1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EU Arabien Proteste

21 Shkurt 2011

Vala e protestave në botën arabe po prek gjithnjë e më shumë vende. Evropa që lëviz në një korsi tepër të ngushtë po i ndjek këto protesta me dyzim,

https://p.dw.com/p/10L6L
Protestat e Tunizisë u përhapën në gjithë botën arabe
Protestat e Tunizisë u përhapën në gjithë botën arabeFotografi: picture alliance / dpa

Ajo që për vite me radhë dukej e pamundur është bërë realitet. Populli në botën arabe nuk ka më frikë nga sundimtarët e tij. Njerëzit sfidojnë dhunën dhe luftojnë me guxim të patrembur për të drejtat e tyre, madje edhe me çmimin e masakrës, siç po ndodh tani në Libi. Me një shpejtësi të paparë fryma e revolucionit kaloi nga Tunizia në Egjipt duke përfshirë gjithnjë e më shumë vende arabe. Sinjali i një të ardhmeje ndryshe tingëllon fare pranë dhe kuptohet si një shenjë e ndryshimit. Dhe ndryshimi është i mundshëm vetëm nga forca e brendshme.

Momente historike

Në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Afërt këto momente janë historike - dhe Evropa si fqinji i drejtpërdrejtë po degradon gjithnjë e më shumë në një spektatore. Nuk të çudit që evropianët në këtë situatë duken si të pagojë dhe të mbilodhur. Demokracia dhe liria- janë vlerat e tyre bazë, për këtë ata duhet të mbajnë qëndrim edhe në botën përtej kufijve evropianë. Në të njëjtën kohë ata bashkëpunojnë me shumë sundimtarë autoritarë për shkak të llogarive ekonomike dhe realpolitikës.

Regjimi kundër së drejtës i diktatorit Muamar el Gaddafi lejon ushtrinë dhe policinë të qëllojë mbi popullin e vet. Por po i njëjti regjim kujdeset që shtetet evropiane të mbrohen nga valët e shtuara të refugjatëve. Madje me furnizimet e majme me naftë ai ka një kontribut jo të vogël që evropianët të mbushin çdo ditë makinat me benzinë dhe të mos ngrijnë në dimër.

Jo vetëm për shkak të potencialit për shantazh ngurojnë evropianët të dalin hapur kundër diktatorit libian apo diktatorëve të tjerë. Ata as nuk dinë se cilat forca të reja politike mund të mbështesin. Aktivistë demokratë "pro-perëndimorë", apo të njëjtat forca, që vetëm para pesë vitesh dogjën konsullatat evropiane për shkak të zemërimit për karikaturat e profetit Mohamed. Pyetja tjetër - a mund të ketë në këto çështje vija ndarëse?

Lëvizjet e protestës janë shumëplanëshe

Jo, ato nuk janë të mundura. Lëvizjet e protestës janë po aq shumëplanëshe dhe të komplikuara si shoqëritë arabe në tërësi. Gjithkund protestat drejtohen kundër sundimit arbitrar, gjithkund dëgjohen thirrje për demokraci. Por ato pjesërisht janë të përziera edhe me konflikte fetare dhe rivalitete mes fisesh. Brenda tyre janë gjenden krahas aktivistëve liberalë metropolitanë edhe të majtët, nacionalistët dhe përkrahësit e islamit politik, mëditësit dhe të rinjtë e zhgënjyer të zonave të varfra. Kategoritë pro dhe kundër apo "antiperëndimore" të çojnë në qorrsokak. Edhe përfundimi i protestave është i paparashikueshëm dhe i painfluencueshëm nga jashtë.

Megjithatë orientimi më i fortë i politikës evropiane të fqinjësisë drejt mbështetjes së demokracisë është i drejtë, po ashtu edhe fjalët e qarta kundër diktatorëve. Duhet thënë se evropianët lëvizin në një korsi të ngushtë. Jo vetëm tiranët e vënë me shpatulla pas muri, por edhe shumë aktivistë arabë pro demokracisë sinjalizojnë qartë se është i padëshirueshëm ndikimi nga jashtë. Evropa duhet fillimisht të ndërtojë besimin. Kjo bëhet vetëm në formën e një mbështetjeje partneriteti, nga e cila njerëzit të përfitojnë në mënyrë të ndieshme, veçanërisht në vendet, ku tiranët janë rrëzuar nga pushteti dhe shoqëritë duhet të ristruktrurohen.

Autor: Rainer Sollich

Redaktoi: Auron Dodi