Fëmijët - më të prekurit: Kriza e Coronës mund të rrisë dhunën në familje | Gjermania | DW | 22.03.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Fëmijët - më të prekurit: Kriza e Coronës mund të rrisë dhunën në familje

Corona të detyron të qëndrosh brenda. Ngushtica në ambientet familjare dhe pamundësia për t’u larguar nga njëri-tjetri mund të sjellin edhe konflikte familjare e rritje të agresivitetit. Fëmijët janë më të rrezikuarit.

Për shumë fëmijë, shkolla është një vend ku mësohet e mund të takosh shoqet e shokët. Për një pjesë ajo është një vend i sigurtë, një hapësirë mbrojtëse. Fjala është për ata fëmijë që vijnë nga familje, ku ushtrohet dhunë. Në vitin 2018, sipas statistikave të policisë ka pasur 4000 raste keqtrajtimi të fëmijëve në Gjermani. Numri i keqtrajtimit seksual me 14.000 raste është dukshëm më i lartë.

Të qenurit shumë afër nxit konflikte

Tani kur në Gjermani dhe në vende të tjera shkollat janë mbyllur për të ndalur përhapjen e virusit Covid-19, organizatat në mbrojtje të fëmijëve ngrenë zërin nga rritja e mundshme e keqtrajtimit të fëmijëve. Për disa fëmijë situata mund të jetë kërcënuese edhe për jetën, thotë Rainer Rettinger, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Gjermane të Fëmijëve. „Ngushtica, pamundësia për t'i ikur tjetrit nxit konflikte dhe rrit agresivitetin", thotë Rettinger dhe shton se fëmijët e prindërve me probleme droge apo të varur nga alkooli duhet të jenë në fokus këto kohë. „Tani në kohën e Coronës një fëmijë është vetëm me prindërit", thotë Rettinger. „Nuk është askush afër, që sheh nevojën emergjente të fëmijëve. Askush që ndihmon."

Aktualisht edhe qendrat e ndihmës apo të minorenëve praktikojnë distancimin social. Prandaj organizatat në mbrojtje të fëmijëve kërkojnë para kësaj gjendjeje që të ketë më shumë mbështetje në platformat sociale, edhe në mediat sociale, me qëllim që të sqarohen prindërit dhe fëmijët për programet e ndihmës. „Fëmijët duhet të kontaktohen dhe të bëhen pjesë e këtij informacioni", thotë Stefanie Fried nga organizata „Save the children", Gjermani. „Aktualisht fëmijët informohen vetëm nga të rriturit, por pikëristh më të cënuarit mes tyre nuk marrin informacionet e duhura, sidomos tani që nuk shkojnë në shkollë."

Symbolfoto Homeoffice (picture-alliance/A. Franke)

Prindër të stresuar që punojnë në shtëpi apo ata që kanë humbur vendin e punës mund të bëhen agresivë ndaj fëmijëve

Fried i mbështet thirrjet e qeverisë gjermane për ruajtjen e distancës. Por ajo paralajmëron nga vështirësitë e një bashkëjetese disajavore në katër muret e shtëpisë. "Nuk duhet të harrojmë, se fëmijët nuk janë si të rriturit. Ata kanë nevojë të lëivzin dhe duhet të luajnë. Masa të tilla mund të jenë pozitive për një kohë të shkurtër, por pastaj shteti duhet të kujdeset sërish për mundësi lëvizjeje në ajër të pastër për familjet.”

Shqetësim për dhunën familjare

Qendra e konsultimit dhe organizata të tjera paralajmërojnë, se në javët e ardhshme mund të ketë më shumë dhunë edhe mes të rruturve. Shumë njerëz punojnë nga shtëpia: për shkak të efekteve ekonomike të virusit Corona, mund të ketë të tjerë që kërcënohen nga papunësia, apo e kanë humbur ndërkohë vendin e punës. Të gjithë këta faktorë rrisin stresin në familje.

Zhvillime të përafërta raportohen nga Kina. Në javët e izolimit social për shkak të Coronës, ka pasur tre herë më shumë dhunë familjare, se më parë. „Për shkak të masave aktuale në Gjermani, partneri i dhunshëm largohet më pak nga shtëpia se më parë, gjë për viktimat e bën të pamundur të kërkojnë ndihmë apo të kontaktojnë qendrat e këshillimit", thotë Katja Grieger nga Shoqata Federale e Konsultimit të Grave dhe Rasteve të Emergjencës – Gratë kundër Dhunës në bisedë me Deutsche Wellen. Vizitat në familje për shkak të rrezikut të virusit janë reduktuar. „Ne kërkojmë që fqinjët të jenë më të vëmendshëm, për sa i përket dhunës familjare", thotë Greieger. „Nëse në një shtëpi fqinjët dëgjojnë britma dhe thirrma të telefonojnë policinë." Situata keqësohet edhe më shumë në rastet e ndalimit të lëvizjes.

Coronavirus in Kolumbien Bogota Ausgangssperre (Getty Images/AFP/L. Robayo)

Të gjithë brenda në shtëpi për shkak të Coronës, por kjo situatë rrezikon edhe konflikte

Thirrje për ndihmë politikës

Sipas Ministrisë Federale për Familjen, Të Moshuarit, Gratë dhe Fëmijët (BMFSFJ) autoritetet janë „të sensibilizuara" për këtë. Deri më tani ministrja federale, Franziska Giffey (SPD) nuk është shprehur për dhunën familjare dhe keqtrajtimin e fëmijëve në kuadër të masave të krizës së Coronës. Por presioni ndaj politikës po rritet për të mbrojtur më të cënueshmit në shoqëri. Për këtë politika duhet të ofrojë mbështetje financiare dhe të verë në përdorim të gjitha resurset e mundshme.

Në rast dhune në Gjermani mund të telefononi në nr. 08000 116 016. Ose kontaktoni hilfetelefon.de.