1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa feston ne Dublin zgjerimin

Bernd Riegert / Marcel Fyrstenau1 Maj 2004

Pas ceremonive festive në kryeqytetet e vendeve të reja anëtare te Bashkimit Evropian si dhe ne pikëkalime të ndryshme kufitare mes vendeve të vjetra dhe të reja të Evropës, në Dublin, po zhvillohet ceremonia solemne për këtë ngjarje të shënuar në historinë evropiane.

https://p.dw.com/p/AqvH
Pllakatë nga Dublini pro hyrjes së anëtarëve të rinj në familjen evropiane
Pllakatë nga Dublini pro hyrjes së anëtarëve të rinj në familjen evropianeFotografi: AP

Ne Evrope u hap sot një kapitull i ri që i dha fund ndarjes. BE-ja pranoi zyrtarisht 10 vende të reja antare nga Lindja. Këtej e tutje BE-ja do të ketë 25 shtete anëtare dhe rreth 450 milionë qytetarë.
Këmbanat e katedrales St-Patrick shënuan fillimin e festimit të zgjerimit të BE-së në kryeqytetin irlandez. Qielli u përflak prej fishekzareve dhe efekteve me drita, ngjyrat e të cilave sillnin flamujt e vendeve të Bashkimit evropian.

Në ceremoninë e zhvilluar në Dublin kryeministri i Irlandës Berti Ahren deklaroi para të gjithë kryetarëve të qeverive dhe të shteteve nga 25 vendet e BE-së: "Unë u zgjas dorën e miqësisë dhe u uroj mirëseardhjen popujve të Evropës, të cilët bashkohen sot me BE-në. Ky ishte rezultat i përzgjedhjes suaj demokratike dhe i përpjekjeve tuaja për këtë ditë."

I pranishëm në ceremoni ishte edhe Presidenti i Komisionit Evropian Romano Prodi, i cili e vlerësoi zgjerimin e BE-së si një nga arritjet më të rëndësishme: "Kjo ështe një ditë historike dhe jam shumë i gezuar që jam sot mes jush në Dublin për të festuar me kete rast arritjen me të rëndësishme të periudhës sime legjislative në postin e presidentit të Komisionit Evropian. Për shumë vite me radhë ne kemi projektuar vizionin e sotëm të zgjerimit të BE-së me 10 vende të reja anëtare nga Evropa qendrore, lindore dhe zona e Mesdheut."

Para se të shkonte për në Irlandë, kancelari gjerman Gerhard Schrëder mori pjesë në një ceremoni festive që u zhvillua në qytetin kufitar Zittau, ku takohen me njëri-tjetrin kufiri gjerman, ai polak dhe ai çek. Në këtë ceremoni përveç kancelarit Gerhard Schrëder morën pjesë edhe homologët e tij Vladimir Spidla nga Çekia dhe Leshek Miller nga Polonia. Duke marrë fjalën Schrëder tha: "Ky është një shans unikal historik, për ta shmangur një herë e përgjithmonë ndarjen e Evropës. Me dhënien fund të ndarjes Evropa shndërrohet në një zonë, në të cilën do të mbizotërojë paqja dhe mirëqenia e përhershme. Ky shans historik për Evropën ka vlera të paçmueshme."

Festimet nëpër rrugët e Dublinit që filluan që mbrëmë do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme. Si rrallë herë tjetër në kryeqytetin irlandez vihet re një prani e madhe policësh dhe ushtarësh. Rreth 5000 policë dhe 2.500 ushtarë janë përqëndruar dhe janë në gatishmëri në Dublin për të garantuar që ceremonitë festive të kalojnë të qeta.