch krank
Fotografi: picture-alliance/dpa

Sipas tij përvoja tregon se vendimtare për integrimin e sukseshëm është mundësia për të punuar dhe për të pasur akses në tregun e punës. Por studiuesit vërejnë se sidomos emigrantët nga vende jo-evropiane nuk janë të integruar mirë në tregun gjerman të punës. Problemet kryesore janë mungesa e njohurive gjuhësore, mungesa e shkollimit dhe mosnjohja e diplomave.

Sa u përket refugjatëve të ardhur në vitet 2015/16 ata "për shkak të nivelit të shkollimit mund të jenë të përshtatshëm më tepër për punë të rëndomta, se sa për punë me nivel të lartë" - tha  Lars Peter Feld. Sipas tij në rast se procedurat e azilit përshpejtohen, këta njerëz mund të integrohen në tregun e punës.

Kriminaliteti dhe refugjatët 

Sa i përket kriminalitet duhet thënë se shtimi i rasteve të veprave penale në statistikë lidhet me faktin, se aty regjistrohen edhe vepra penale që lidhen me mosrespektimin e ligjeve për azilin ose të të huajve. Këto janë delikte që nuk kanë si t'i kryejnë gjermanët.

Pra nuk mund të thuhet se ardhja e emigrantëve ka ndikuar të shtimin e kriminalitetit në përgjithësi. Po ashtu ka edhe dallime të mëdha në varësi të vendeve nga vijnë emigrantët dhe refugjatët. Ata nga Siria, Iraku dhe Afganistani nuk kanë kryer shumë vepra penale. Kurse të pandehurit nga vendet e Magrebit kanë kryer rreth 11% të veprave penale të regjistruara pas vitit 2016.

Migracioni sfidë e madhe shoqërore

Feld mendon se diskutimet për vendosjen e kufijve maksimalë për pranimin e refugjatëve nuk kanë vlerë dhe bëhen sa për sy e faqe. Kurse sipas Prinz zu Lëwenstein vendosja e kufijve të tillë është një problem për të cilin duhet diskutuar politikisht. Por sipas tij e rëndësishme është që ata që kanë ardhur të integrohen vërtet në mënyrë të arsyeshme.

Organizata Malteser-Hilfsdienst  do të vazhdojë të angazhohet në këtë fushë dhe me sa duket do të përgatisë edhe raporte të tjera për emigrimin.

 

Deutsche Welle Marcel Fürstenau Kommentarbild ohne Mikrofon
Marcel Fürstenau redaktor dhe autor i DW për politikën dhe historinë bashkëkohore